Zija Çela: Shpirtrat që duhen, një ditë bëhen bashkë…

Zija Çela

KANDILI DHE ROMEO & ZHULJETA

Nga Zija Çela

Në vitin 1979 kisha botuar romanin e parë me titullin “Një verë pa lamtumirë”. E ku ta dija unë se do të kisha edhe “një vjeshtë pa lamtumirë”, por me “mirupafshim”?! Sepse, po atë vit, shkova në Kosovë me Dritëroin, në përbërje të delegacionit kur do te nënshkruhej marrëveshja mes Lidhjes së Shkrimtarëve nga ana e Tiranës dhe Shoqatës se Shkrimtarëve nga pala e Prishtinës.

Dritëro Agolli dhe Ibrahim Rugova me kandil nënshkruan pasi, natyrisht me kast, në atë zyrë ku u ndodhem, u ndal rryma elektrike. Mirëpo fati ka edhe paradhomat e dritës së vet. Pikërisht ai mjedis i vogël do të bëhej selia e parë e LDK-së dhe kabineti i parë i Presidentit të ardhshëm Rugova.

Më duket se të nesërmen mbrëma ndoqëm në teatër Sofrën e Poezisë, me vargje të Fan Nolit. Në salle binte në sy një grup maturantësh. Pikërisht këta të rinj e të reja, mbasi mbaroi shfaqja, më kërkuan të bashkohesha me ata. Mirëpo aso kohe, kur dilje përtej kufijve, nuk lejohej që asnjë anëtar i delegacionit të shkëputej nga grupi. Ia tregova Dritëroit kërkesen e maturantëve dhe ai, pa një e pa dy, tha: “Shko, Zija.”

Ajo natë në Prishtinë më ka mbetur e paharrueshme. Nata kur bëmë gjithashtu aq fotografi, sa nuk po na dilnin dinarët e mbledhur së bashku për t’i paguar. Por fotot, ashtu si një kujtim në vargje, nënshkruar nga “Malësorja”, sidoqoftë do ta gjenin rrugën për të mbërritur deri tek unë.

Prej atij udhëtimi shkruajta e botova tregimin “Mermeri që pikon”. Janë aty stalaktiti dhe stalakmiti prej mermeri te Shpellës së Gadimes, të njohur ndryshe si Romeo e Zhuljeta. Prej një force të pandalshme tërheqëse, ata janë nisur në drejtim të njëri-tjetrit për t’u takuar. Dhe tregimi, ndryshe nga tragjedia e Shekspirit, ka përfundimin se shpirtrat që duhen një ditë bëhen bashkë. Madje, edhe në terr e gjejnë njëri-tjetrin.

ObserverKult


Lexo edhe:

OCTAVIO PAZ: SHKRIMTARI DHE PUSHTETI