Zija Vukaj: Simbolika e numrave

zija vukaj
Zija Vukaj

NUMRAT nga Zija Vukaj

(Simbologji)

Sipas filozofisë së Pitagorës (shek. VI p.k) numrat përbëjnë çelësin e hyrjes së privilegjuar për të kuptuar ligjet harmonike të universit; vlera simbolike e të cilave vihet në lidhje me sistemin hyjnor kozmik. Zbulimi se kordat dridhëse, gjatësitë e të cilave janë shprehur me terma përpjesëtimesh numerike, janë në gjendje të japin origjinën e akordeve specifike, çoi në formulimin e kuptimit modern të konceptit të “harmonisë” dhe qe hapi i parë drejt një vizioni matematik të botës.

Sipas Pitagorës, çdo formë është e shprehshme numerikisht (“gjithçka është numër”) dhe numrat vetë janë “arketipe hyjnore” të fshehura në botë, por të dukshme përmes një lidhjeje me ligjet që rregullojnë kozmosin. Këtë pohim e gjejmë mes të tjerash tek “teorema e Pitagorës” që shprehet në rregullsinë e veçantë të përpjesëtimit të shprehur në katrorët e ndërtuar mbi brinjët e trekëndëshit—trekëndësh drejtkëndësh.

“Numrat nuk qenë hedhur rastësisht në univers: përkundrazi, ata u vendosën sipas një plani të parapërgatitur, si formacionet kristaline dhe konsonantet e shkallës muzikore, në akord të përkryer me ligjet e harmonisë” (A. Koestler 1963- Bibla, 6). Numrat u bënë kështu një njësi matëse dhe u konsideruan “arche”, parimi i origjinës së çdo gjëje, “lidhja e parë, përherë e tillë, që përbën thelbin e gjërave” (Filolao, shek. II p.k)

Pastaj nga konstatimet se aspekti periodik i cikleve kozmike ishte i kthyeshëm në njësi numerike, lindi bindja se numrat nuk ishin vetëm njësi matëse antropomorfe, por parimet e vërteta të rendit kozmik, cilësi e origjinës së universit, gjurmë “absolute” e fuqisë së mbinatyrshme dhe pra simbolet autentike të hyjnisë.

Novalis shkruan në lidhje me një fuqi të tillë magjike të numrave në fushën e muzikës: “Ka shumë të ngjarë që në natyrë të mund të gjendet një mistikë misterioze e numrave; kjo ndodh edhe në histori. A nuk ka çdo gjë një domethënie një simetri, një lidhje? Nuk mundet vallë të shfaqet hyjnia edhe në matematikë si në çdo shkencë?”.

Në këtë këndvështrim numrat nuk mund të merren më vetëm si instrumente të nevojshme që i duhen njeriut për të vendosur rregull në mjedisin që e rrethon, por si simbole autentike të absolutes dhe, si objekt i një interesi estetik, ata lënë të nëpërduket, për atë që është në gjendje ta kapë, një “harmoni e sferave” mbinjerëzore.

“Numrat e shenjtë” u ngarkuan pra, mbi bazën e premisave të tilla, me cilësi fetare. Në vend të parë, Zoti krijues i kuptuar si “njëshi- origjinal” që manifestohet në dualitet (- sisteme dualistike:- ying-yang). Nga teza dhe nga antiteza zë fill pastaj sinteza, apo “triniteti” (trekëndëshi,- triada): omne trinum perfectum (“çdo trinitet është i përkryer”); (“të gjitha gjërat e mira janë gjithmonë tri”; tri provat e heronjve- të përrallave; përfshirja e dualitetit në imazhin e triadës të “baba- nënë- bir”.

Numri katër ka një cilësi të veçantë arketipale që nuk qëndron në dyfishimin e pastër e të thjeshtë të sistemit dual, por në aftësinë për të “bërë të barabartë”. Në dogmën e ngjitjes në qiell të trupit të Marisë, që shumë bashkëkohësve u dukej e pakuptueshme, C. G. Jung pa aspiratën për t’iu rikthyer plotësisë dhe rregullsisë së katrorit, nëpërmjet adoptimit të elementit femëror, plotësia harmonike e Trinitetit, “me origjinë mashkullore”.

