Më 6 korrik 2021 u nda nga jeta. Ju ftojmë ta kujtojmë përmes një homazhi poetik, poetin dhe kineastin Petrit Ruka.
Në vazhdim gjeni dhjetë poezi ndër më të lexuarat e tij:
GRUA E JUGUT
Qenkeshim dashur tërë jetën dhe nuk e paskemi ditur,
Grua e Jugut,
deri ditën kur u ulën në një kafe
dhe pimë gllënjkë pas gllënjke njëri – tjetrin
deri në fund
me etjen e deveve shtatzana…
Të prita në këmbë
siç pritet një Zonjë e Madhe
dhe m’u duk sikur isha aty i ngulur
që nga dita e fundit e maturës,
me vjershën e parë të dashurisë në xhep.
Kisha marrë nëpër stacionet e humbura
të gjitha pritjet e grave të jetës sime,
me një biletë të pagrisur në dorë,
sa nuk dija si ta mbaja atë mushkën e padurimit,
me thundrat tek zemra ime.
Kur u ulëm, mulliri që bluan kafen,
filloi të rrotullohej vetëvetiu,
Vrapoi kamarieri që u skuq prej turpit ta fikte,
po nuk mund të fikej.
Lëre, duhet t’i thoshja, lere,
nuk pushon pa bluar shtatë mijë kafet e papira
me këtë grua.
Ti nuk e vure dot re,
se si u veshën me avull tej e tej xhamat,
se si u ndërrua vetë në sidiplejer muzika,
dhe pastaj ra një çast heshtja,
të dëgjohej pëlcitja me fllucka mundimi e ajrit,
tek priste i ngjeshur e i fanepsur pas mureve,
që njeri prej nesh ta thoshte fjalën e madhe:
Të dua!
Po ti nuk fole.
Nuk flasin, vetëm qeshin
gratë e Jugut,
qeshin dhe pjekin në gjinjtë e tyre nga një portokalle,
pas çdo vështrimi prej burri.
Nuk dija ç’ti bëja sytë
dhe i futa në të katër vrimat e komçës së tretë
të këmishës tënde që qante e kyçur,
derisa ti e ndjeve palcë më palcë dëshërimin
dhe u mbështete paq tek mendja ime.
Qeshe me një krua gurgullimash
duke rrotulluar tërë kokat e grave të tjera nga vetja.
Atëhere, pikërisht atëhere,
dëgjova ajrin që u drodh
dhe ndjeva se si plasën në tavan tollumbacet e purpurta
të orgazmave të tyre.
E ndjeva që ti ishje e pritura e ëndrrave të fshehta
duke i patur brenda të gjitha fill e për pe
deri tek buka e grunjtë dhe kripa.
Grua e Jugut, ti ishje shoku dhe malli për motrën e vdekur,
Ishje boti me vere në dru lisi,
Supi i nënës, qepa e bardhe, oxhaku i ndezur, djathi,
perëndim i rubintë në vetullën e Çamërisë,
shall fëmije dhe bishti i ketrit,
Pastaj të pashë nëpër grykë
si rridhte uji i ftohtë i Tepelenës,
pashë tymin tim të cigares
pas dashurisë deri deri në shkalafitjen e krevatit,
dhe kortinkën e nënës në dritaren e mallëngjimit,
dhe Lotin tim për shokun e jetës, Viktorin
që iku se kish një vrimë në zemër.
Nuk i numuroj dot të gjitha:
Nuk do të flas për brrylin e Vjosës,
ku qan akoma një dashurie humbur,
as për famën e poetit të madh
që paska qënë e murosur tek urat e supeve të tua…
po ti i ke të gjitha brenda,
siç i ka një grua e Jugut, që çel sa herë të dojë
me vetullën e saj limonat e Mesdheut…
Qenkeshim dashur tërë jetën dhe nuk e paskemi ditur,
Ulërima ime,
O grua e Jugut!
