“Zgjoi” i regjisores nga Kosova Blerta Basholli, pjesë e “SunDance Film Festival 2021”

Regjisorja e re nga Kosova Blerta Basholli është bërë pjesë e Festivalit “SundanceFilm Festival 2021”

Produksioni i regjisores Blerta Basholli “ZGJOI” është gjithashtu edhe produksioni i saj i parë me metrazh të gjatë dhe një ndër të paktët filma kosovarë që është përzgjedhur këtë vit për të përfaqësuar vendin në kompeticione të rëndësishëm ndërkombëtare.

Regjisorja e sjell këtë produkt pas disa përvojave që ajo ka pasur në kinematografi me filma me metrazh të shkurtër.

Ajo në këtë film është munduar që të sjellë për publikun kombëtar dhe ndërkombëtar një pjesë të realitetit kosovar gjatë periudhës së vështirë që vendi ka pasur në periudhën e luftës me Serbinë, por edhe periudhën e pasluftës.

Sikurse personazhi kryesor në këtë produksion që është një grua, ajo ka dashur të sjell në fokus jetën e të gjitha grave të tjera dhe vuajtjet që kanë kaluar. Megjithatë ato gjejnë sërish forcën për t’u ringritur dhe për t’u bërë sërish të suksesshme.

Subjekti ka pjesë të rëndësishme edhe periudhën e ringritjes së Kosovës pas luftës ku edhe populli i Kosovës u përball me shumë sfida për t’u ringritur, por pavarësishtë të gjithave mentaliteti i shoqërisë ishte shume i papërgatitur që gratë të forcoheshin dhe ndonjëherë ky mentalitet kthehej në një sfidë për to.

“Nga kritika dhe distributorët ndërkombëtarë filmi është vlerësuar jashtëzakonisht shumë sepse filmi arrin të komunikojë mjaft mirë me publikun dhe se aktorët e përfshirë në këtë projekt janë vlerësuar shumë për lojën profesionale aktoriale”, u shpreh regjisorja Blerta Basholli./ATSH