
Në prag të festës së 7 Marsit, historitë e mësuesve që lënë gjurmë edhe përtej mureve të klasës marrin një vlerë të veçantë. Një prej tyre është Suela Kaja, mësuesja e shkollës 9-vjeçare “Vasil Shanto”, në Tiranë, e cila numëron plot 27 vite karrierë në arsim.
Për mësuese Suelën, suksesi nuk matet me statistika, por me emrat e ish-nxënësve të saj që sot janë juristë, avokatë dhe mjek të afirmuar brenda dhe jashtë Shqipërisë.
Ajo beson fort se roli i arsimtarit tejkalon shpjegimin mekanik të librit. Duke cituar shprehjen e njohur, Suela thekson se:
”Mësuesi i zakonshëm tregon, mësuesi i mirë shpjegon, mësuesi i dalluar demonstron, por mësuesi i madh frymëzon.”
Për të, arritja më e madhe në këto tre dekada mbetet fitimi i respektit nga njerëzit inteligjentë dhe, mbi të gjitha, dashuria e pakushtëzuar e fëmijëve.
Mësuese Suela e sheh marrëdhënien mësues-nxënës si një udhëtim ku mësuesi tregon rrugën, por gëzimi i zbulimit u përket të dyve. Po ashtu, ajo vë theksin te “Trekëndëshi i Artë” (Prind-Nxënës-Mësues), të cilin e quan një “ekip ëndrrash” që bën të mundur që fëmija jo vetëm të mësojë, por të bëhet një njeri më i mirë për shoqërinë.
Në vizionin e saj për arsimin modern, mësuesja e “Vasil Shantos” sugjeron që fëmijët duhet të fokusohen gjithnjë e më shumë te:
–Kreativiteti dhe arti: Për të ushqyer shpirtin kritik.
-Shkenca dhe teknologjia: Për të ecur me hapat e kohës.
-Natyra dhe gjuha: Si mjete jetike për komunikim dhe kulturë.
Në fund, mësuese Suela përcjell një urim të përzemërt për të gjithë kolegët e saj: Gëzuar 7 Marsin të gjithë mësuesve që me punën e tyre ndërtojnë të ardhmen!
Në vazhdim e gjeni edhe një letër plot dashuri, që një nxënës i vogël e shkroi për mësuesen Suela Kaja.


ObserverKult






