Zbulohet vendi i shenjtë, besohet se ishte “banesa e fundit” e Romulit

Një varr i lashtë, që besohet se ishte edhe “banesa e fundit” e mbretit legjendar të Romës, Romulit, është zbuluar për publikun për herë të parë përmes fotografive. Edhe pse specialistët konfirmuan se nuk bëhet fjalë për varrin e themeluesit të qytetit “të përjetshëm”, ata thanë se objekti, i cili daton në shekullin VI para erës sonë, ishte një varr ku romakët e lashtë adhuronin kultin e tij.

“Nuk bëhet fjalë për varrin e Romulit, por më tepër për një vend ku kulti i tij festohej”, thotë Alfonsina Russo, drejtore e Parkut Arkeologjik të Koloseut. Megjithatë, kur pyetet nga gazetarët nëse Romuli ka ekzistuar vërtet, ajo thotë: “Sigurisht që legjendat kanë një bazë të vërtetë dhe unë jam e bindur që qyteti ka një themelues. Ky është një zbulim i rëndësishëm sepse u rizbulua pas 120 vitesh. Është një emocion i madh”. Për momentin vendi nuk mund të vizitohet nga njerëzit, për shkak të punimeve, që pritet të vazhdojnë edhe për 2 ose 3 vite, sipas Russos.

Varri u zbulua në zonën e Forumit Roman, por brenda tij nuk u gjetën kocka apo ndonjë mbishkrim për të vërtetuar teorinë se ishte zbuluar varri i Mbretit themelues.

Sipas legjendës, Romuli dhe vëllai i tij Remi mendohet se kanë lidhje me princin trojan Enea, por edhe Perëndinë romake të luftës, Marsin. Kur lindën, Amuliu, një rival i gjyshit të tyre, mbret i Alba Longa, një qytet i lashtë në zonën e Lacios, mori fronin dhe urdhëroi që dy binjakët të hidheshin në lumin Tiber.

Legjenda thotë se ata u gjetën nga një ujkonjë që i ushqeu me qumështin e saj. Kur u rritën ata zbuluan të vërtetën dhe rrëzuan Amuliun për të rivendosur në fron gjyshin e tyre Numiutor. Më pas vendosën të themelonin një qytet të ri, por pas një konflikti Remi vdiq, i vrarë nga i vëllai, Romuli, ose ndjekësit e tij.

Vdekja e tij mbetet mister, sikurse edhe themelimi i qytetit të ri, Romës. Romuli mendohet se udhëhoqi si Mbret për 37 vite, deri sa u zhduk papritur. Sipas legjendës ai u vra nga senatorët. Një version thotë se trupi i tij u gjymtua ndërsa një tjetër se u ngrit në parajsë falë Marsit.