Është gjetur brenda një shpelle në ishullin indonezian Sulawesi ai që besohet të jetë vizatimi më i vjetër i një kafshe të zbuluar ndonjëherë. Sipas analizave, imazhi daton në 45500 vjet. Bërë me okër të kuqe në një fytyrë shkëmbi, vizatimi (zbulimi i të cilit përshkruhet në një artikull të botuar në Science Advances) përfaqëson me shumë detaje një ekzemplar të Sus celebensis, një derri të egër, me qime që jetoi dhe jeton akoma, në disa ishuj të Indonezisë.
Vizatimi me madhësi 136 me 54 centimetra dhe është i rrethuar nga imazhe të dy duarve njerëzore, të pikturuara mbi të. Pranë kësaj pikture ka tre të tjera, por ato janë ruajtur dobët. Sipas studiuesve ka të ngjarë që këto figura të jenë të lidhura në një farë mënyre me imazhin “kryesor”, si në një lloj përbërje më komplekse.
Datimi i këtyre vizatimeve ishte i mundur falë uraniumit të pranishëm në kristalet e vogla të kalcitit që u depozituan pas vizatimit. Uraniumi radioaktiv shndërrohet në torium dhe duke ditur se si dhe kur kjo ndodh, është e mundur të përcaktohet data e formimit të kristalit të parë kalcit. Por është një operacion jashtëzakonisht kompleks, transmeton ‘a2news.com’.
Dikush mund të mendojë pse ka kaq shumë piktura derri në ishull. Sipas një prej autorëve të zbulimit, Adam Brumm i Universitetit Australian Griffith, ato janë kafshë “unike” në ishullin Sulawesi. “Ata evoluan brenda tij qindra mijëra vjet më parë. Ka dëshmi që tregojnë se si gjuheshin nga banorët e ishullit nga të cilët, me siguri, edhe ishin zbutur. Prandaj është mjaft e qartë se këto kafshë ndërvepronin shumë me burrat, të cilët ishin pothuajse të fiksuar me ta”, shpjegon Brumm.
Para zbulimit të kësaj pikture, piktura të tjera ishin gjetur në shpellat Sulawesi, por ato ishin më të reja. Së fundmi, duhet të mbahet mend se vizatimi më i lashtë që ne njohim, i cili duket si një hashtag, daton pothuajse 100 000 vjet më parë dhe u gjet në një shpellë në Afrikën e Jugut.