Zaimi: Shpirtërisht me moshën e vajzave të mia, por fizikisht me ngarkesën e një anijeje mallrash

Elvana Zaimi

ObserverKult vazhdon botimin e ciklit të intervistave të realizuara nga Xhemazije Rizvani, “Flasim përhanshëm me…”, botuar nga Shtëpia Botuese “Syth”.

______

Flasim përhanshëm me përkthyesen Elvana Zaimi

Nga: Xhemazije Rizvani

Ka momente në jetë kur ulesh, ndalesh pak, ngre pyetje e hamendësime për ekzistencën dhe qëllimin tënd në këtë jetë, rrethanat që të kanë sjellë ku je, të kanë bërë njeriu që je.

Kush është Elvana? Po ja, në moshën 18 vjeçare kam dalë nga shtëpia atërore për studime në Tiranë dhe nuk u ktheva më qysh atëherë. Një fëmijë i urtë dhe që s’kishte parë botë të vërtetë me sy, por botëra të tëra me mend, nëpërmjet leximeve. Leximet e mia të para kanë qenë mitet greke dhe romake, dhe e quaj veten e këdo tjetër me fat që fillon marrëdhënien me leximin pikërisht nga mitet. Çfarë imagjinate më kallën dhe çfarë karakteri brumosën – e pallogaritshme. Arrija të shihja gjithë jetën që gjëllonte në Olimp e poshtë tij, gjer në Had. Në vazhdën e këtyre leximeve zunë vend klasikët e pazëvendësueshëm – jetoja një jetë thuajse binare, pa e vrarë shumë mendjen si ishte bota e vërtetë përtej qytezës sime të vogël industriale, shëtitores së të cilit i dilje fund e krye për 13 minuta, ku të gjithë të njihnin si vajza e filanit dhe fistëkes, mësueses së matematikës, ku askush nuk guxonte “të të fishkëllente” rrugës për në gjimnaz, se gjysma e qytetit ishin kushërinjtë e tu e gjysma tjetër shokët e tyre e kështu me radhë. Pastaj jeta studentore: mendoja së në auditorët e Fakultetit Filologjik do recitohej Shakespeare apo do të na selitnin dëshirën e vërtetë për letërsinë. Gabim, Zaimi, ulu, 4! Ishte varri i çdo iluzioni se studimi i letërsisë do të të pasuronte jetën dhe madje, pa shih, do të të jepte një profesion. Kështu fillova e u bëra autodidakte. Në sezon provimesh të vitit të parë mbaj mend që kam qenë duke përkthyer Henry Miller – «Ditë të qeta në Klishi». Sa më shumë rritej stresi i provimeve, aq më shumë përparonte Elvana në përkthim. Kjo më kujton si i hyra rrugës së përkthimeve. Më propozoi dikush, meqë “dija anglisht”, të përktheja një tregim për një revistë letrare. Po, patjetër. Kë mendon? – unë. Virginia Woolf, ma pat ky miku. – Po more, pse jo, ia ktheva e sigurt si levende. Iu futa unë këtij tregimit ta lexoja, Kew Gardens…. o erdh e më kapluan djersë të ftohta, po burri që është burrë nuk e kthen fjalën. Kështu bëra, e hëngra veten me dhëmbë, për së gjalli. E përktheva, e pëlqyen shumë përkthimin dhe që atëherë me sa duket, u përvijua pavetëdijshëm, por nga ndofarë providence, rruga ime e mundimshme drejt përkthimit. U angazhova nëpër revista e gazeta letrare me përkthime, përshkuam një shtegtim mbamendës, së bashku me Agronin, me gazetën «Fjala», për pesë vjet e kusur – një periudhë mbushur me aktivitet sa vegjetues, aq edhe produktiv në lëmë të punëve e përkthimeve e autorëve që kemi sjellë. Por e desht puna edhe me u martu, se duhej kryer detyra shoqërore, e pastaj dhe ajo biologjike. Paj u martova, paj erdhën edhe fëmijët, një, dy, tre… U bënë pesë, duke mos ia prishur qejfin njëri-tjetrit dhe duke pataksur njerëzit që na njihnin. E shkreta mamaja ime: mbaj mend që sa herë i thoshim jemi shtatzanë, i priteshin gjunjët e pritej në fytyrë, ama trimneshë, nuk e jepte veten. Po pastaj pyetjet e tipit: vetë i bëre apo kshu, pa dashje? Nuk ka fyerje më të madhe të të hyjnë njerëzit në dy gjëra, them unë: te Zoti dhe te fëmija. Po jo moj motër, me ndihma nga ndërkombëtarët! Kështu jemi ne shqiptarët, pyetja e parë sa fëmijë ke dhe e dyta, sa e ke rrogën.

