Zija Vukaj: Giacomo Leopardi dhe muzika

Giacomo Leopardi

Kulturologji

Nga Zija Vukaj

Leopardi konsiderohet si figura më e madhe e letërsisë italiane dhe asaj botërore të 1800-ës.


Nga të gjitha artet, muzika është ndoshta ajo që vlen më shumë për të fashitur dhe zbutur dhimbjen, për të kthjelluar shpirtin dhe për ta nxjerrë në njëfarë mënyre jashtë botës e jashtë vetvetes. Të vjetrit e simbolizuan forcën e saj të depërtimit dhe magjinë e saj thuajse fuqiplote në mitin e Orfeut, ku tregohet se si tingujt e lirës tërhiqnin kafshët e egra, bimët dhe gurët; kështu edhe në mitet e ngjashme të Amfionit e të Arionit. Pitagora njohu te muzika një ilaç të fuqishëm, jo më pak i dobishëm për trupin se për shpirtin. Shumë ngjashmëri ka kjo me historitë e rastit të Saulit (Testamenti i Vjetër), të cilit Davidi ia qetësonte tërbimin me notat e harpës. Platoni dhe Aristoteli e gjykuan muzikën si pjesë të fisme dhe të rëndësishme të edukimit; dhe të gjitha fetë e shfrytëzuan pak a shumë, por më shumë se të gjitha krishterimi, në mjeshtërinë e vështirë e delikate të lidhjes, depërtimit dhe pushtimit të shpirtrave. Egjiptianët e lashtë e vendosën muzikën mes hyjnive. Apolloni shpiku lirën, Minerva flautin, Pani sazen; Santa Cecilia u bë avokatja dhe mbrojtësja e muzikantëve. Rruzujt rrotullohen përreth një harmonie të parrëfyeshme: parajsa e krishterë jehon prej këngëve të ëmbla e të përjetshme; dhe nganjëherë prej tokës të zgjedhurit dhe të pastërtit i dëgjojnë në ekstazë e në orën e vdekjes marrin prej tyre ngushëllimin dhe gëzimin e epërm.

Leopardi e ndjeu fort, me shumë kënaqësi muzikën, por mbasi jo të gjithë ata që e ndjejnë shumë e ndjejnë në të njëjtën mënyrë, duhet parë në ç’mënyrë e pati ndjerë Leopardi. Asnjë art tjetër nuk i shkaktoi emocione kaq të thella, lumturim kaq të plotë e të madh. “Muzika edhe pse nuk është e para ime, është natyrisht një pasion i madh imi dhe duhet të jetë për të gjithë shpirtrat që janë në gjendje të entuziazmohen”, shkruante ai në prillin e vitit 1820. Një pasion i tillë nuk qe njohur nga i ati, i cili paraqiste madje një lloj përçmimi për trillet dhe kavatinat; as nuk dihet nëse e dinte e ëma, e cila, veç të tjerash, duke u detyruar të administronte jo më pak pasurinë se familjen, nuk do të mund ta ndiqte; por qe pasion i përbashkët i të gjithë fëmijëve. Prej Karlos dimë se një herë shkoi në këmbë nga Rekanati në Ankona vetëm të dëgjonte Malibranin; dhe në një letër të tij drejtuar të vëllait lexojmë: “Në Sinigalia unë zieja nga idetë dhe ndjesitë; kënga e Lorenzanit më mësonte sekrete të reja të zemrës”. Nga kjo apo ndonjë këngëtare tjetër duket se u dashurua. Paolinës i pëlqente muzika dhe e ndjente shumë. Luigji, fëmija i katërt, që nuk pati mbaruar kurrë studimet dhe vdiq i ri njëzet e një vjeç ia bashkëngjiste shijen e muzikës asaj të tornos dhe i binte një flauti gëzhoje, që e kishte ndërtuar vetë.

Për fuqinë thuajse të mbinatyrshme të muzikës flet Leopardi në dy poezitë e tij, “Aspasia” dhe “Mbi portretin e një gruaje të bukur, gdhendur në monumentin e varrit të saj”. Në të parën lexojmë:

“Rreze hyjnore mendimit tim iu feks,
Hijeshia jote grua. Të tillë efekt
Bëjnë bukuria dhe jonet muzikore.
Ç’mister i lartë Elipsësh të panjohur
Duken e zhduken tasheparë.”


Në të dytën:

“Dëshira të pafundme
E vegime madhështore
Krijon në mendimin tim rravgues
Nga fuqi e natyrshme, harmoni e zgjuar;
Aty ku nëpër t’ëmblin det, i fshehtë
Bredh shpirti njerëzor
Gati si në shëtitje
Notar guximtar nëpër Oqean:
Por një theks i stonuar
Shpirtin plagos; e në hiç
Brenda çastit kthehet kjo parajsë.”


Në të dyja krijimet poeti afron muzikën me bukurinë dhe si njërës ashtu edhe tjetrës i mvesh të njëjtën fuqi. Në të parën pranëvënia është e menjëhershme; në të dytën përmend efektet e muzikës, pasi ka thënë ato të bukurisë.

Laibnici thotë se muzika është një ushtrim sekret aritmetik i shpirtit, i cili llogarit pa ditur të numërojë, ndërsa Kanti e vendoste muzikën mes arteve të bukura vetëm falë raporteve matematikore që kalojnë mes tingujsh dhe nga mësimi okult i raporteve të tilla besonte se lindte kënaqësia. Stendali e pohoi këtë kënaqësi të muzikës si krejtësisht fiziologjike. Një shkrimtar muzikolog me famë Edouard Hanslick, pati këmbëngulur para 200 vjetësh, në një libër që bëri shumë zhurmë dhe shkaktoi shumë debate, që s’kanë mbaruar akoma, se muzika nuk ka substancë as përmbajtje tjetër veç tingujve dhe nuk duhet paraqitur as shprehur, as të bëjë të lindin ndjenja. Pa hyrë në çështje të vështira, është e qartë se Leopardi nuk përputhet me asnjërin prej tyre, ndërsa përputhet me të tjerë që patën për muzikën të tjera ndjenja dhe koncept. Schiler thoshte se muzika shpreh shpirtin; Scheling thoshte se ajo përmban format e ideve të brendshme; Lamennais thotë se ajo është kuptimi i tipave të përjetshëm të gjërave. Bethoveni i gjykonte zbulesat e muzikës më të larta se ato të filozofisë. Guno, duke kujtuar një shfaqje të “Otellos” së Rosinit ku kishte qenë i pranishëm në fëmijëri, shkruante: “Il me sembla que je me trouvais dans un temple, et que quelque chose de divin allait m’ être révélé” (“Më dukej se ndodhesha brenda një tempulli, ku më zbulohej çdo gjë hyjnore.”) Carlyle e përkufizon muzikën si një gjuhë e paartikullueshme dhe e panjohshme, e cila na ndjek deri në buzën e pafundësisë dhe na lë për një çast, të shtyjmë shikimin në humnerë; Edgar Poe thoshte se muzika ndihmon shpirtin njerëzor të krijojë bukuri të mbinatyrshme.

ObserverKult


Zija Vukaj

Lexo edhe:

ZIJA VUKAJ: RODOLFO WILCOCK – POETI GNOMIK