Tani bëhu gati për ta pjekur këtë dashuri sublime
Me dritën e njëmijë hënave të majit…
DASHURIA KA SHIJEN E FORTË TË VDEKJES
“Mëkati nuk futet në gjërat që bëhen vetëm…”
Natën e mirë, thotë sportelisti dhe ne ngjisim shkallët,
Ti qesh nëpër to si djallushkë e padukur,
E fshehur paq në jakën e përthyer të dëshirës sime,
Si një molë e butë e shpirtit tim të sëmurur pas teje
Keq e me keq pas çdo nate.
Të duket e vonuar futja e çelësit në vrimën e bravës,
Rrotullimi i tij në derën e praruar të mëkatit,
Kërcitja e tij e dytë pas mbylljes,
Kërcitja e tretë në trurin tim të përgjakur,
Që nuk di se nga duhet filluar
Për t’u futur brenda teje.
Vërtet, O Zot, më thuaj se nga duhet nisur,
Për të pushtuar gur më gur,
Këtë kështjellë kaq të lartë prej gruaje,
Derisa prej rrënimit të saj të ndjehem së paku një ushtar,
Ashtu siç dua. Përsëri i mundur…
Ajri hapet e ngjishet i fanepsur pas mureve,
Që ta lërë më të lehtë lëvizjen e duarve,
Flakën e syve,
Heqjen e rrobave që vdesin në tokë pa varëse.
Tani fjalët ikin e kërkojnë një vrimë tek dritaret
Të skuqura prej turpit të gjatë
Nëpër letrat e shkruara njeri-tjetrit,
Vidhen përjashta duke qarë e mërmëritur pa bujë,
Për meritat e udhëve të hapura
Milimetër pas milimetri netëve të gjata…
Krevati sheh një ëndërr lisi për këmbët e tij të dobëta,
Jastëku zvarritet pa u ndjerë të zerë mesin e shtratit,
Sepse e di që duhet të mbaj pesha më të denja se koka,
(e di tani ai që kokat janë të prera, përjashta,)
Tani të gjitha sendet e dinë dobinë e tyre,
Dhe fiken një nga një të udhëhequra nga llampa.
Në errësirën e zbehtë përskuq turpi i fundit
Me moshën e tij 3000 vjeçare,
Jep e merr me thonj të mbahet
Në nenin e fundit të librave kishtare,
Dhe mbytet në kapilarin e fundit të gjakut.
Rënkon këmisha e flakur dhe trupi që të dha nëna
Më bën të të bekoj së pari nënën,
Është ashtu si në shpellën e parë, kur femra
Imitoi guvën e errët në kurmin e saj të bekuar,
Qelizë pas qelize ia kopjoi zgavrat pafund
Të kënaqësive kozmike burrë e grua…
Nuk është ngërçi i hutimit në mpirjen e parë,
Është frika se nga duhet nisur,
Në tërë këtë stepë të praruar të lëkurës tënde,
Sa vjet duhen për ta puthur me buzë
Dhe si mund t’i bihet shkurt
Pa qenë Leon Tostoi i Luftës dhe i Paqes…
Është një sekondë e vockël, ku njëherë duhet të vdesësh
Për t’u trimëruar
Nga që dashuria e trupit është e fortë,
Njësoj si vdekja
Ka shijen e përsosur të saj hap pas hapi deri në fund
Përderisa bëhet e pavlerë këtë çast vetë jeta.
Duhet t’i lëmë në tokë sytë njësoj siç lamë këpucët
Për t’u bërë krejtësisht të verbër,
Duhen lënë në tokë emrat, datëlindjet, kujtesa,
Flirtet e mëparshme që të ngatërrojnë si tabelat,
Gjithçka që rrezikojnë atë që është hera e parë…
Le t’i vemë këtu në sirtar të komos burrat e tu
Dhe unë gratë e mia,
Të qajnë bashkë si në koret antike dështimet e tyre,
Dhe mungesat tona të ëmbla,
Nga që po u bëjme sot dhuratën më të çmuar të botës
Dhembjen, themelin e jetës.
Tani instikti mblidhet si gjarpëri nën gur para se të sulmojë,
Ku duhen t’i vë duar në gjithë këto tasta të bardha
Për të marrë akordin e parë,
Pastaj notat e tjera e dinë rrugën
Për në qendër të trupit të çarë nga etja.
Puna është sa të pikojë pika e parë e ujit,
Që të zgjojë tërë kosheren e bletëve
Tek fle në trupin tënd plot me hoje mjalti.