Kalonte koha, po fëmijët rriteshin dhe gjithë ky proces na kalonte nën hundë, pa e vënë re se rriteshin shumë shpejt. Pa u rritëm edhe ne, derisa shkova 38.5 vjeç dhe na u desh të mblidhnim gjithë jetën tonë të deriatëhershme në një çantë shpine 7 kilogramëshe. Dhe ja ku jam tani: shpirtërisht me moshën e vajzave të mia, por fizikisht me ngarkesën e një anijeje mallrash, që i duhet të bëjë shumë udhë ende për të ankoruar të sigurtë anijen me beharna Orienti. Vështirësia më e madhe e kësaj jete është të bësh paqe me të qenit prind, i mirë apo i keq, por me të qenit prind, me të pasurin përgjegjësi për çfarëdo arritje apo dështim të fëmijës. Ajo që nuk dua të ndryshojë asnjëherë në sytë e mi (edhe pse tani do të ishte mirë të ndaheshim për ca vite) është qenia e tyre gjithmonë fëmijë, edhe kur ata të bëhen prindër.

Kush është Elvana brenda shtëpisë?

Arkitrau, besoj. Objekti i të gjitha pyetjeve dhe kërkesave. Nëse fëmijët çdo ditë kanë 500 pyetje dhe kërkesa për mua, për të atin kanë vetëm një: O ba, ku është mami? Sigurisht, jam edhe gjeneruesi kryesor i jetesës. Kohët e fundit jam bërë shtëpiakja e përkryer, duke zgjeruar menynë e kuzhinës me gatime nga “Molla e Kuqe” e gjer poshtë në Sarandë.

Çfarë s’të rri besnik/e?

Gjithçka që më imponohet. Që nga afatet e rëndomta profesionale, e deri te impenjimet e ngushta familjare. Më ka ndodhur të kem marrë përsipër gjëra pa i vlerësuar paraprakisht dhe… e kam pësuar. Në këto raste thërras në ndihmë “kavalerinë”: nuk ia dal dot pa ndihmë dhe jam e lumtur që në të shumtën e rasteve ia kam bërë vendin vetes kur kam pasur nevojë: një këshillë, një mendje ndryshe, por gjithmonë e kam nxjerrë veten nga vështirësitë.

Në cilën gjuhë bëhet më mirë poezia?

Unë e bëj më mirë në gjuhën që nuk është shpikur akoma dhe nuk përkthehet dot në fjalë – gjuha e ndjesive dhe mendimit që nuk e rrok as një të njëqindtën e gjuhës që shkruaj, aq rrallë sa shkruaj. Mendimi dhe imazhi më humbet nëpër gjerdhet e shqipes megjithatë, si një gjuhë që e përsos çdo ditë dhe mundohem ta pajtoj sa më shumë me gjuhën që përmenda më sipër.

Ç’do kishit thënë për një burrë që ditën e dasmës sheh futboll?

