Ballsor Hoxha: Tri episode brenda kornizës

ballsor hoxha

Çudi shpërhapjeje të së brendshmes, pa ty

Po e shikoja, derisa e rrotulloja në dorë tapën e kristaltë të shishes së uthullës, reflektimi dhe thyerja e dritës në këndet e saj, një e kuqe dhe rozë e fshehtë nëpër to ngacmonte atë pak gëzim të mbetur në këndet e trurit tim. Siç ndodh, m’u kujtua gjëja më interesante në 24 orët e fundit nën tejndriçimet e reflektimit të dritës. Ishte një ëndërr, ëndërr e qartë e kuptueshme dhe me këtë më se e vërtetë: axha i ndjerë më kishte përqafuar derisa po përshëndesja disa njerëz, po hyja dikund dhe tani ata ishin shpërbërë me ëndrrën bashkë. Më përqafonte dhe ndieja butësinë e stomakut të tij mbështetur për mua, ndieja vërshimën, ngrohtësinë e gjakut krijuar nga emocionet e atij përqafimi. Ka kohë që ka vdekur, isha i mërzitur. Diçka që donte vëmendjen time dhe më habiste ishte ngjyra e gjelbër ushtarake e rrobave të tij. Kishte të veshur një rrollkë leshi të trashë dhe ishte tamam, në çdo gjë dhe si gjithëherë.

Përqafimi i tij aq sa ishte i ngrohtë aq ishte edhe i çuditshëm, ndihesha shumë i vogël përskaj asaj ngjyre të rrobave të tij, ndaj atij stomaku.

Derisa e rrotulloj tapën e shishes së uthullës në dorë ndiej një peshë prapa. Nuk më rëndon, më shtrëngon. E lë tapën, ngadalë, paksa i frikësuar. Ndiej fijet e leshta të xhemperit të gjelbër duke më prekur. Së pari gjerbi kafen, ngadalë, qetë. Pastaj kthehem prapa, ngadalë, kah ana e murit. Prapa janë tre burra që rrinë në një tavolinë. Flasin, çdo gjë është e zakonshme, fjalët e tyre përpëliten në hapësirë. Televizori plazma, është i varur mbi ta, muzika rrjedh si burim, duke thyer në zë fizik hapësirën brenda restorantit ngjyrë pjeshke të errët paksa, që duket si brendi e një organizmi. Plafoni, vërej, është i lartë, gjë që bën tingullimën e muzikës të zdeshur, i tërë ambienti është i zdeshur. Është hapësirë e plakur disi dhe shtylla në mes që e ndan pjesën për ngrënie dhe atë për kafe, ku gjendem unë, është si hundë e trashë, pa plan, e hapësirës.

Por kur kthej kokën prapa, vërej, duke shikuar jashtë derës tani – tërë bota është në lëvizje, vërej se të tre burrat kishin të veshur bluza të kuqe. Në rrugë ndalet, dhe klith, industrialisht, një autobus urban i ndalur në semafor, pastaj vërej se të tre janë qosë, çela. Në të vërtetë njëri nuk kishte flokë fare, tjetri kishte një tufë si fushë bari në fund të muajit gusht prapa kokës, dhe i treti i kishte të rruara, si duke mos mundur të shfaqte flokë në atë shoqëri. Çelet e tyre ishin të kuqe, mjaft të kuqe, reflektuar në ata e kuqja e tri bluzave të kuqe të tyre.

E marr prapë tapën, shndrit në këndet e saj duke goditur ‘spuntat’ e mendjes sime. Kruhem qafës, fijet e leshit të xhemperit të axhës më gërrithin. Lëvizi në karrige, ndiej nevojë për të ndjerë organin mes këmbëve dhe e shquaj, ndjesisht, prehërin e axhës. Është brendësi, i tërë ambienti, megjithë plafonin e lartë paarritshëm, nga prehëri ku qëndroj, i pa ty. Prapë më gërrith leshi. Më vjen në mendje përnjëherë se mbi tavolinën e bluzëkuqëve qosë është një lavatriqe, mini, rozë.