Tani je ti ajo që e shkruan poemën time,
Unë kam ikur thellësive
I bindur se kam fillin tënd të Arianës
Që e ke të lidhur te kërthiza.
Nuk e di ku do të më çosh duke luajtur me mua,
Në sa gojë tigrash që rreshtove poshtë barkut,
Duke i thyer trillit tënd dhe kockën e fundit,
Të bëhesh më e lehtë,
Gjersa të ikësh në zbrazëtinë e një çasti
Mbi flluckën e fundit të kënaqësisë së çmendur.
Pastaj kur të kthehemi,
Do të bëjmë mëkatin e të menduarit
Se ky qenka mëkati,
Do të rreshtohemi bashkë me të çmendurit e tjerë,
Në stadiumin fals të Moralit
Për të duartrokitur fjalimin e fundit të Papës së Romës…
Pastaj në mbrëmjen e ardhshme
Si kukulla të denja të këtij planeti,
Do t’i ndezim përsëri flakë imazhet e përjetshme të gjakut,
A thua se në vargjet tona
Ca fjalë të zgjedhura
Mund të jenë bibla e radhës e gënjeshtrës,
Që tallet prej mijra vjetësh.
……………………………………….
Ditën e mirë, Zonjë!
Ditën e mire, – thotë pastruesja,
Duke lëshuar një ah! keqardhjeje pas burrit që iku
Për çarçafët e virgjër nga pastërtia
Dhe ajrin e pafajshëm të dhomës…
Dhe hap ajo dritaren, e bindur
Se “mëkati”
“nuk futet në gjërat që bëhen vetëm…”
GRUA MA KE NXIRË JETËN DHE JETËN TA KAM NXIRË
Grua ma ke nxirë jetën dhe jetën ta kam nxirë,
Jemi sharë në dritë dhe jemi puthur në errësirë,
Kemi vendosur të ndahemi dhe kemi thënë; e po mirë!
Dhe prapë jemi puthur ashtu si për lamtumirë.
Kemi gënjyer njeri-tjetrin, kemi bërtitur s’të dua,
Kemi pështyrë mbi proverbin që qënkeshim mish e thua,
Kemi mburrur kontratat që bëjnë në Amerikë.
Kemi thënë njëmijë herë; u mbush kupa dhe pikë.
Pastaj jemi përqafuar ; “e po unë isha në gjumë “
Jam futur në mishin tënd siç futet në shkretëtirë një lumë,
Jemi sëmurur dhe fshehurazi i jemi lutur qiellit,
Na është holluar shpirti nga frika si fija e perit.
Dhe prapë jemi zënë sa janë tundur tepsitë,
Kemi ndarë dyshekun me vijë, (ah, vijë e florinjtë,)
Po në errësirë kufirin e kemi shkelur si barbarë
Me dredhi ballkanike që as O.K.B-ëja s’ka parë.
Grua, ma ke nxirë jetën dhe jetën ta kam nxirë,
Ma ke pirë gjithë vrerin dhe helmin ta kam pirë,
Po ja që s’bëjmë dot pa këtë helm të mallkuar
Mos pushofsh kurrë, moj luftë dhe qofsh e bekuar!
NUK DI Ç’TË BËJ TANI ME TY
Nuk di ç’të bëj tani me ty,
kur ndarja po pllakos me nge,
gjer dje më ishe ujë në sy,
tani një cifël qelqi je…
Si në një koma, me kordon
e me serume dhembshurie,
të dy e shohim tek firon,
kandil-i kësaj dashurie.
Nuk di ç’të bëj tani me ty,
ta shpall a jo, këtë mandate?!
Apo?!… Të të mbaj akoma…
siç mbajnë meitin për një natë?!
Se të shpalla, ja, …të vdekur,
s’kam një vend të të varros.
Ti do mpiksesh si pikë gjaku
në trutë e mi si një trombozë.
Të humbur?! S’ka kuptim aspak,
se jeta do kaloj- kërkim,
më thuani, qysh t’i vë kapak,
tabutit mu në trurin tim…
S’e di pastaj se si do gdhijë,
një mëngjez sërish prej burri
kafen në vetmi ta pish
sikur pi gllënjka vajguri.