Gjëra që ndodhin… E ke fjalën për burrin tim, që ditën e dasmës sonë shihte në ekran ndeshjen Argjentinë-Greqi? Gjithsesi, do të ishte tepër vonë për të thënë diçka, ishte kry ndërkohë. Një grua e zgjuar do ta toleronte, madje do ta quante gjenial këtë «origjinalitet», do të dinte ta kthente në avantazhin e vet, për ta shtrënguar rripin diku tjetër (kam parasysh veten time këtu).

Çfarë nuk të shkon duarsh?

Gjëra që kanë përplasje të papajtueshme me idenë time të të qenit njeri i drejtë, me dinjitet dhe që do të kompromentonin gjëra të cilave u besoj dhe nuk do të doja të kishin asnjë cen.

Për çfarë nuk paguhet Elvana, por e bën punën me zell?

Për dashurinë dhe vëmendjen e natyrshme që u kushtoj njerëzve që dua, miqve e mikeshave të mia, deri në vetëmohim. Empatia është tipari mbizotërues mendoj, që më lidh me njerëzit. Pastaj, nëse flasim profesionalisht, përkthimi është kënaqësia më e madhe nga e cila nuk do të hiqja dorë asnjëherë dhe që e bëj me shpirt, për të cilin nuk do të doja të paguhesha. Shpresoj mos ta lexojë asnjë botues këtë intervistë, s’dua të vihem në provë.

Ka qenë një periudhë shumë e dashur edhe mësimdhënia në universitet. Qasja dhe ideja që kisha unë për akademizmin është krejt ndryshe nga sa jemi mësuar në Shqipëri dhe këtë nuk është se e mësova kund “jashtë shtetit”. Jo aspak, ka qenë gjakimi im i natyrshëm për të qenë e kundërta e pjesës dërrmuese të pedagogëve që kam pasur.

Përse mendojnë njerëzit se je më e zonja grua?

Vërtet e mendojnë kështu? Duhen pyetur ata atëherë.

Ç’konsideron poezi që s’të ka humbur në përkthim?

Kur e ndiej se, pasi kam thirrë në ndihmë gjithë zanat e orët e gjuhës shqipe, i kam shkuar në burim ndjesisë dhe imazhit origjinal. Kjo megjithatë s’ka ndodhur asnjëherë, edhe pse ka pasur përkthime kur i jam afruar shumë.

Cilat janë vështirësitë që paraqiten gjatë “ujdisjes” (përkthimit)?

Para vështirësive për të cilat pyet ti, ka dy parakushte të tjera: altruizëm, dashuri. Pa u hyrë në të thella, dua të them se për mua përkthimi është një formë e pastër altruizmi, kur mahninë e një teksti, fraze, vargu, rreshti, poezie apo më gjerë – romani, dëshiron ta bashkëpjesëtosh me të tjerë, që të ndiejnë të njëjtën kënaqësi.

Nëse mund të hyj fare shkurt në gjëra teknike: gjuha në të cilën përkthen duhet të zotërohet në mënyrën më virtuoze. Dhe gjuhë nuk është vetëm gjuha letrare, standarde, por pikërisht ajo që nuk ka bërë jetën e fjalorëve të thatë e pa frymë. Në thelb, ky është një sekret i vogël, por themelor, për përkthimin. Mund ta dish një gjuhë të huaj në mënyrën më të përsosur dhe shterruese të mundshme, por kjo gjuhë duhet të ketë gjegjësen e saj në përkthim. Një tipar tjetër, që paraqet vështirësi padyshim, është padukshmëria. Përkthyesi duhet të jetë frymë dhe jo njeri gjatë procesit të leximit. Gjëja që nuk duroj dot në një përkthim është kur përkthyesi më sheh nga sipër librit tërë fodullëk duke më thënë tërë kohës: A e sheh sa mirë e kam përkthyer?

Cilat janë 5 këshilla (ose më pak, më shumë) që nuk ia kurseni një përkthyesi të ri?

