Shoqata e Botuesve të Kosovës nëpërmjet një njoftimi ka bërë publik vendimin se Panairi i Librit në Prishtinë nuk do të mbahet në muajin qershor.
Pandemia ka bërë që Shoqata të mos mund të bëjë bashkë mbi 100 botues në kryeqytet, të cilët viteve të fundit vizitoheshin nga mbi 40 mijë veta.
Njoftimi i plotë në Facebook
U bënë pothuaj 24 muaj qëkur jemi mbledhur së bashku në ambientet e Pallatit të Rinisë në ngjarjen më të madhe të librit në Kosovë, Panairin e Librit…
Vitin e kaluar pllakosi virusi e goditi botën mbarë duke na mbajtur larg fizikisht e, megjithatë, librat ishin aty për të na mbajtur afër personazheve e historive të pafundme të cilat na e bënë dhimbjen më të lehtë e kohën më të çmuar. Mbi të gjitha na e bënë më të lehtë përballjen me rutinën e patëmirë që virusi solli. Na e ruajti shëndetin mendor.
Me keqardhje të madhe njoftuam vitin e kaluar se nuk takohemi dot siç bënim për vite e vite me radhë në fillim qershor. Na munguan pafund takimet mes botuesve, shkrimtarëve, lexuesve, përkthyesve e të gjithë dashamirësve të librit. Menduam se do e tejkalonim me vetëm një vit mungesë por shumë shpejt erdhi qershori i dytë e ne nuk mund të takohemi përsëri. Si rrjedhojë e gjendjes me pandeminë, panairi nuk mbahet dot as këtë qershor.
Urojmë që gjendja të përmirësohet fillimisht për shëndetin tonë, e pastaj edhe për të mundësuar mbajtjen e ngjarjeve kulturore që aq shumë na mungojnë.
Do të përpiqemi shumë që gjatë muajit shtator apo muajit tetor, gjithnjë konform vendimeve në fuqi të Ministrisë së Shëndetësisë, të organizojmë kryengjarjen e librit në Kosovë.
Mirupafshim!