Pas zgjedhjes, Ugzmajli zotohet për ngritjen e nivelit artistik të Teatrit të Ferizajt

Teatri “Adriana Abdullahu” i Ferizajt është bërë me udhëheqës artistik. Në institucionin me traditë 75-vjeçare, kjo pozitë i është besuar regjisorit Besim Ugzmajli. Njoftimi për përzgjedhjen e tij në, ashtu sikurse edhe e nëntë punonjësve të tjerë si staf teknik, është dhënë të mërkurën. Kësisoj, ky institucion po realizon atë që kishte kërkuar tash e dy dekada.

Ugzmajli ka thënë se do të fokusohet që të punojë me përgjegjshmëri. Ka shpalosur se në mesin e objektivave të tij është krijimi i hapësirës për regjisorë të rinj dhe të verifikuar. Ka thënë se synim e ka promovimin e dramës origjinale shqipe. Një repertor të larmishëm që do t’i afrojë grupmoshat e ndryshme me këtë formë arti, është një tjetër pikë e platformës së tij. Por fillimisht i duhet të merret me formulimin e një rregulloreje të brendshme.

Ugzmajli mori pozitën e udhëheqësit artistik në bazë të konkursit që hapi Komuna e Ferizaj për plotësimin e stafit në teatrin e qytetit “Adriana Abdullahu” më 24 korrik të këtij viti. U vlerësua me 97 për qind të pikëve. Kundërkanditat ka pasur Arben Marevcin. Nga gara ishte diskualifikuar kandidati i tretë, transmeton ‘koha.net’.

Në njoftimin e Komunës janë bërë të ditur edhe nëntë të punësuarit në pozita si, mjeshtër ndriçimi, mjeshtër zërimi, gardërobier, grimer, punëtor skenik, zyrtar administrativ. Në pozitën e dramaturgut kishin konkurruar pikërisht dyshja Ugzmajli e Marevci e aty u emërua ky i fundit, që mori 98, 84 për qind të pikëve.

Regjisori Ugzmajli ka thënë se teatrin i qytetit “Adriana Abdullahu” ka potencial të mjaftueshëm dhe tani me plotësimin e pozitave – si dhe përzgjedhja e aktorëve rezidentë që pritet të bëhet këtë javë – do t’u ofrojë regjisorëve punë profesionale nga të gjitha aspektet, si atë teknik, artistik, po ashtu edhe aktoresk.

Në fund të korrikut teatri i Gjakovës “Hadi Shehu” u bë teatri i tretë i qytetit i cili u bë me aktorë rezidentë.