Kthehem, duke ndier prehërin e axhës, shikoj prapë, të tre shikojnë, kanë shikim të humbur, në çele duke reflektuar e kuqja e bluzave të tyre. Nga TV-ja rrjedh, buron, muzika, megjithë kërcimet tingullore rinore, rrjedhë e njëtrajtshme. Kthej kokën dhe shikoj jashtë përmes vitrinës, autobusi me linjë të verdhë baltosur, ka ikur. Duket një reklamë – play 4 win – në ndërtesën përballë, tani.

Në të vërtetë zëri, zhurma e bardhë, e lavatriqes rozë është duke e shpëlarë ambientin. Pjeshka e mureve ngadalë zbutet dhe thellohet, zbutet dhe thellohet. Zbutet dhe prehëri, ndiej tulat e këmbëve të axhës së ndjerë dhe në të njëjtën kohë grith më shumë xhemperi i tij, mu në qafë.

– E kemi blerë në Shkup  – thotë qosa pa flokë, derisa më sheh duke shikuar si fëmijë jetim. Dhe ajo punon, punon, nganjëherë dhe dridhet nga pesha e asaj që rrotullon, shpëlan dhe shtrydh.

– Emocionet – them unë, duke ndier afri me ta, i habitur.

Askush nuk përgjigjet. Janë të humbur në njëtrajtshmërinë e zërit të saj, të vënë në trans butë dhe pastër.

Kthehem në vendin tim. Por megjithatë vendos të flas me ta edhe njëherë.

– Emocionet tona po i shpëlan – them guximshëm. Me zë më të ngritur.

– Detyrat, obligimet tona – thotë njëri nga çelat, nuk e dalloj janë aq të njëjtë, – Për të mos u dhënë. Jashtë kornizave, të gjithave: martesore, shtetërore, kohore, njerëzore. E kemi blerë bashkërisht, në Shkup – thotë ai njëtrajtshëm si qenie e shtrydhur nga çdo e thithur e tepërt, shkumë frekuentimesh fizike dhe emocionale. Një klithmë autobusi vjen nga jashtë, një tjetër autobus.

Ndiej butësinë e karriges, derisa kthehem në pozitën time, i informuar. Një autobus tjetër pret, si duket në semafor, jashtë në rrugë. Është i rëndë si axha para vdekjes. Është pasdite pranverore Prishtine, e shtrëngueshme. Hunda, shtylla në mes hapësirës është e butë, e vijëzuar. Ambienti, rrjedh, rrjedh, frymon, është i butë.

Kërkoj të grrithurat në qafë, por ndiej se lëkura aty më është shqyer, djeg. Tapa me kënde magjike, e tejdukshme tani, pa axhën, është e frikshme. Kthehem prapa, s’e kuptoj, është qetësi, bluzëkuqët qosë nuk janë aty. Nuk e di nëse kanë qenë apo jo ata aty. Tërë ambienti është sforcuar në të përditshmen e vet, ndiej sikur të kem qenë i fundosur në brendësinë e diçkaje të pandashme.

Shpërhapje e jashtme me dorë të huaj shpërthyer murin

10:57 e mbrëmjes. Këmbët e bukura veshur në çorape femrash ngjyrë vjollcë, me fije vezulluese të holla mbi, të hapura në ndarjen në mes trapezarisë dhe dhomës së ditës. Është e veshur me sako dhe mini fund të zi të thellueshëm dhe nën i ka çorapet vjollcë. Është qetësi gjumi, është 10:58 tani. Tingëllima e ecjes, zhvillimit të orës, kohës, përplaset për muret e zdeshura të dhomës. Janë të bardhë brenda errësirës, shquhen nga ndriçimi që ‘rri’ brenda kësaj errësire i televizorit të ndezur. Rri dhe ajo, këmbët hapur, vithet e bukura duke iu shquar nga minifundi. Ndriçimi i TV-së qarkullon mbi fijet vezulluese të çorapeve të saj vjollcë.

Dhomëzimi i natës thyhet nga frymëmarrja e saj, dymendësia.

Më në fund vendos të ulet në ngrohësen në kënd të dhomës. E rregullon sakon, e ulur, dhe vetullat e ngritura, çëmton. Duket sikur çëmton pamjet që zhvillohen në TV, por, tani çëmton thonjtë. Tingullima e këtij veprimi e tensionon copën e natës brenda banesës, e brenda saj është Mjedra. Vetullat i hollohen dhe ngrihen edhe më lartë.

