Zija Çela: Ah, fytyrën mund ta futësh madje në thes, por turpi të ndjek edhe mbasi vdes!

zija çela

Ku fillon turpi…

Nga Zija Çela

Ngjarja e rëndë ndodhi në Pukë, më tha, atje m’u nxi faqja. Por nami më paska mbërritur deri në Himarë. Po vërej se disa njerëz më shohin shtrembër, ngaqë ma kanë parë surratin në ekran. Ah, gjithë fajin e kanë mediat! u ankua me ofshamë.

Jo, jo, ia ktheva, turpi nuk nis as ku mendon ti, as si mendon ti. E di ku fillon? e pyeta. Turpi fillon nga Uni i secilit. A po më dëgjon, nga Un-i. E kjo do të thotë ta kthesh qysh në fillesë gishtin ndryshe dhe të ulërish nga brenda: “Më vjen turp nga vetja!”

Po ta kishe patur këtë ndjenjë turpërimi e ndalese, vazhdova, ajo ngjarje nuk do të ndodhte dhe s’do të kishte media që t’ia hapte rrugën faqes së zezë nga Puka në Himarë, apo nga Himara në Pukë. Po, po, nga vetja, nga vetja fillon turpërimi.

Nuk besoj se e binda, por në fund më kërkoi të merrte dy gisht krem, për ta mbrojtur fytyrën nga dielli. Më shkoi mendja se ndoshta nuk donte t’i nxihej më tepër.

Ah, fytyrën mund ta futësh madje në thes, por turpi të ndjek edhe mbasi vdes!

ObserverKult


Lexo edhe:

ZIJA ÇELA: UNË DO TË VUAJ, SEPSE E KAM TË VËSHTIRË TA PRANOJ NDARJEN