T’i ketë prapë ky qytet
ato rrugë e ato bare,
ku je hije, mor i shkretë,
sikur hyn e del në varre.
Nuk di ç’të bëj tani me ty,
kur ndarja po pllakos me nge,
kam frikë mos ngelem me një sy
dhe shpirti më mban era dhé…
LAKIMI I EMRIT TË SAJ
*
Një vajzë të Shkodrës desha dikur
së largu e desha, nga frika,…
dhe fjalën “të dua”, të rëndë si gur
Mbi shpinë e mora dhe ika.
Në fshatrat malor, plasur prej mallit
mësues i zbehtë, binjak me trishtimin,
me emrin e saj në dërrasën e zezë
u mësoja nxënësve lakimin.
Dyzet gojë njëherësh me emrin e dashur
emërore Ajo,… i, e Asaj gjinore,
veç lotët në grykë nuk di si i lidhja
kur arrinin në kor tek rasa thirrore…
Ku është tani vallë përgjumësh si Buna,
Gjynah të vdes pa ditur sa e doja,
Veç në ia tha këto në gjumë ndonjë ëndërr
nga ato mijëra ëndrra që i postoja…
NJË ËNDËRR HUA
A nuk më nis një ëndërr nga të tuat,
Se (eh!) më në fund u plaka,
Të miat si hiri, pa ngjyra, plot arna,
Të tuat kërcasin si flaka.
Të tuat këndojnë si gotat me verë
Para dashurisë,
Të miat bien erë të rëndë ilaçesh,
Pa le të mërzisë!…
Pse nuk më çon një natë me hënë,
me bar të shtypur tek lumi,
Këput dy komça nga bluza mbi gjinj,
Ti pi si tableta gjumi…
M’i nis një natë me postën e hënës,
Yshti si grua, çfarë pret?
Si të palosje ylberet në kutinë e zemrës
shpëto një jetë!
Në të dhimbsen zgjidh atë më të shp’larën
Ato që teprojnë më nis,
E hidhur jeta që mua më ka mbetur,
Nuk di si ta gris…
Fundja ma jep ti hua, se borxhin
Ta ruaj dhe në varr,
Ta kthej me shiun që do vijë tek unë,
mbi barin e parë…
Të lutem një ëndërr që mund ta paguaj
dhe me një sy,
Veç po ndjeva brenda thërrime mëshire,
T’u thafshin ëndrrat dhe ty…
BALADË PENSIONISTËSH
Në lagjen tjetër, një kafe e hidhur,
Kushton dhjetë lekë më pak,
Të tre bastunët e tyre drejt saj…
Trak – trak, trak- trak, trak-trak.
Pas tyre unë me qyqet në gjak…
Sa e gjatë kjo rrugë për gjunjët e lodhur,
(Më “i riu” me valvul në zemër,)
Të dobët sa qesja e ilaçeve në xhep
I anon dhe ecja merr shtrembër.
Pas tyre unë me shpirtin në thembër…
Të pestë me rrobat të blera tek “Gabi”
“Republikën” e mbajnë mbi kokë,
Mbi kapelen e tyre qiejtë shqiptarë
Rënkojnë po s’dëgjohen në tokë…
Të pestë të ulur me kafen e lirë
Nga ajo që vjen era baltë,
I thonë sho-shokut do bëhet më mirë,
Se boll vuajtëm. Mjaft!
Pas tyre unë… dhe kafja që pi-
Tri gllënjka me naftë.
Ai që ka radhën sot të paguajë,
Numëron në xhep monedhat me dorë,
Dalin a s’dalin, dreqi e marrtë,
në shpinë i bie borë…
Pas tyre rrak-shtrak,… rrak-shtrak,
poeti i gjorë…
Të lumtur ngrihen …Dhe sot u panë,
Si dihet gjer nesër fatit “pa faj”…
Pas tyre këngën e mykur në grykë
E lidh komb të mos qaj…
Po Atdheu, atdheu, ku është që s`e shoh,
Do jetë shkrehur në vaj?
