Zhvillohet edicioni XI i “Festivalit Folklorik” në Lezhë

Në qytetin e Lezhës u zhvillua Festivali Folklorik Tipologjik Kombëtar i Rapsodëve dhe Instrumentistëve Popullorë.

Edicioni i 11-të i këtij festivali bëri bashkë në vendvarrimin e Gjergj Kastriotit Skënderbeut në Lezhë, rapsod dhe instrumentistë nga qytete të ndryshme të Shqipërisë të cilët shpalosën vlerat artistike të trevave të tyre.

Për shkak të situatës së pandemisë bashkia e Lezhës u kujdes që ky event të zhvillohej në ambient të hapur pra në vendvarrimin e Skënderbeut duke respektuar protokollet e sigurisë antiCovid për të ruajtur shëndetin e artistëve dhe spektatorëve.

“Festivali Folklorik Tipologjik Kombëtar i Rapsodëve dhe Instrumentistëve Popullorë” është e vetmja veprimtari e cila i kushtohet tërësisht muzikës së bartësve dhe rapsodëve tanë, që interpretojnë duke kënduar me lahutë, lahuri, çifteli apo shkarki.

Edicioni XI u organizua nën kujdesin e Ministrisë së Kulturës, Qendrës Kombëtare të Veprimtarive Tradicionale dhe nga Bashkia Lezhë./ATSH