Zija Çela: Po ti, o gjysh, ç’zemër ke për veten?

Nga Zija Çela

Së bashku me time shoqe kishim vajtur në Itali. Familja e Dritanit të ndjerë jetonte po në atë apartament. Një mbasdite u shtriva me fëmijët dhe, me fjalët më të thjeshta, po u tregoja përralla.

Papritur, Kevini vuri gishtin sipër kanotieres sime dhe preku cikatriçen. Pastaj, tepër kurreshtar, ma ngriti kanotieren dhe pa si zbriste ajo shenjë deri pranë stomakut.

– Çfarë është kjo, gjysh? – pyeti me gjysmë zëri.

Si t’ia bëja? Çfarë t’u thosha fëmijeve për operacionin? Unë e kisha bekuar atëhere zemrën time, që kishte duruar nëntë muaj në spital me Dritanin, më kishte lejuar t’i bëja mortin tim biri, por edhe të hidhja në letër “Për dashurinë shkruhet pas vdekjes”.

Ky libër, me hiret përkujtimore të Tanit, u përurua në krye të vitit. Pak kohë më pas përfundova në kirurgji.

Si heshta një grimë i kapur në zor prej pyetjes së beftë të vogëlushit, një frymë e mirë më ndihmoi për zgjidhen. Me fjalët të thjeshta në përralla po tregonim dhe, prapë si në përrallë, ia nisa:

Njëherë, gjyshi u sëmur dhe u desh që ilaçin t’ia hidhnin te zemra. Mbasi ia hapën gjoksin, kur gjyshi u bë më mirë, mjekët u mblodhën rreth shtratit të tij.

– Sa e çuditshme, – foli njëri prej tyre, – të gjithë njerëzit kanë një zemer, ju kishit dy.

– Dy kam, – u tha gjyshi. – Dhe e patë çfarë shkruhet aty?

– E pamë me sytë tanë, – pohoi mjeku menjëherë. – Në njërën zemër shkruhet Kevin, në zemrën tjetër shkruhet Livia.

Kur u ngritëm e po rrinim në divan, sapo Lona u kthye nga puna, Kevini nxitoi t’i jepte lajmin e gëzueshëm.

– Mami, mami, gjyshi jonë ka dy zemra! – Dhe Lona e dashtun, që e dua si bijën time, ashtu siç ishim, në çast na fotografoi.

Po tash? Tash kaq jeni rritur, sa e përfshini gjyshin me një dorë. Dhe ndryshe nga bota e përrallës, në botën reale sot ju besoni të vërtetën.

Besoni pra, siç thoni ju, se gjyshi nuk ka dy, por katër zemra. Këto dy të tjerat i ka për Oliverin e për Marsin, djemtë e Bardhylit, nipat e gjyshit nga e bija, ajo bijëza që dikur, atje në malet e veri-lindjes, e pati quajtur Riviera.

Pastaj të gjithë bini në mendime, sikur jeni duke pyetur: “Po ti, o gjysh, ç’zemër ke për veten?”

ObserverKult


Askënd më shumë nuk kam dashur. Dhe më shumë askënd nuk dua. Ndonjë ndarje tjetër s’më ka mposhtur, sa dhembja jote për mua.

Lexo edhe:

ZIJA ÇELA PËR HUMBJEN E DJALIT TË VETËM: IU DREJTOVA ZOTIT, MERRE MEQË E DASHKE KAQ SHUMË

Shkrimtari Zija Çela është rrëfyer, kohë më parë, për humbjen e djalit të tij të vetëm. Ai tregon sesi e lidhi historinë e tij me atë të Abrahamit dhe sesi iu drejtua Zotit në orët e fundit të djalit.

“Tani ka qenë, përveçse biri im, ka qenë miku im më i madh se këtë e thonë gjithë baballarët për djemtë e tyre, ka qenë shok, mik, bashkëpunëtor. Tani ka lënë libra të përkthyer nga letërsia italiane, disa kryevepra të Dino Buzatit, Paolo Kalvinos e shumë të tjerëve të cilët vazhdojë të ribotohen.

Tekstin e plotë mund ta lexoni KËTU: