Nga: Zija Vukaj
Teksa jam ulur në ndenjëse dhe pres nisjen e autobusit të Tiranës, ndjek padashur edhe lëvizjet e njerëzve që hipin dhe zënë vend në sediljet që kanë mbetur. Pasi rregullohen, nxjerrin celularët, duke iu bashkuar veprimit të njerëzve që kanë hipur para tyre dhe pas pak të gjithë janë duke bubërruar në ekranet e tyre.
Një zonjë e bëshme rreth të gjashtëdhjetave vjen në çastet e fundit, shikon majtas e djathtas, ia ngul sytë një vendi bosh dhe pasi pyet, ulet, zë vend e rehatohet. Them me vete se kjo nuk do të ketë celular, pasi nuk po e shoh të bubërrojë si të tjerët, por jo! E paskam pasur gabim.
Pas pak nxjerr nga çanta një celular tri herë më të madh se të tjerët. Sa një pllakë trotuari. Veshjen prej kauçuku e ka në ngjyrë pjepri. Hap ekranin dhe i dalin lodra. Zhytet me një zell të madh në to. Prek diku një si tip insekti i cili shpërthen e grimcohet pa shenjë pa nishan.
Pastaj i shfaqet një si mur tullash që sapo merr formë, i shembet fund e krye si te legjenda e Rozafatit. Ndërkohë i kumbon me zë të lartë zilja e telefonit. Fillon bisedën me anën tjetër të linjës: “Hë Eqrem, si ke njehë? A erdhi ai shoku? Si duket? Qetësi. Mos i ban za as sot.”
Një burri i erdhi një telefonatë dhe po i thoshte dikujt: “A i din ata thumbat me kokë të madhe që përdoren për t’i ngulë në dru me mbajtë letra. Shko blej një grusht te Vata.”
Pa i njohur Eqremin as Vatën, i përfytyrova të dy si burra të vjetër, vetëm duke u nisur nga emrat.
Befas më shkoi mendja se emra të tillë tashmë shqiptarët nuk vënë më. Sot është koha e emrave “modernë”. Dhe shfaqet këtu një cilësi unikale e shqiptarëve si kulturë e si popull. Plakja e emrave. Pra emrat e një periudhe nuk funksionojnë më, sepse plakin bartësit e tyre.
Po a ndodh në popujt, gjuhët dhe kulturat e tjera kjo? A ndodh që një Uliam, a Bill, a Çarls, a Xhim, a Xhek, a Dejvid, Zhan, a Zhak, a Xhino apo Xhineto, Serxho apo Helmut a Wolfgang, Ahmet apo Osman, Boris apo Leon të plaken në vendet apo gjuhët e kulturat përkatëse ose të tregojnë bartës pleq.
Xheku e Xhimi mund të jenë bebe ose pleq. Kështu thotë kënga popullore angleze: “Xheku e Xhimi lart në kodër/ lozin bashkë si dy pëllumba/ Xhimi e bëri kokën xhumba/ Xheku bëri kollotumba.” Po pse na plaken ne xhanëm? Hajde jepi majë.
ObserverKult
Lexo edhe: