Transformimi i “Forumit Bizantin” nga një hapësirë tregtare në një hapësirë banimi, me nivel elementar ndërtimi, ka fshehur në rrënoja gjurmët e banesave të ngritura aty. Për herë të parë arkeologët kanë zbuluar ambientin e një banje që i përket fundit të shekullit VI, duke dëshmuar për nivelin e jetesës dhe kushtet e higjienës.
Për të disatin vit radhazi arkeologia, Brikena Shkodra-Rrugia dhe ekipi i saj e kaluan gjysmën e muajit korrik dhe gusht në rrënojat arkeologjike të Forumit Bizantin në Durrës, një hapësirë antike ende e pazbuluar tërësisht.
Aq familjare është bërë me monumentin arkeologjia e Institutit të Arkeologjisë, sa që tani e quajnë “Forumi Rrethor”.
Puna e tyre edhe këtë sezon u fokusua në gjetjen e sa më shumë elementëve që lidhen me funksionin e strukturës dhe rëndësinë e saj në raport me qytetin në shekullin VI të Erës Sonë.
Gërmimet në pjesën juglindore të monumentit ekspozuan dëshmi të jetës pas braktisjes së monumentit që ishte një hapësirë e mbushur me “dyqane”. Përdorimi i hapësirës për banim, megjithëse jo me struktura të konsoliduara dhe investime të pakëta, ekspozoi kujdesin e vendasve për të pasur ambiente të dedikuara dhe me standardet minimale të jetesës.
Për herë të parë në Durrës, arkeologia Shkodra-Rrugia zbuloi ambientin e një banje që i përket fundit të shekullit VI dhe fillimit të shekullit VII, e cila e ruan ende pozicionin dhe rrënojat e nevojtores, duke dëshmuar për një qytet që pavarësisht rënies së nivelit ekonomik, ruhej standardi i higjienës.
“Në dy pjesët këndore të ambientit…ku bëhet bashkimi i dy mureve, në njërin kënd është njëri ambient funksional, ndërsa në këndin tjetër simetrik me të është ambienti tjetër, tualeti”, rrëfeu për Median Amfora, arkeologia Brikena Shkodra-Rrugia.
“Mendohet se ka shërbyer si banesë dhe kuzhina është fare pranë”, shtoi arkeologia dhe drejtuesja e Departamentit të Antikitetit të Vonë dhe Mesjetës, në Institutin e Arkeologjisë.
Këto elemente të jetës urbane të Antikitetit të Vonë sipas saj dëshmojnë se hapësira e dedikuar kryesisht për zejtarinë u braktis për shkak se nuk ishin mundësitë ekonomike për ta mirëmbajtur dhe sipërfaqja u ripërdor për banim, me ngritjen aty të strukturave të thjeshta.
“Përdoruesit pasues reflektojnë pamundësi reale mbijetese për të mbajtur ende një strukturë tregtare në këmbë apo artizanale, kështu që thjeshtëzohet me një lloj niveli të thjeshtë vetëmjaftueshmërie, për të përballuar nevojat e jetës”, shpjegoi arkeologia Shkodra-Rrugia, mbi evolucionin e hapësirës.
“Ky moment historik koicidon me periudhën e mesjetës së hershme, jemi në situatë të vështirë në tërësi për kushtet e Perandorisë Romake, në mbylljen e saj, kushte që vështirësohen nga situata politike e kohës, me luftërat e vazhdueshme që perandoria po përballej me barbarët”, shtoi ajo.
Gjatë kësaj ekspedite kanë dalë në dritë edhe “monumente” të tjera të jetës urbane të Durrësit, e cila reflekton një rënie të nivelit të jetesës, zhvillimit urban, elemente të cilat arkeologët po tentojnë t’i gjurmojnë me qëllim njohjen e qytetit në fundin e shekullit VI dhe fillimit të shekullit VII.
Të dhënat e fundit arkeologjike pas viteve’ 90 vijnë përmes dy sondazheve që janë bërë në 2006-ën, materiale të cilat datonin në fundin e shekullit V dhe fillimin e shekullit VI, e cila sipas arkeologëve korrespodon me periudhën e sundimit të Perandorit Anastas, i cili ishte me origjinë nga Durrësi.
“Të dhënat që kanë sjellë gërmimet e viteve të fundit dhe janë ekzaktësisht kontekste të cilat lidhen drejtpërsëdrejti me momentin e ndërtimit të Forumit, kanë provuar data pak më të hershme, që normalisht është gjysma e dytë e shekullit V”, tregoi Shkodra.
Sipas saj ka nevojë që materiali të studiohet më mirë, që të dhënat të jenë të mbështetura me më shumë elemente datues sepse deri më tani është vetëm materiali qeramik që e ka provuar këtë të dhënë.
Sipas arkeologes Brikena Shkodra-Rrugia, e cila prej vitesh gërmon në parcelat e lagjes 11 të qytetit, në rastin e Forumit Bizantin gjetjet dëshmojnë për gjysmën e dytë të shekullit V dhe fillimin e shekullit VI.
“Kjo është e pakontestueshme, si kohë kur është ndërtuar ky monument. Brenda këtij harku kohor, nga shekulli V deri në shekullin VII, ky monument ka ndryshuar të paktën tre herë elementet funksionale që modifikojnë strukturat përbërëse të tij”, tha ajo.
Deri më tani aty janë gjetur struktura me kate nëntokë, që braktisen në një moment, vijohet në dy kate dhe më tej me modifikime të nivelit të përdorimit dhe dalëngadalë hapësira është franksionuar nga një ambient tregtar, në një hapësirë banimi./amfora
ObserverKult
———-
Lexo edhe:
NËN UJËRAT E ZEZA, ZBULOHET NË DURRËS MOZAIKU I RRALLË 1900-VJEÇAR
Në “Durrësin e mozaikëve” ka dalë edhe një herë tjetër në dritë, një mozaik tepër i rrallë, që mendohet se daton në shek. I të e.s.
Ky është mozaiku i Meandrit, dikur dyshemeja luksoze e një banese antike, që prej vitesh ishte zhytur në ujërat e zeza të pallatit, në nëntokën e të cilit u zbulua.
Me nisjen e punimeve për riforcimin e pallatit shumëkatësh të dëmtuar nga tërmeti në lagjen nr.11 të Durrësit, pati shpresë edhe për mozaikun me një moshë rreth 1900-vjeçare.
Tesktin e plotë mund ta lexoni KËTU:
ObserverKult