Katërshi shpreh simbolikisht “kryqin e fijeve që përbëjnë mirëkuptimin tonë”. Por numri i elementëve nuk është vetëm numri katër, në fakt ekziston edhe “qendra” dhe pra lidhja me numrin pesë që e gjen shfaqjen e vet tek pentagrami.

Kryqi, që kupton pikën e takimit të dy krahëve, tregon shpesh “kuintesencën”. Numri gjashtë e gjen shprehjen e vet simbolike të privilegjuar në hekzagramë, “vula e Salomonit”.

Numri shtatë është shumë i përhapur në mjediset e teorive simbolike, ndërsa teta nuk është konsideruar kurrë shumë domethënës, edhe duke fituar dinjitet simbolik në mjedisin e interpretimit të “Testamentit të Ri”. Për shembull, dita e tetë e krijimit është dita e ringjalljes së Jezu Krishtit dhe fillimi i një ere të re të botës; për këtë shkak pagëzores i është dhënë shpesh forma tetëkëndore.

Kujtojmë veç kësaj yllin me tetë cepa të artit romantik, rozetat me tetë krahë dhe tetë cepat e kryqit të Maltës. Budizmi flet për tetë shtigjet (-ogdoade, tetë- zota të fatit). Numri nëntë ka si themel treshin dhe tregon “koret e engjëjve” dhe nëntë sferat e kozmogonisë mesjetare.

Numri dhjetë është numri i plotësisë dhe i përsosmërisë (dhjetë urdhërimet; 1+2+3+4= 10, afrimi i 1 e 0); me gjasë fati i saj rrjedh nga përdorimi i përhapur në mënyrë universale. Për të numëruar duhen gishtat e dorës.

Dhjetë sephirot (shpallje hyjnore) të Kabbala-së janë paraqitur edhe si një pemë që i ka rrënjët në qiell dhe kurorën të ngulur në tokë dhe i korrespondojnë dhjetë emrave sekret të Zotit: Eheie, Jah, El, Elohim, Eloi gibor, Eloah, JHWH Sabaoth, Elohim Sabaoth, Shaddai dhe Adonai.

Disa numra simbolikë që vijnë pas dhjetës tregojnë më tepër “fatkeqësi”; për shembull njëmbëdhjeta (“dyzina e djallit”); pastaj vjen “dymbëdhjeta” (numri i yjeve të zodiakut, themeli i sistemit të lashtë numerik babilonas dhe numri i tribuve të Izraelit e të Apostujve etj.); cituar edhe te Homeri.

Dymbëdhjetë hyjnitë olimpike përbënin, duke filluar nga shekulli V p.K., panteonin grek: Zeusi, Hera, Poseidoni, Demetra, Apolloni, Artemida, Aresi, Afrodita, Hermesi, Athinaja, Efesti dhe Hestia. Kjo e fundit qe zëvendësuar shpesh nga Dionisi (Baku). Dymbëdhjetë hyjnive u ishte kushtuar një altar në Athinë.

Trembëdhjeta është gati gjithmonë numri i fatkeqësisë: Hesiodi i këshillonte fshatarët të mos fillonin të mbillnin ditën e trembëdhjetë të muajit. Në vitin e brishtë babilonas kishte një muaj të brishtë, i trembëdhjeti, që paraqitej nga një korb, shenjë fatkeqësie. “Korbi” i dymbëdhjetë shtrigave do të kishte djallin si mysafirin e trembëdhjetë.

Njëzet e katra është numri i orëve të ditës dhe i të urtëve të Apokalipsit të Gjonit (4, 4); në Kabbala njëzet e gjashta është shuma që përbënte tetragrammatonin (katër shkronjat e emrit të Zotit= JHWH) dhe kjo është 10,5,6,5= 26.

Tridhjetë e treshi është numri i viteve të Krishtit, i këngëve të “Komedisë hyjnore” të Dantes dhe i shkallës mistike bizantine. Dyzeta është numri i provës, i agjërimit e i largimit: lehona, sipas udhëzimeve biblike, duhej mbajtur në izolim për dyzet ditë. Dreka rituale e përmortshme në Greqinë e lashtë shtrohej dyzet ditë pas vdekjes së personit. Përmbytja e përbotshme zgjat dyzet ditë e dyzet net dhe po aq zgjat pritja e Moisiut mbi malin e Sinait për urdhërimet.

