Dyfytyrësia është kryemaska e të gjitha maskave, ose fytyra e vërtetë e kryemaskarenjve.
Pa dëgjomë, hyjnori Zot, sa e padurueshme është dhimbja e kresë, kur sheh si te zezën e bëjnë të bardhë dhe të bardhën të zezë!
O ju, ju arrogantë hipokritë, ju që me lëpirje ia puthni (b…) dorën pushtetit, por qe mizorisht i kafshoni duart me kallo, çfarë e dini jetën, parajsën portative te pakicës dhe ferrin e përhershëm të shumicës?!..
Në hierarkitë e larta maska fiton kohë prej fishekezjarreve të lajkave, por shpesh perfundon me artilerinë e bajgave.
Poshtë, ku jeton mileti, shumëkush e blen me ca lekë, por s’e shet dot as me kacidhe, sepse duke qenë standarde për mijëra fytyra, maskën e refuzon shpejt pasqyra.
Dy fytyra një njeri… Një në rrugë e një në shtëpi, një në shtëpi – një në shoqëri, një për shoqërinë – një partinë, një në parti – një në qeveri, një në jetën reale – tjetër ajo për jetën virtuale…
Në total sot dyfytyrësia përbën sasinë më të madhe të plehrave, pasi landfill për veset as ka pasur, as ka dhe as kurrë nuk do të ketë.
Qëndrimi inaktiv ndaj veseve njerëzore nis si pajtim, pak nga pak bëhet dorëzim dhe, pa gjetur derman, kalon në ankimin qaraman.
E si shpjegohet pra që gjithmonë e gjithmonë ne vetëm ankohemi, ndërkohë që vazhdimisht e vazhdimisht vendin tonë e bëjmë pis moralisht?!..
Çfarë thotë pasqyra e kësaj dore?
ObserverKult
—————
Lexo edhe:
KUJTIMET E GJUHËTARIT BAHRI BECI: SI U SHNDËRRUA KONFERENCA E DREJTSHKRIMIT NË NJË KONGRES PARTIE