Nuk besoj se jam personi i duhur për të dhënë këshilla. Mund të them përvojën personale në lidhje me çdo tekst që përkthej:

e dua 

e vë në dyshim

e lë të më shtillet ne mend si vera në gojë – me pak fat, e gjen rrugën vetë dhe “zbret në shqip”.

lexoj dhe jam shumë e etur për të zgjeruar fjalorin

mendoj se përdor me masë dhe vend atë që quaj fjalor alternativ.

Për çfarë gjakon zemra?

Për detin.

Cila nxitje të bën të shkruash poezi?

E kisha lënë para shumë vitit këtë zeje, me sigurinë më të plotë. Por është futur vjedhurazi nga dritarja, pa u shpjeguar e u përligjur fare. Nuk e përcaktoj dot me fjalë.

Çfarë nuk kuptojnë dot burrat për gratë?

Që gratë mund të bëjnë çfarëdo gjëje që bëjnë ata. Bukvalisht.

Nuk u besoj fare gjepurave gjinore, për mua janë e njëjta qenie njerëzore, me veglat përkatëse gjinore dhe me gravitet të njëjtë. Kaq.

Përse ia vlen barra qeranë të jetosh?

Nuk e kam arritur ende moshën madhore për të bërë një bilanc të tillë. Qëlluam në jetë dhe nëse jemi të zgjuar mjaftueshëm sa të shfrytëzojmë përvojën e mëparshme njerëzore, mundemi fare mirë që në përmbyllje të saj, të mos kemi pengje që të na mbajnë shpirtin pas. 

Malli çfarë ngjyre ka, çfarë fytyre?

Ngjyrën e fëmijërisë, fytyrën e prindërve dhe familjes sime. Ka aromën e stinëve të pajetuara.

Azili, ç’ndjesi të ka ngjallur kjo fjalë më herët, po tani?

Për fat, jam njeri shumë i përshtatshëm. Edhe pse jemi ende në një fazë tranzitore, duke kërkuar vendin tonë në një botë që nuk na njihte ekzistencën, përpiqem ta shoh si një rrethanë kalimtare nga pikëpamja se, edhe vetë në këtë jetë, kudo ku ajo bëhet, jemi kalimtarë.

Individë që shtyhen me një sistem, ç’luftë është kjo?

Lufta më e rrezikshme, ajo që ka përparuar me hapa dhe episodë milimetrikë dhe ka shkaktuar dëme të pariparueshme. A duhet të bëhet domosdoshmërisht një luftë botërore me armë… metali? Bëhet me armën më të rrezikshme të njohur deri më sot: tundimin për pushtet, pushtet të pakufizueshëm. Kjo sëmundje e ka molepsur botën në mënyrë të pakthyeshme.

Çfarë e karakterizon shtëpinë tuaj?

Anëtarësia me bazë të gjerë: mjaftueshëm fëmijë, sa për dy familje e gjysmë. Shumë shumë libra. Dhe si kudo në familjet shqiptare, komunikimi me zë shumë të lartë. Në vend që të përshtateshim me kushtet dhe fqinjët e rinj, janë përshtatur ata me ne. Janë dorëzuar, s’kishin rrugë tjetër, pas gatesave që u çoj çdo fundjavë si “shpërblim për ta mbajtur gojën mbyllur”.

Pas 10 vjetësh ku do të ndalesh?

Pyetje tipike e intervistave për punë. Ky nuk është këndvështrim që më përket. Le të themi që kam mjeshtëruar artin e përditshmërisë. Ky ndoshta do t’i japë kuptim dhe formë Elvanës pas dhjetë vjetëve, nëse do t’arrij gjer aty.

Ku e gjen forcën dhe vullnetin për t’ia dalë me të gjitha? Ku stagnon?

Ah, të lutem, këto janë sekrete që nuk lëshohen aq kollaj. Përndryshe, pse do të isha objekt i një interviste të tillë?

ObserverKult

BARDHYL LONDO: HUMANIZMIT IA KA ZËNË VENDIN EGOIZMI