Hyjnë, brenda banesës pamje të televizionit të ndezur. Në të vërtetë ndodh një aksident në tv: vetura që ndiqet, e verdhë, duke therur qetësinë e errësirës në banesë, godet trapin e një veture, humb drejtimin dhe godet një cisternë. Dhoma ndritet nga eksplodimi i cisternës dhe dëgjohen vetëm tingujt e orës. Depërton brenda dhomës reflektimi i zjarrit. Mjedra çëmton thonjtë dhe dëgjohet kërcitja e tyre. Dëgjohet dhe zhvillimi i kohës, përplaset në mure ecja e kohës. Eksplodimi zgjat në TV. Shquhet vitrina e zezë përballë saj. Brenda kutizave të vitrinës errësira, paluar mbi to, shquan dekorimet e imta të bukura.

Eksplodojnë dhe vetura të tjera përreth, si në filma, afër është dhe një pompë benzine dhe ajo eksplodon.

Mjedra shikon poshtë, intriguar, dhe vëren reflektimin e flakës nëpër fijet vezulluese të çorapeve të saj vjollcë. Janë të gjalla, qarkullojnë ndriçimin nëpër to dhe duken si kanale. Nuk i bën përshtypje kjo. Çëmton thonjtë dhe lëkura i tkurret nga mbizotërimi i thellësisë së hapësirës.

Ngrihet nga ngrohësja dhe e hap derën e ballkonit. Ndërtesat janë si të mbledhura kruspull në përshkëllimën e reve parapranverore. Dhe drita dhe çdo gjë është e topitur brenda hapësirës që shihet. Dëgjohet rrjedhja e kanalizimit përfundi ballkonit. Mjedra shikon lart duke u mbajtur për parmakë. Pas pak, duke shikuar lart, fillon të shquajë forma resh. Janë si eksplodime të mbytura, mendon e ndikuar nga ajo që ka parë në TV. Pastaj, duke i shquar dhe më tutje format e reve, i duken si gjinj. Varen për poshtë si gjinj. Janë aq afër, mundet dhe t’i prekë. Zgjat dorën për t’i kapur dhe e habitur i duket se ka kapur flokë dredha. Shikon tutje, prapë janë cica të stërmëdha të gufuara, eksploduara. Botë e vogël.

Nata ndarë nëpër banesa tenton, vazhdueshëm, si organizëm të lidhet si e tërë.

E çuditur, Mjedra e mbyll derën e ballkonit me rrëmbim, kalon përskaj TV-së, plazma, harron ta ndalë, kalon përskaj lavatriqes që i duket tepër e madhe, gjigante dhe hyn në dhomën e fjetjes. Në murin e bardhë përballë, mes krevatit të fjetjes dhe ormanit, aty mbi komodinën me llambën mbi, aty kah mesi i lartësisë, derisa zhvillimi i mekanizmit të orës në dhomë të fjetjes tingëllon mekanikisht, mu aty afër shtratit është, një krah, shpërthyer murin nga jashtë. Nuk ka të çara as rënie të ngjyrës nga depërtimi, është krah i gjatë mashkulli muskuloz prej bicepsit e deri në gishtërinj, gishtërinjtë i ka të hapur paksa. Ndien një paralizim të zbehtë, shpirtërisht, nga çudia. I duket vetja e pandihmë. Nga ndriçimi i dritave prej televizionit të ndezur, shquhet bicepsi, muskulatura e krahut. E habitur, është hyrë dy-tre hapa brenda dhomës së fjetjes.

Pastaj, vendos, afrohet te llamba që gjendet nën krah dhe e ndez. Shikon edhe njëherë, nën ndriçimin e llambës, lëkura e krahut bëhet edhe më e gjallë. Hyn brenda prej sqetullave e deri te gishtërinjtë rri e depërtuar brenda dhomës së fjetjes. Në anën tjetër, bëhet e vëmendshme, nën ndriçimin e llambës, fryhet dhe shfryhet, fryhet dhe shfryhet një stomak. Nuk është i madh, por është i plotë. Ndien afri ndaj tij, sidomos nën ndikimin e krahut që rri varur në muri. Dhe e heq sakon, ngadalë, pastaj minifundin dhe çorapet që vezullojnë nën dritën e llambës. Zhveshja dhe lëvizjet e saj e shprishin rregullin e hapësirës nën tingullimën e kohës. Zhvishet në brekë dhe hap jorganin, është ende ftohtë dhe shtrihet pranë stomakut. Dhe fik llambën.

