(Shënime për romanin “Banka e ankesave” të Zija Çelës)
Nga Agim Baçi
Klithma jonë e brendshme mund të arrijë kulmin e thirrjes kur fytyra e vdekjes dhe dashurisë kthehet thjesht në një proces teknik, me data, me riformulim ankese, me orar pritje, por pa “zërin e njeriut”.
Rrëfimi i Zija Çelës në romanin “Banka e ankesave” është rrezatim i një urtie dhe një elegance në përpjekjen për të identifikuar pikërisht humbjen e shpirtit njerëzor, në një botë ku mund të kesh kujdesin ndaj teje kur je për t’u ankuar, për të përmirësuar ankesën, por jo për t’u kuptuar dhe për të të kuptuar.
Rrëfim vjen përmes përshkrimit të pasojave që shkakton te ne labirinthi mekanik i burokracisë, ku njeriut i konsiderohet si procedurë jo vetëm ajo që bën dhe kërkon, por sidomos i asaj që dëshiron.
Është një botë që nuk përfill askush ndjesitë.
Por si mund të ndjehet një njeri kur e gjithë qenia e tij përfundon në shkresurina dhe ku ajo që i kërkohet është rimodelimi i ankesës?
Dorian Kasmi, personazhi që është njëkohësisht edhe zëri i rrëfimit, drejton në “Bankën e ankesave” Seksionin e Kualifikimit të Ankesave, duke na sjellë një parabolë simbolike të realizimit dhe fantastikes në përditshmërinë tonë.
Autori duket se kërkon që përmes personazhit të tij të ngrejë pyetje e cila ka nevojë për përgjigjen e gjithsecilit- çfarë i vjen në mendje gjithkujt nga ne teksa i ndodh të takojnë zyrtarë që besojnë se globi tokësor është i tëri në duart e tyre dhe se rrotullimi i përditshmërisë, i jetës apo vdekjes, i zgjidhjeve apo moszgjidhjeve varet vetëm nga dëshira apo mungesa e dëshirës së tyre për të të dhënë një përgjigje?
Ky personazh që “ka globin e mundësive në duar” vjen përmes z.Zamarin, që është nëndrejtor- pasi në një botë ku ka ankesa, në një botë ku arti i vetëm është se si të mësosh të ankohesh dhe se si të dallosh një ankesë, askush nuk mund të jetë i pari, përveç “atij”, shefit të madh, që është i vetmi që ka tagrin e “të parit” dhe “të përgjigjes përfundimtare”.
Të tjerët janë thjesht të emëruar për pak kohë, edhe pse mendojnë se janë të zotët e gjithçkaje që na duhet.
Enigma dhe pyetjet në prozën e Çelës vijnë si një ftesë përmes një dëgjimi dhe bashkëbisedimi të vëmendshëm duke ndezur brenda nesh nevojën e pashmangshme për të reflektuar përballë vetëzbulimit dhe shpleksjes së të vërtetave, përballë humbjes së fytyrës së njerëzores.
Gjetja e rrëfimit në “pakohë dhe pavend” duket si një “tabelë detyruese” për të bashkëbiseduar me veten përballë të vërtetave.
Ky bashkëbisedim me veten për atë që kemi rreth nesh bëhet edhe më i domosdoshëm kur besimi se mund t’ia dalësh kthehet në një makth, të paktën për aq kohë sa për njeriun funksionojnë vetëm tabelat e drejtimit për t’u ankuar, por jo për t’u kuptuar.
Zija Çela duket na fton në këtë rrëfim për një reflektim të thellë, për të dëgjuar zërin e arsyes, për të përqafuar vullnetin e ndryshimit.
Nuk e fsheh, por na fton hapur, duke theksuar se nuk është ankesa ajo që na sjell kuptim, por besimi ynë i brendshëm se ajo që mund të bëjë njeriu është gjithnjë më shumë se sa t’i dorëzohet burokracisë së jetës njerëzore.
*Titulli i origjinalit: “Makthi i mbretërisë së ankesave”
ObserverKult
Lexo edhe:
AGIM BAÇI: PREMTIMI I VETËM MBETET ….DASHURIA
ilit rrethim duhet t’i druhemi më shumë-atij nga armiku, atij nga hasmi, atij nga varfëria apo atij nga dashuria?
Tom Kuka këtë herë është “i zhvendosur” në Shkodër në rrëfimin ku shumëçka është nën rrethim, por jo edhe për rrahjet e duhura të zemrës.
Tekstin e plotë mund ta lexoni KËTU:
ObserverKult