Portretet e mumieve të Egjiptit të lashtë kanë qenë prej kohësh objekte kurioziteti dhe kanë ngjallur shumë pyetje, që kur u zbuluan nga arkeologët në fund të viteve 1800. Fytyrat e pikturuara me detaje, të njohura si “portrete mumie”, datojnë nga viti 100 deri në 250 të e.s.
Me aq sa mund të thonë studiuesit, portretet – që gjendeshin të ngjitura në një mumie duke mbuluar fytyrën e të vdekurve – janë pikturat e para që përshkruajnë subjekte të gjalla, shumë të personalizuara dhe që demonstrojnë një përzierje të traditave funerare dhe artistike midis botës greko-romake dhe asaj egjiptiane, transmeton ‘a2news.com’.
Ato mendohet të jenë bërë gjatë pushtimit romak dhe përfaqësojnë traditat funerale egjiptiane (mumifikimin), por edhe eksperimentet romake me teknikat e portretit dhe pikturës, si ato enkustike – një metodë pikture që përfshin shkrirjen e dyllit të bletës, duke shtuar pigmente me ngjyrë në të.
Ekzaminimet e përbërjes materiale të portreteve kanë identifikuar se 75 për qind e paneleve janë pikturuar në dru bliri, i cili nuk ishte marrë në Egjipt. Piktorët e tyre mendohet se e importuan materialin nga Evropa Veriore. Një pigment i kuq i gjetur ne to, u gjurmua në Spanjën Jugore, një shenjë kjo për tregtinë e gjerë të perandorisë egjiptiane.
Gjithsesi, ekipi studiues është më shumë i interesuar për të gjetur nëse këto portrete janë realizuar gjatë jetës së këtyre individëve apo pas vdekjes së tyre. Në një pjesë të madhe, ata paraqesin të rinj; shumica duken të jenë në të njëzetat, të tridhjetat dhe të dyzetat. Megjithatë skanimet e përdorura për studimin e mumieve zbulojnë se mosha e portreteve përputhet me moshën reale të të vdekurve. Këto gjetje, gjithashtu, mbështesin regjistrimet e asaj kohe, ku ata përshkruajnë se shumica e njerëzve vdiqën të rinj, për shkak të infeksioneve ose lindjes së fëmijëve.