Dhoma është me muret e bardha, shtratin që zë shumicën e hapësirës së dhomës së fjetjes, dhe anash krahu, lakuriq dhe muskuloz. Ashtu i shfaqet kur mbyll sytë, derisa dëgjon frymëmarrjen e barkut, të fjetur me xhemper përskaj.

Parakornizim

– Çka po mendon? – pyet ai, bluza e kuqe e tij duke thithur ndriçimin e diellit të pasdites.

– Nuk e di. Çka po mendon, çka po mendon…- ia kthen ajo, por pas kësaj ndjen të jetë e dashuruar edhe mendërisht, e penetruar. Qepallat vjollcë i varen, i varen dhe krijojnë një fytyrë-figurë engjullore, sidomos me të vjollctën e habitshme.

Vetura ku gjenden është e tejshkuar nga tingujt e qershorit të kuq si qershitë, në pamjen e gjerë të fushës.

– A m’don?

Ajo nuk përgjigjet. Një karkalec, karkalitet, hyn brenda veturës. I supergjelbër, kërcen mbi tabelën treguese. Ajri si drenushë kalon nëpër trupat lakuriq të të dyve. Ajo është e shtrirë në ulësen e lëshuar dhe ai pyet:

– Çka po mendon?

Karkaleci kërcen në hundën e tij, pastaj shpejt në gjirin e saj të varur, të vogël, të përpishëm me një gojë. Pastaj karkaleci del.

– Kur nuk ka re, m’doket që ke me m’ikë, jo me ndonjë tjetër, po ke me u zhba. Gjithë t’kisha vesh me t’kuq. – Kalon pak kohë dhe pastaj ajo flet prapë – Duhesh me ia nis me mbajt nji bark të plotë. – thotë ajo ngadalë, duke ndier asnjanësinë e apatisë thellë në gojë.

Fusha me bar, zërat e natyrës dhe qielli pa asnjë re, shtrihet dhe i zvogëlon pamatshëm këta. Është parambrëmje që rrjedh e pashtrëngueshme brenda grushtit. – Tregom hala – thotë ai, i tejshkuar. – Çka po mendon?- Ajri nuk i njeh, kalon i pavetëdije.

– Krijomë – thotë ai, ndien nevojë, ndihet i shpërbërë.

Ajo s’flet, mban dorën, lehtë, mbi stomak.

– Më vjen të kthej – thotë ajo. – Po më duket sikur me pas përpi krejt çka mundet me përpi trupi jem, shpirti jem. –

-Maromë – i thotë ai.

Ajo e kap shtrëngueshëm ndërruesin e shpejtësive.

-Po m’vjellet dashuri. Po m’shfaqesh me nji bark të plotë. I kuq, po m’ik prej duarve si xhidavi.

Pamja është kufizuar vizuelisht, dëgjohen zërat e mbrëmjes, të kuq, të qershorit.

-Nisëm – thotë ajo.

Ky e nis veturën, në vozitje krijohet, marohet. Ajo e rregullon ulësen, e lëshon ngadalë marshin. Ky ndien forcën t’i formësohet brenda muskujve. Krijohet dhe e shtrëngon timonin. Ajo e nxjerr kokën jashtë dritares. Anash, janë në fund të qytetit, ka lavatriqe të hedhura. Shumë janë, tërë hapësira anash rrugës është me lavatriqe të vjetra, të hedhura, të ndryshkura.

Rrotat sillen, rrota janë, është veprim i tyre.

Arrijnë në qytet, nën dritat e reklamave vërejnë, kanë harruar të vishen. Janë lakuriq në rrugët e qytetit.

ObserverKult

Lexo edhe:

BALLSOR HOXHA: ISHTE KREJT SI DASHURIA, POR NUK ISHTE DASHURI