Zhvendosja e realitetit dhe rrënimi i pushtetit të dijes

Ne asgjë nuk besojmë më shumë se në atë për të cilën dimë më pak”, shkruante filozofi francez Michel de Montaigne, duke paralajmëruar zhvendosjen e realitetit dhe fakteve, me qëllim që gjykimet të jenë sa më emocionale.

Nga Agim Baçi

Situata aktuale lidhur me komunikimin tregon se Montaigne kishte të drejtë në atë që do të pasonte në botën e sotme të teknologjisë dhe gjithologjisë së debatit, ku ka shumë emocion dhe pak analizë mbi fakte. Madje, ne jetojmë në atë që sociologu francez Guy Debord e cilësonte “zhvendosje realiteti”, ku në debate nuk kërkohen fakte, por vetëm shkëmbime emocionale. Sipas Debord, në kulmin e shoqërisë së spektaklit është një vetëlavdërim që sistemi bën për vetveten, duke përfshirë edhe sistemin qeverisës që nuk debaton më mbi faktet apo mbi atë çfarë ka premtuar në fushata, por e zhvendos debatin vetëm mbi kundërshtarin politik, që gjithçka të jetë vetëm emocionale.

Po cilat janë pasojat e kësaj zhvendosjeje të realitetit në përditshmërinë tonë? Çfarë humbim, kur pa fakte debatojmë emocionalisht dhe me opinione vetëm të hamendësuara? Sociologë të ndryshëm të fushës së komunikimit shprehen se në çastin që realiteti zhvendoset dhe në vend të realitetit hyjnë vetëm opinionet, devijimi i shoqërisë nga çështjet e vërteta dhe të drejta është shumë më i lehtë nga ata që duan të dominojnë jetën politike dhe sociale. Fytyra më e qartë e shoqërisë së spektaklit, shprehet Debord, është pasiviteti i qytetarëve. Kjo, për faktin se mungon dialogu dhe njeriu është nën pushtetin e imagjinares që i ka zënë vendin realitetit dhe që prodhon në emër të tij. Duke notuar në një mungesë të thellë të dialogut, por njëkohësisht edhe në pushtetin suprem të autoritetit që shfaq bota e spektaklit, shoqëria humb sensin e diskutimeve reale.

Dhe, për pasojë, sot nuk ka fushë të shoqërisë që të mos gjesh kufij të diskutueshëm e për pasojë, të dyshueshëm, mes spektaklit dhe fakteve, duke bërë që të mos ketë më asnjë kufi të qartë. Për këdo që sheh sot shumë TV apo që ndjek rrjete sociale, është tejet e vështirë të dallohet jo vetëm qëllimi i debatit, por edhe se nga cila anë anojnë faktet dhe e drejta. E mbështjellë me emocion, e gjithë kultura e debatit e lë realitetin në periferi, duke i zhytur qytetarët kështu në një individualitet edhe më të thellë e njëkohësisht, edhe në një largim më të skajshëm nga debati me njëri-tjetrin.

Kjo situatë e monologut dhe spektaklit, larg debatit dhe fakteve reale, vuri kohët e fundit në diskutim të madh edhe zgjedhjet në universitete. Humbja e pushtetit të dijes në përditshmërinë tonë dhe vënia përballë një shoqërie që nuk përdor faktet, por opinionet, i ka bërë përfaqësuesit e profesoratit që të humbin një pjesë të madhe autoritetit të tyre e për pasojë, edhe edukimi i fëmijëve rrezikon të mbetet në një kryqëzim të rrezikshëm dyzimesh e dyshimesh.

Kjo, edhe për vetë faktin se profesorati është përfshirë prej kohësh në botën e spektaklit, duke besuar se aty do gjente shtigje për të rikonfirmuar më mirë vetveten. Por ky ndoshta ishte edhe gabimi i tyre më i madh, pasi spektakli është monolog dhe si i tillë, asnjë lloj shfaqje nuk do të kishte në thelb qëllimin për më shumë pushtet të dijes. Dhe sot, thuajse të gjithë e dimë se profesorati ka humbur sot mundësinë te jetë udhëheqës i debatit mbi të sotmen dhe ardhmen. Për të shmangur një humnerë të mëtejshme të asaj që sjell një shoqëri e zhytur në spektakël, është e rëndësishme që të rikthejmë dialogun në komunitet, duke nisur sidomos nga arsimi, nga një rishikim i plotë i mësimdhënies dhe mësimnxënies.

Pa dyshim që situata e sotme e shkaktuar nga Covid-19 e bën edhe më të vështirë dialogun, por kjo nuk do të thotë se nuk gjenden rrugë ku të shmanget monologu vetëlavdërues e të debatohet me fakte. Ne duhet të gjejmë rrugët për të mos mbetur peng të çmendurisë së spektaklit. Për këtë na duhet të rishohim udhët që na çojnë te njëri-tjetri jo me monolog, me një dialog të hapur. Ndoshta është koha që ata që kanë lidhje më shumë me të përhershmen, të gjejnë fort rrugët e së tanishmes, që të mos mbetemi peng i thjeshtë i asaj që gatuhet si vetëlavdërim, por si përgjegjësi.