Një katalog biblioteke është një shembull liste praktike, sepse librat e një biblioteke janë në numër të përfunduar. Një përjashtim, sigurisht, do të ishte katalogu i një biblioteke të pafund.
Sa libra janë në Bibliotekën e Babelit të përshkruara me fantazi nga Borges? Një nga cilësitë e bibliotekës borgesiane është se mund të tregojë vëllime që përmbajnë të gjitha kombinimet e mundshme të njëzet e pesë simboleve ortografike, kështu që nuk mund të imagjinohet ndonjë kombinim karakteresh që biblioteka të mos e ketë parashikuar.
Në vitin 1622 Paolo Guldino, tek “Problema arithmeticum de rerum combinationibus”, llogariste se sa fjalë do të mund të prodhoheshin me njëzet e tri shkronjat e alfabetit të përdorur në atë epokë, duke i kombinuar dy nga dy, tri nga tri e kështu me radhë, deri sa të konsideroheshin fjalë me njëzet e tri shkronja, pa llogaritur përsëritjet, por as duke u shqetësuar nëse fjalët e lindura do të ishin të pajisura me kuptim dhe të shqiptoheshin dhe kishte arritur në një shifër të lartë në shtatëdhjetë mijë miliardë miliardësh (të cilat për t’i shkruar do të duheshin më shumë se një milion miliardë miliardësh shkronja).
Po të shkruheshin të gjitha këto fjalë në regjistra mijëra faqesh, në njëqind rreshta për faqe dhe gjashtëdhjetë karaktere për rresht, do të duheshin 257 milion miliardë regjistra të tillë; e nëse do të duhej të vendoseshin në një bibliotekë, duke vendosur ndërtime kubike me brinjë 132 metra, secila me kapacitet 32 milion vëllime, do të duheshin 8.052.122.350 biblioteka të tilla. Po cila mbretëri do të përmbante aq ndërtesa? Duke llogaritur sipërfaqen e disponueshme në të gjithë planetin, mund të vendoseshin vetëm 7.575.213.799 të tilla!
ObserverKult