Zef Skiroi, u lind në Hora të Arbëreshëve më 10 gusht 1865, ka vdekur në Napoli, 17 shkurt 1927. Zefi ishte poet, gjuhëtar, folklorist, etnograf, dhe publicist i shquar arbëresh.
Atdhetar i madh shqiptar, dijetar dhe koleksionist i traditave poetike arbëreshe, profesor i parë dhe kryetari i gjuhës shqipe dhe letërsisë në Institutin Oriental të Napolit. Ndër shkrimtarët më të mëdhenj shqiptar, ai është përfaqësuesi më i traditave arbëreshe letrare dhe kulturore të Sicilisë, të cilët lënë një dalje të gjerë letrare, transmeton ‘konica.al’.
Në poemën Mino, të cilën Zef Skiroi e shkroi në fund të jetës e të krijimtarisë së tij, autori këndon e vajton vrasjen e djalit të tij Minos, nga vendasit arbëresh të Pianës me 1920. Mino mbahet si kryevepra poetike e Skiroit për ndërtimin e rrallë formal dhe poetik si dhe për shprehjen aq personale e të fuqishme të ndjenjave e të dhimbjes së tij. Mino krahas cilësimit si elegji për djalin, cilësohet edhe si elegji apo traktat për jetën njerëzore në rrethanat arbëreshe – shqiptare.
Më poshtë gjeni pjesë të shkëputura nga kjo poemë:
Mino
…Lëvdohu, o Pjanë, se nga të gjitha u ndave,
ç’janë arbëresh e të huaj katunde,
një trim të njomë dhe të lidhur e vrave,
ndonëse zemrën e tij aspak s’e tunde.
Thellë e më thellë në baltë ti shkave
dhe në të hiqte në ligësi ti munde
aq sa fitove nam ngado ka jetë
se prej vrasësish je mallkuar shpellë.
………………………………………………………
Me dashuri të madhe t’bëra kezë
e ti më dhe prej gjembash një kurorë,
me penj ari, nga malli për ty ndezë,
një napë të qëndisa me këtë dorë,
po ma shpagove më cohën e zezë,
për nder tënd s’pyeta as vapë, as borë
e ti s’më ndjeve, s’më pe kurrsesi,
aq shumë të desha e djalin ma vrave ti.
………………………………………………………
O Mirditas, o burra e ku ishit ju?
Të më ndodheshit s’do isha kështu!
I madh ky ngashërim, bir që më mbyt,
e madhe gozhda që në gji m’u fut
dhe në i parrëfyeshëm fat i yt
për këngë trimërie këngëtarin lut,
po të lëvdoj me nyje vaji në fyt
e kënga brengën time aspak s’e zbut
se për nder tënd e ndritura lëvdatë
atdhetarin gëzon, po shtyp një atë.
………………………………………………………
Vërtetë më shtyp, po më bën krenar
sepse trima si ti ndesh shumë rrallë,
se ti, romak, dhe gjithashtu shqiptar
së vjetrës derë që kurrë s’pat të sharë,
lavdinë i shtove kur re fitimtar;
kur për atdhe ti dhe jetën e shtrenjtë
mbështjellë me flamurin t’liris së shenjtë.
Pa lëvizur nga vendi, e mjera nënë
as flet, as qan, s’përgjigjet e s’rënkon,
në faqe e zbehtë si një dimërore hënë
kur i borës savani dheun mbulon,
me sy hapur, po me perde zënë,
zbrazësinë vëren e asgjë s’shikon,
po herë-herë ngjethet dhe fshan:
“O bir, o djali im, pse të vranë?”
Si zogj që trimbi shkreptinë në re
kur shkrep stuhia me rrëmbim në maj
e bashkë me t’ëmën dridhen në fole
ashtu të vegjëlit rrinë pranë saj,
gjëma e papritur të flasin s’i le
e nuk guxojnë as të shkrihen në vaj,
s’guxojnë as të pyesin për atë vëlla,
po në heshtje brengën zemrën ua ha.
Seç i shkulë flokët e shpleksur të bardhë
gjyshja plakë, vajton e thotë: “O bir,
dy herë bir e si m’u nise vallë
në atë udhë që ndiqet me pahir
e të përpinë ty gropa me baltë
e jo mua që të prehem kam dëshirë
nuk deshi Zoti e të rrëmbeu në qiell,
si një stuhi që gjithësinë mbështjell.
Dhe unë vet them: Ju që më vini
për kryeshëndoshë e të më ngushëlloni
ju faleminderit me zemër, të dlirë,
po fjalë të më zbusni mos kërkoni,
vetëm ju lutem, po qe se e dini
mos më fshihni dhe hapur të më thoni:
Ç’faj i pata fshatit vallë unë i ngrati,
që zemrën ma këputi e dhimbje s’pati?
Ç’i bëra Pjanës që ashtu m’paguan?
…Me punë e jo me dokrra e nderove.
Ç’i bëra Pjanës që ashtu më gjuan?
…Nga armiqtë e saj e mbrojte dhe
Ç’i bëra Pjanës që haren’ më shuan?
…Të kishe dritë e mirësi u mundove.
Nga të Pianës tim bir, pra, pse e vranë?
…E vranë të liqtë, por të mirët e qajnë.