Zija Çela: Zonjë e panjohur, ti kurrë s’ke për ta ditur…

I pashë, sapo i pashë nga ballkoni… Ata ishin tre. Një burrë, një grua, një fëmijë në karrocë. Dhe kur u afruan, prapë nuk e prishën formacionin. Gruaja ecte, shtynte karrocën dhe fliste gjithë ëmbëlsi me të shoqin. Burri i gjatë e kishte nxjerrë me të djathtë. Vura re se nga bërryli e poshtë atij i mungonte pjesa e krahut të majtë. Por pëllëmbën e krahut tjetër e kishte mbështetur në supin e së shoqes. Çfarë bisedonin nuk e di, veçse ai i gjegjej plot përzemërsi.

Para se të merrnin kthesën, iu desh të ndaleshin disa herë, duke u hequr mënjanë. I parakaloi një biçiklist me zile. Pastaj ca këmbësorë të nxituar. Pastaj një motor picerie, që gumëzhinte si grerëz e kuqe.
Megjithatë, kur morën kthesën, ishin ende në atë formacion të lidhur. Formacioni tresh. Një fëmijë në karrocë, një grua që e shtynte, një burrë që i mungonte gjysma e një krahu, por pëllëmbën e tjetrit e kishte mbështetur në supin e së shoqes. Me dhanë në çast përqasjen e trekëndëshit. Hipotenuza ishte burri, kateti i shkurtë fëmija, ndërsa baza… Baza ishte gruaja.

Me vjen keq Pitagora, i madhi Pitagora, por kjo sipërfaqe nuk mund të matet dot me Teorinë tënde botërore të Trekëndëshave.
Por as ti, zonjë e panjohur, kurrë s’ke per ta ditur se Zija Çela të ka xhan. Zoti të ndihtë për t’i dalë gjithnjë zot familjes tënde.

ObserverKult


Lexo edhe:

ZIJA ÇELA: KAM FRIKË TË VDES, PA PASUR AFËR NJË DORË GRUAJE…