Po nuk nderove veten, s’të nderon njeri…

Fjalë të urta shqipe për lirinë e dinjitetin:

Dora e huj të krun, po jo ku të kruhet./ KOSOVË

Ec me këmbë tueja e jo me mend e huaja./ SHKODËR

E di gjalmi ç’ka torba./ PËRMET

E di vetë gomari ku i vret samari./ JUG

Gunë e huaj s’të mban ngrohtë./ KOLONJË

Gjithkush teshat i lan në shtëpinë e vet./ VERI

Hallet e mia i di trari im./ ELBASAN

Hall me qè e hall me buaj, po më keq me qè të huaj./ MYZEQE

I zoti ia sheh plagën kalit, nën samar, se qiraxhiu, ngrihet e shkon./ KORÇË

Jeton bleta majë malit, jeton dhe miza nën bisht të kalit./ KORÇË

Kali i botës s’të nxjerr jashtë portës./ SARANDË

Kafshata e huaj të mbet në fyt./ SHKODËR

Këmba e di se ku e vret këpuca./ LUKOVË- SARANDË

Kur se mbajnë njëzet e katër tuejt, nuk e mbajnë as katërdhetë e tetë të huejt./ SHKODËR

Kur m’i punonin arat, u liga dhe u thava, kur i punova vet, u maha dhe u ringjalla./ JUG

Kur s’ka trimni, s’ka liri./ KOSOVË

Kush mba vesh botën, prish kokën./ GJIROKASTËR

Kush merr mendjen e botës, i sjell dëm kokës./ PËRMET

Kush s’lufton për liri, robërinë e ka në shpi./ KOSOVË

Kush unj qafën i bie zverkut./ JUG

Ku të ha, kruaje./ GJIROKASTËR

Leku i huj, peshon rëndë në xhep./ PUKË

Liria fitohet e nuk dhurohet./ JUG

Liria fitohet vetëm me gjak./ KOSOVË

Liria i ka rrënjët në gjak./ JUG

Liria nuk blehet me para e me tokë, po fitohet me gjak e me kokë./ KOSOVË

Lira vjen kur s’i duhesh vdekjes./ BERAT

Më mirë një ditë në liri, se njëqind vjet në robni./ KRUJË

Më mirë i lig e i lirë, sesa shëndoshë e me zinxhirë./ KRUJË

Më mirë nën hijes ne ferres sime, sesa nën hijen e fikut tonë./ KOSOVË

Më mirë një ditë gjel, sesa tre ditë pulë./ ELBASAN

Më mirë Sokol një herë, se sorrë gjithherë./ SHKODËR

Mashë e tjetrit mos u bëj./ JUG

Me dorën e tjetrit, mos vrafsh as gjarprin./ SHIJAK

Me duart e mija rrafa kokën time./ MYZEQE

Më mirë gomar, po tëndin, se kalë, po të botës./ LUKOVË

Më mirë nën dhè i mbuluar, se mbi dhè i gjynjëzuar./ SKRAPAR

Më mirë të vdesësh duke luftuar, sesa të rrosh i gjynjëzuar./ SKRAPAR

Më mirë të vdesësh në këmbë, sesa të jetosh në gjunjë./ BERAT

Më mirë zog e në liri, sesa bilbil e në kulvi./ KURVELESH

Mikun nderoje dhe vëre në qoshe, po zot shtëpie të jesh vetë./ JUG

Mish të ngordhur edhe egërsira nuk ha./ SKRAPAR

Mjer puna ime, qe se bani dora ime./ KAVAJË

Mos shko maz pas pele./ KOSOVË

Mos shko pas qerres së tjetrit./ SKRAPAR

Mos u ban mjaltë, se të han mizat./ SHKODËR

Nën hije as bari nuk ngren krye./ JUG

Një gjë që të merr dora, mos prit të ta japin./ JUG

Një punë që s’e bën vetë, mos kërko të gjesh të metë./ TIRANË

Për çdo punë, puth dorën tënde./ ELBASAN

Po nuk nderove veten, s’të nderon njeri./ VLORË

Pyet shtatë a tetë, e bëj si di vetë./ VLORË

Qafa e unjur, koka e prerë./ LUKOVË

Qëndro shtyllë e mos u bëj urë.’ KRUJË

Rrushi varet në degët e vet./ LUSHNJE

S’bëhet dasma pa thyer kupa./ ARBËRESHËT E ITALISË

Gjithsecili në punën e tij është zot./ JUG

S’mbahet shpirti me falimnders./ VERI

Syri i të zotit plehron arën./ JUG

Trimëria dhe liria janë si nanë e bijë./ KRUJË

ObserverKult