Laureta Hajrullahu, Shkamb Jaka dhe Brilant Milazimi janë tre finalistët e çmimit “Artistës e së nesërmes”, ka konfirmuar përmes një komunikate për media Stacion – Qendra për Art Bashkëkohor Prishtinë.
“Kemi kënaqësinë t’ju njoftojmë se tre finalistët çmimit “Artistët e së nesërmes” 2020 janë Laureta Hajrullahu, Shkamb Jaka dhe Brilant Milazimi”, thuhet në njoftim.
Juria e çmimit “Artistët e së nesërmes” 2020, e përbërë nga Anne Barlow, drejtore e TATE St Ives, Britani e Madhe, Qëndresë Deda, artiste, fituese e çmimit “Artistët e së nesërmes” 2018, Flaka Haliti, artiste, Adam Kleinman, kurator i pavarur dhe shkrimtar, si dhe kurator rajonal për Amerikën Veriore në Fondacionin Kadist Art, dhe Nebojsha Milikiq, punëtor kulturor dhe menaxher, hulumtues dhe aktivist që punon në Beograd, ka zgjedhur tre finalistët e çmimit “Artistët e së nesërmes” 2020.
“Ne anëtarët e jurisë të çmimit “Artistët e së nesërmes” 2020 kemi pasur kënaqësinë për të shqyrtuar 8 aplikacionet e pranuara nga artistët nga Kosova të cilët kanë aplikuar në konkursin e këtij viti. Juria së pari i falënderon të gjithë artistët të cilët kanë aplikuar për këtë çmim, për kujdesin dhe konsideratën e tyre në përgatitjen e dokumentacionit për pjesëmarrje. Pas diskutimeve të gjata, juria ka zgjedhur tre finalistë bazuar në propozimet e tyre premtuese dhe punën ekzistuese”, thuhet në njoftim.
Juria zgjodhi Laureta Hajrullahun për qasjen e saj poetike ndaj çështjeve kritike të kohës sonë – si marrëdhëniet midis jetës sintetike dhe organike, natyrës dhe civilizimit, dhe qenieve njerëzore dhe teknologjisë – dhe konsideratën se çka sfidat shoqërore ose realitetet e reja që ato i sjellin. Në punën e saj, Hajrullahu i sheh mediat digjitale si tipar përcaktues të jetës bashkëkohore dhe mjet me të cilin mund të zbërthehen kufijtë midis botës fizike dhe asaj virtuale.
Finalisti i dytë është Shkamb Jaka, pikturat e të cilit me forma abstrakte dhe figurative përmbajnë imazhe të koduara që kanë të bëjnë me përvoja reale ose të imagjinuara, ose ato që ai i konsideron si “në mes”. Juria ishte e interesuar për procesin artistik të Jakës që përfshin dekonstruktimin e sjelljeve njerëzore dhe mënyrën e të menduarit dhe më pas “ri-materializimin” e tyre, kryesisht përmes mediumit të pikturës dhe së fundmi, me një masë humori, në film.
Kurse finalisti i tretë është Brilant Milazimi, pikturat figurative të të cilit duken edhe të afërta dhe të frikshme në përshkrimin e tyre të formave të zgjatura njerëzore brenda një hapësire të papërcaktuar ose disi të luhatshme. Duke u bazuar në rrëfime personale dhe kolektive, puna e Milazimit pasqyron një hulumtim të vazhdueshëm të zhvillimit shoqëror dhe politik të shoqërisë civile në Kosovë dhe asaj që ai e sheh si një “psikologji shoqërore” më të madhe të formuar nga sfidat rreth lirisë së shprehjes dhe lëvizshmërisë, transmeton ‘koha.net’.
“Si juri, të gjithë jemi të ngazëllyer për të parë se çfarë do të krijojnë këta tre finalistë për ekspozitën e finalistëve në Stacion – Qendra për Art Bashkëkohor Prishtinë dhe presim me padurim të shohim punën e tyre në dhjetor kur Juria do të takohet për të zgjedhur fituesin e Çmimit ‘Artistët e Nesërmes’ 2020”, thuhet në njoftim.
Fituesi i çmimit “Artistët e së nesërmes” 2020 do të shpallet me 11 dhjetor 2020 në Klubin e Boksit në Prishtinë, në mbylljen e ekspozitës së finalistëve të “Artistët e së nesërmes” 2020.