“Zef Deda në spital psikiatrik”, Juli rrëfen për herë të parë për të atin

Aktori Julian Deda, i ftuar në “S’e Luan Topi”, ka bërë një rrëfim emocional për sfidat para viteve ’90 të njeriut të tij të shtrenjtë, të atit Zef Deda, kur ai pati një problem shëndetësor me këmbën.

I pyetur nga gazetarja Erjona Rusi rreth kësaj çështje, Juli tregon se megjithëse vuante nga këmba, regjimi monist i asokohe e trajtoi Zef Dedën me medikamente për të sëmurë psikik. Këtë e bënë nga frika se mos arratisej jashtë vendit.

“Më herët kam qenë 5 apo 6 vjeç, sepse nuk e mbaj mend mirë… Im atë u sëmur dhe rrinte shumë në shtëpi. Nuk doli më në televizor për një vit. Pastaj iku me kurime jashtë një herë në Vjenë dhe më pas në Hungari. Ne ishim vetëm me mamin.

Mendja na rrinte gjithmonë atje dhe kjo ishte periudha më e vështirë e jetës tonë sepse ai dëmtim që kishte në këmbë. Në atë kohë shërimi nuk mund të bëhej në Shqipëri dhe mund t’i merrte edhe jetën.

Konjukturat e asokohe e çuan në spital, madje e kuruan edhe për të sëmurë psikik. Sepse thoshin që ‘ky bën kështu sepse do të dalë jashtë shtetit. Do të arratiset ky aktori dhe shtiret sikur i dhemb këmba’. Ata mendonin se donte të ikte, pasi problemi që kishte në këmbë ishte ende i panjohur e i pakurueshëm për mjekësinë këtu te ne.

Në fakt ai kishte thjesht këmbën dhe e nisën atëherë jashtë vendit kur e panë që nuk doli në televizor natën e Vitit të Ri. Dhe po të mos dilje në televizor natën e Vitit të Ri, për një aktor, kishe probleme.

Kur nuk doli u shqetësua Byroja politike. Thanë, po ku është ky aktori. Sepse atëherë nuk ishte si tani që mund të mos dalësh nga 4 vite në skenë dhe s’kujtohet njeri për ty. Atëherë kujtoheshin.

Pyetën ku është ky? Dhe iu thanë që është keq nga këmba në shtëpi. Pastaj e dërguan në Hungari. Dhe madje edhe atje me diagnozën i sëmurë psikik. Derisa mjekët e vunë re vetë se çfarë kishte dhe e kuruan”- tha Jul Deda.

ObserverKult


Lexo edhe:

S’E KAM DASHUR KURRË AKTRIMIN, POR…”/ RRËFEHET JULIAN DEDA: VAZHDOJNË TË MË QUAJNË ‘ÇUNI I ZEFIT’