Bredhja e hebrenjve në shkretëtirë zgjati dyzet vjet, dyzet ditë predikimi i Jezusit pas pagëzimit dhe aq zgjati periudha kreshmore. Shën Agostini e konceptoi dyzetën si numrin e ikjes nga jeta tokësore dhe të pritjes.
Në Testamentin e Vjetër pesëdhjeta ishte numri i vitit të shtatë sabatik apo jubileu (viti sabatik, për Ligjin e Moisiut, binte në çdo shtatë vjet; pra, shtatë herë shtatë plus një), në të cilin duhej të liroheshin skllevërit, të faleshin mëkatet dhe t’u ktheheshin tokat e sekuestruara pronarëve të parë.

Në vitin liturgjik Rrëshaja celebrohej dita e pesëdhjetë pas Pashkës. Shtatëdhjeta është e pranishme në konceptet Septuaginta (versioni i shtatëdhjetës në latinisht), Septuagesima (e diela 70 ditë para Pashkës) dhe në numrin e dishepujve të Jezusit (dhjetëfishimi i shtatës së shenjtë).
Numra të tjerë simbolikë e kanë origjinën nga lidhja me masat astronomike, si periodiciteti i kalendarit (260 ditë zgjaste viti i kultit të actekëve, tonalpohalli dhe ai i Maya-ve, tzalkin; të njëjtat raporte numerike përsëriteshin në çdo pesëdhjetë e dy vjet, me përllogaritjen e vitit diellor në 365 ditë sipas një periudhe kohe të quajtur xiuhmolpilli është saktësisht pas 73 ciklesh prej 260 vitesh dhe pas 52 prej 360).

Edhe qytetërime të tjerë i konsiderojnë numrat si parime simbolike, për shembull kinezët e lashtë, që e përdornin numrin dhjetë mijë si simbol i të pallogaritshmes: perandori urohej të jetonte “dhjetë mijë vjet”; edhe svastika (kryqi i thyer), rreth vitit 700 pas Krishtit, ishte konsideruar një numër që shprehte simbolikisht pafundësinë, e ngjashme me këtë, teta e shtrirë e traditës perëndimore, që të sjell ndërmend simbolikën e nyjave. Edhe I-ching.

Numri 666 ka qenë interpretuar nga E. Staufer në lidhje me vlerat numerike që shfaqen mbi një monedhë të perandorit Domician.
Filozofia neoplatonike e antikitetit të vonë dhe doktrinat ezoterikë judaike të mesjetës, u morën në mënyrë të veçantë me simbolikën që lidhej me numrat, sepse alfabeti grek, si ai hebraik ka një lidhje direkte me vlerat numerike.

Parimi bazë i izopsefisë (nga gr. Izo- i barabartë; psephos- guralec= kur dy a më shumë fjalë i shoqërohen të njëjtit numër) shpie tek bindja sipas së cilës emrat janë të barazueshëm mes tyre sipas një llogaritjeje që varet nga vlera numerike respektive e shkronjave që i përbëjnë. Për shembull: Abraxas-Meithras.

Në të dyja rastet shuma është e barabartë me 365 ditët e vitit diellor. I njëjti procedim është i vërtetueshëm tek Bibla, në Gjenezat 18, 2: Vehenna shalisha (domethënë “dhe shiko tre njerëz”), ka si vlerë numerike 701: Elo Mikael Gabriel ve- Raphael (pastaj Mikel, Gabriel e Rafael kanë të njëjtën vlerë numerike).

Arti kabalistik i këtij spekulimi që ka të bëjë me lidhjen numra- shkronja quhet “gematria”. Edhe në shkollat e kuvendeve mesjetare bënin llogaritje të tilla. Murgu Raban Mauro (776- 869 pas Krishtit) shkruante: “Shkrimet e shenjta përmbajnë shumë sekrete të fshehura nën formën e numrave.

Për këtë arsye është e nevojshme që ai që ka ndërmend të arrijë një njohje të lartë të jetë i zoti edhe në aritmetikë.” “Numrat e shenjtë” në këtë botëkuptim janë baza strukturore që bën të mundur kuptimin e parimeve të krijimit dhe qysh në origjinë përbënte një dije ezoterikë të shollave të priftërinjve.

ObserverKult

Lexo edhe:

ZIJA VUKAJ: SHKRIMTARËT E HUMORIT QAJNË MË SHUMË SE TË TJERËT