Fjalë të urta, shqiptarët kanë shumë. Ato janë thënie të shkurtra që në mënyrë shumë sintetike shprehin mendime e gjykime për ngjarje, dukuri e çështje të ndryshme dhe të cilat kanë dalë nga jeta dhe përvoja e popullit përgjatë shekujve.
Për këtë arsye, ato paraqiten si të vërteta të pakundërshtueshme e me vlerë të përhershme. Zakonisht shquhen për mprehtësinë dhe aftësinë për të shprehur mendimin me sa më pak fjalë dhe në mënyrë figurative.
Tematika e proverbave është shumë e gjerë dhe e larmishme.
Në vazhdim mund të lexoni disa fjalë të urta shqiptare që ObserverKult ka zgjedhur për ju:
- S’tunden malet me përralla.
- Në portën e të shurdhit mos trokit.
- Nuk mësohet plaku si duhet krehur mjekra.
- Pas lufte të gjithë bëhen trima.
- Mos ki frikë nga hasmi, po nga miku i rremë.
- Kur u ba horri pashë, vrau t’anë.
- Mos mëso ustanë, po merri zananë.
- Fjal’ e ëmbël thyhen të fortin.
- Fjala e mirë në ditë të keqe.
- Dy duar për një kokë, koka për atdhenë.
- Me njoftë veten asht urti, me qeverisë veten, është trimni.
- Po nuk nderove veten, s’të nderon njeri.
- Pyet shtatë a tetë, e bëj si di vetë.
- Qafa e unjur, koka e prerë.
- Qëndro shtyllë e mos u bëj urë.
- Kam inat po nuk kam takat.
- Qingji i urtë thithë dy nëna.
- Sa të mbledhësh ti rrusht, tjetri ka ngrënë një kosh.
- Kur të vjen nevojtari në derë, po s’pate gjë, jep një gotë ujë.
- S’mbartet ujë me shportë.
- Si është vendi bëhet kuvendi.
- Sevapi as shitet, as blihet.
- I ligu të puth e të kafshon.
- Njeriu vlen sa di, e din sa mban mend,
- Trimërinë pas luftës e urtësinë pas kuvendit s’e ha as qeni.
Përgatiti: ObserverKult
Lexo edhe:
BLERIM LATIFI: MIZOPATRIA – NDJENJA E URREJTJES PËR VENDIN TËND, QYSH ERDHËM NË KËTË DITË?