BABA, NE IKËM…
Baba, ne ikëm, shtëpinë e braktisëm,
një kohë arixhinjsh jeton gjithë bota
dhe foton tënde nga muret e zbritëm,
si kyç një palë lot vendosëm tek porta
Ikëm, or ikëm, vendlindjen e vramë,
në metropole u mblodhëm si punë e iriqëve,
(e ke parasysh kur e vjelin një pemë
dhe mblidhet e ngjishet si në vargjet e fiqve?!…)
U ngjeshëm këtej ndër halle të reja,
e humbëm dhe barin, dhe gjumin, dhe këngën,
gjithçka është gati në dyqane luksoze,
dyqan – psikologu, të të kallais dhe zemrën
Ne ikëm dhe varrin ta futëm në një video,
të dielën të takojmë në xhamin vizual,
me mend i vëmë lulet, dy lot, një cigare,
jetojmë me simbole, botë me manual.
Në fshat nuk shkojmë, e kemi me vete,
tani gjithçka e mbajmë në kuti,
kjo kutia baba e ka emrin kompjuter,
në xhamin e tij takon çdo njeri.
Në xhamin e tij gjen nuse, bën dasmë,
puth djemtë e vëllait në tjetër kontinent
dhe nënën e qan nga mijëra kilometra
tek e fusin në varr, me video – konferencë.
Ne bashkë do bëhemi kur të vijmë aty poshtë,
këtu lart u ndamë për jetë e për mot,
s’të shkruaj më shumë, se ti e di mirë,
qëllova i dobët dhe mbytem në lot.
Nuk dimë ku shkojmë, s’ka kohë të mendohesh,
nxitojmë nga që thjesht është në modë nxitimi,
një kohë arixhinjsh jeton sot tërë bota,
ah, ik edhe thur kanistra pikëllimi…
KAFE ME NËNËN
Një nate të prilltë, plasur prej malli
bëra dy kafe, dola në ballkon,
ditëlindjen kish nëna, tani hije varri
të çmallem pak, thashë, me të shenjtin zakon.
Timen e piva dhe ika të fle,
filxhani i saj… vetëm nën hënë,
aty, në ag një flutur ngjyrë mjalti
brenda në kafe përmbys kish rënë…
O ç’bëra që fjeta (që fjeça të madhen!)
Po pse nuk më zgjove moj Nënë?!
ATDHEU U SHIT, ANKANDI U MBYLL…
Atdheu u shit, ankandi u mbyll,
Të gjithë e dimë, po lajm nuk ka,
Miliona letra me vlerë votimi,
Tani do të bëhen thasë me para…
U vumë në radhë si mijra dele,
Kopen e ujqërve e zgjodhëm sërish,
Dhe shpresën e re në mijra blegërima
E mblodhën Ata në vatha partish.
Në vend të zinxhirëve – karta krediti,
Skllevër të lirë, me bukë e makina,
Për ankthin miliona tableta kimike
Nën bluzat firmato, zemra me vrima.
Në mbrëmje ziftin e shpirtit të plasur
Ekranet me ngjyra e bëjnë limonadë,
Të dyja palët numërojmë çdo mbrëmje
Ne parainfarktet, dhe ata… paratë.
Atdheu u shit, ankandi mbaroi,
Këtej rrjedh vreri, andej veç gaz,
I huaj po ndjehem çdo orë, këtu,
Po s’kam më fuqi, as për maraz.
Unë kam fuqi veç për këtë këngë,
Me të cilën ata do qeshin me lot,
Do thonë; “..po ky si s’vuri pak mend
Poet i mirë, po mbeti idiot…”
ObserverKult
“KUR TË VDES UNË”, TESTAMENTI NË VARGJE I POETIT PETRIT RUKA
*Poeti dhe kineasti i shquar, Petrit Ruka lindi në Tepelenë më 21.08.1954.
Ai e ka theksuar shpesh ndikimin e fëmijërisë në poezinë e tij, duke na lënë hapësirë të përfytyrojmë fëmijën e zgjedhur nga poezia, atje në një fshat të Tepelenës, të zymtë, të ftohtë, gri nga gurët e shtëpive dhe të zi nga rrobat e grave.
