Për mjeshtrit dhe dishepujt, shkruan shkrimtari Zija Vukaj
Gjithë historia e kulturës botërore është ndërtuar e trashëguar nën paradigmën madhështore mjeshtër- dishepull. Kjo, për faktin se jeta e njeriut është kaq e shkurtër, sa dikush e ka quajtur koha e një psherëtime.
Si segment kohor është në kufijtë e hiçit dhe secili dëshiron që këtij hiçi t’i japë një kuptim. Pasunarët i japin këtij hiçi kuptimin e parasë, mitomanët i japin këtij hiçi kuptimin e lavdisë, diktatorët i japin hiçit kuptimin e pushtetit, ziliqarët i japin intrigën e kështu me radhë.
Por e mira është se të gjithë hiçët (dishepuj) i bashkëngjiten vazhdës së ndritur të krahut paradigmatik të mjeshtrit, duke afirmuar përjetësinë e mjeshtrit dhe të mjeshtërisë, si piketë e një të vërtete universale; gjë që agnostikët mund të mos e pranojnë si të tillë. Por këto janë çështje individësh, kësisoj janë çështje asgjëje.
Kurse historia e kulturës është shumatore individësh. Si e tillë është e formuar nga një madhësi pambarimisht e madhe mjeshtrash dhe dishepujsh. Kjo madhësi është pambarimisht e madhe, sepse, me sa duket, në një dimension të tillë është hedhur në ekzistencë qenia njerëzore, për vullnetin absurd të nuk e di se kujt.
Për shkak të këtij vullneti absurd, njeriu (geni njerëzor) thuhet se do të jetë moshatar me përjetësinë. Dhe bash për këtë shkak, logjika të çon drejt koncepteve matematike mpm dhe mpv. Dhe matematika na shfaqet si modeli i vetëm i arsyes së kulluar.
Ajo (matematika) nuk ka kohë të humbë, as nuk ka fjalë të tjerrë. Mjerë kush nuk e njeh rreptësinë e saj deri në vrazhdësi. Mbase vrazhdësia e së vërtetës.
ObserverKult
Lexo edhe:
ZIJA VUKAJ: PËRKTHIMI KRYEVEPËR APO PËRKTHIMI I NJË KRYEVEPRE