Ka kryer studimet e larta për Gjuhë Letërsi Shqipe dhe studimet pasunuversitare pёr dramaturgji filmike, Akademia e Arteve të Bukura, Tiranё 1985 – 1986.
Ka punuar si pedagog nё Shkollёn e Mesme tё Pёrgjthshme, Tepelenё 1976 – 1984. Skenarist dhe regjisor. Kinostudio “Shqipёria e Re” dhe Alba Film Studio, Tiranё.1986 – 1996. Drejtor nё Teatrin Kombëtar të Fëmijëve, Tiranё 2000 – 2000. Kryetar i Qendrës Kombëtare Kinematografike Shqiptare 2000 – 2005.
Ruka vuante nga një sëmundje në zemër që i mori jetën më 06.07.2021.
Petrit Ruka ka botuar:
“ Rinia ime” vёllim, poezi, 1978.
“ Atdheu fillon tek zemrat” vёllim, poezi 1983
“ Mirupafshim, hënë e vendlindjes!” vёllim, poezi, 1990
“ Vërtitu, Kokë e prerë!” vёllim, poezi, 2000.
“ Në zemër bie shi…” vёllim, poezi, 2003
“Shtatë mijë shirat e mi” poezi të zgjedhura, 2008
“Kalorësi mbi det“ esse monografike për Kadri Roshin 2009
“Iso dashurie“ Ars Poetika & Petrit Ruka, poezi e zgjedhur 2015
“Nëntë vjet e nëntë ditë“ Poemë baladeske, 2015 etj.
Ka realizuar me shume se 40 vepra kinematografike si skenarist dhe regjisor.
Si skenarist: filma artistik. Vepra tё ekranizuara:
1. “Eja” 1986, skenari pёr film artistik, regjisor Piro Milkani.
2. “Njё i tretё “ 1987, skenar pёr film artistik, met. i shkurtёr, regjisor F.Koçi.
3. “Lumi qё nuk shteron” 1988, skenar pёr film artistik, regjisor Fatmir Koçi.
4. “Njё djalё dhe njё vajzё” 1989. skenar, film artis, regjisor I. Muça. K. Mitro.
5. “Vazhdojmё me Bethovenin” 1995 skenar pёr film artistik, regjia S. Pecani
Filma dokumentarë
1. “Shembja e idhujve” 1994 skenar pёr film dokumentar, regjisor K. Gjonaj.
2. “Tё burgosurit e galerisё” 1994, sken pёr film dok, regjisor S.Kumbaro
3. “Nёnё Tereza” 1999, skenar pёr film dokumentar, regjisor K. Gjonaj.
4. “ Butrinti i gjallë” 1996 skenar pёr film dokumentar, regjisor P. Ruka
5. “Në fillim ishte Ademi” skenar pёr film dokumentar, regjisor P. Ruka.
6. “Braktisja e Madhe” skenar pёr film dokumentar, regjisor P. Ruka.
7. “Qyteti mbi gur” 2002 skenar pёr film dokumentar, regjisor Eli Bici.
8. “Qyteti mbi naftё” 2003 skenar pёr film dokument, regjisor P. Dervishi.
9. “Nënë Tereza” 2004 skenar pёr film dokumentar, regjisor K. Gjoni.
10. “Drama Fadil Paçrami“ 2006 skenar pёr film dokument, regjisor N.Ajazi.
11. ’’Atdheu lind nga tё rёnёt’’ 2006 skenar pёr film dokum, regjia Esat Ibro.
12. “Kur vriteshin poetët” 2007 skenar për film dokumentar. Regjia N.Ajazi.
13. “Poet i ekranit” skenar për film dokumentar. regjia P. Ruka.
14 “Aleksandër Moisiu“ skenar për film dokumentar. regjia N. Ajazi.
15. “Unë jam Ismail Qemali“ skenar për film dokum. regjia Viktor Gjika.
Filma vizatimorë
1. “I vdekuri i gjallё” 1993, skenar pёr film vizatimor, regjia Albert Malltezi.
(shpallur skenari mё i mirё i filmit nё Fest e 10 kombёtar tё Filmit shqiptar.)
2. “Ekuilibёr” 1994 skenar pёr film vizatimor, regjia Albert Malltezi.
3. “Nёntё vjet e nёntё ditё” 2001, skenar pёr film vizatim, regjia Artur Dauti.
Si regjisor ka realizuar: (skenari dhe regjia)
1 “Njëqind për qind” 1994 film artistik, skenar e regji P. Ruka, A. Minarolli.
2. “Plumbi prej plasteline” 1995 film art, s kenar e regji P. Ruka, A. Minarolli.
3. “Butrinti i gjallë” 1998. dok. për Kadri Roshin, skenari e regjia Petrit Ruka.
4. “Në fillim ishte Ademi” 1999 dok. për A, Jasharin, skenar e regji P. Ruka.
5 “Braktisja e Madhe” 2001 dok për emigrimin. skenari e regjia Petrit Ruka.
6. “Kapedani i këngëve”, 2005 dok. poetit Maliq Lila. S kenar e regji P. Ruka.
7. “Amanet Labërinë” 2006. Dok. për Enver Guga. skenari e regjia P. Ruka.
8. “Me varrin hapur” 2006 dok për L. Mërkurin. skenar e regji P. Ruka.
9. “Bolenë, trimja Bolenë” 2007 dok. skenari e regjia Petrit Ruka.
10. “Aulona Folk Inernacinal Festival“ I 2009 dok. skenar e regji P. Ruka.
11. “Folk Inernacinal Festival“ II film dok. S kenari e regjia Petrit Ruka.
12. “Folk Inernacinal Festival“ III film dokument. skenari e regjia Petrit Ruka.
13. “Poeti i ekranit, Viktor Gjika” 2009 film dok. skenari e regjia Petrit Ruka.
14. “Homerët e filmit ballkanik“ – vëllezërit Manaqi. dok. sken e regji P/ Ruka.
15. “100 vjet me Himnin e Flamurit“ film dokum. skenari e regjia P. Ruka.
16. “Flamurmbajtësi i Vatrës“ film dokumentar. skenari e regjia P. Ruka.
17. “Syri i Shqiponjës“ film dokumentar. skenari e regjia. Petrit Ruka.
18. “Buzët tek kënga…“ dok për poetin Agim Shehu. skenar regji. P. Ruka.
Të tjera:
1. Anëtarë i disa bordeve artistikë në RTSH. QKK dhe institucione të tjera.
2. Pjesëmarrës në disa Koferenca Kombëtare e Ndërkombët, për Kinematog,
3. Autor i një sërë shkrimesh në shtypin letrar, reportazhe, ese, artikuj për kulturën e kinematografinë.
ÇMIME LETRARE DHE FILMIKE
Çmimi libri më i mirë poetik i vitit 1983 me vëllimin “Atdheu fillon tek zemrat”
Disa çmime të para dhe të dyta për cikle poetik në shtypin letrar në gazetën “Drita” dhe “Nëntori” në vitet 1980- 1990
Çmimi i parë për skenarin e filmit “I vdekuri i gjallë” në Festivalin e 10-të Kombëtar Kinematografik 1993
Çmimi i parë për kameran në filmin artistik “Plumbi prej plasteline” në Festivalin Kombëtar Kinematografik 1995
Çmimi “Dokumentari më i mirë i Jubileut 2012” për filmin dokumentar “Kryekënga e Kombit” viti 2012
Çmimi i Akademisë KULT për dokumentarin më të mirë të viti 2012 për filmin “Kryekënga e Kombit” viti 2013
Çmimin poeti më i mirë i viti 2013 nga Fondacioni letrar “Harpa” Fier.
Çmimi i parë poetik në Manifestimin poetik të Pejës, 2015
TITUJ
Skenarist, akorduar nga Kinostudio “ Shqipëria e Re” në vitin 1988
Regjisor i filmit, akorduar nga Kinostudio “ Shqipëria e Re” në vitin 1995
MJESHTËR I MADH, akorduar nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bujar Nishani me dekretin nr, 9371, Tiranë, më 18 dhjetor 2015 me motivimin e mëposhtëm:“për krijimtarinë e tij letrare dhe kinematografike, si poet, skenarist, shkrim-tar e publicist i shquar”
ObserverKult
PETRIT RUKA: KAM NJË LËMSH NË ZEMËR