7 Marsi, Dita e mësuesit, kujtohen sakrificat për zhvillimin e arsimit

Kjo e shtunë përkon me festën shumë të dashur për shqiptarët, 7 Marsi, e njohur ndryshe si ‘Dita Kombëtare e Mësuesve’.

Duke qenë tashmë pjesë e traditës, kjo festë kremtohet nga të gjithë shqiptarët, nxënësit në mbarë vendin, në shenjë vlerësimi të traditave më të mira të shkollës kombëtare shqipe, të figurës së nderuar të mësuesit si edukator i brezit të ri.

Mësonjëtorja e parë u çel në 7 mars në 1887 në kushtet e pushtimit otoman. U themelua nga një grup rilindasish, ndërsa ishte e para shkollë fillore me një fizionomi të theksuar kombëtare dhe laike, ku të gjitha mësimet jepeshin në gjuhën shqipe. Sipas dokumenteve të kohës, veprimtaria e kësaj shkolle përshkohej nga idetë patriotike, edukata e punës dhe dashuria për dije. Mësonjëtorja e parë shqipe u përkrah gjerësisht nga masat patriotike korçare dhe ato të mërgimit. Në këtë shkollë jepeshin lëndët, shkrim, këndim, gjuhë shqipe, gramatikë shqipe, histori e Shqipërisë, gjeografi, aritmetikë.

Drejtuesit e parë të shkollës qenë patriotët e Rilindjes sonë Kombëtare, Pandeli Sotiri, Petro Nini Luarasi, Nuçi Naçi, etj, ndërsa drejtor i parë i saj u zgjodh Petro Nini Luarasi, një nga figurat kryesore të kohës, veprimtar i Rilindjes Kombëtare shqiptare, publicist dhe pedagog. Ai mëtoi mësimin e gjuhës shqipe në fshatra të ndryshme të Shqipërisë, hapi shkollën e parë shqipe në Ersekë dhe shkollat shqipe në krahinën e Kolonjës.

Një nga nismëtaret e krijimit të shkollës shqipe ishte edhe Parashqevi Qiriazi, atdhetare dhe veprimtare e shquar, e cila punoi për arsimimin e gruas shqiptare. Me botimin e librit të saj “Abetare për shkollat e para”, ajo zuri vend në historinë e shkollës shqiptare, si e para grua autore e teksteve shkollore.

Mësonjëtorja e parë shqipe pati një jetë 15-vjeçare, ku përballoi pengesat dhe vështirësitë e nxjerra nga pushtuesit otomanë dhe sidomos kleri, që kërkonte ndalimin e përhapjes dhe mësimit të gjuhës shqipe. Rëndësia e krijimit të kësaj shkolle qëndron në faktin se ajo institucionalizoi mësimin e gjuhës shqipe në Shqipëri dhe krijoi një plejadë njerëzish, të cilët u bënë më vonë veprimtarë të lëvizjes për çlirim kombëtar dhe shoqëror të vendit. Në përkujtim të krijimit të Mësonjëtores së parë shqipe me vendim të Qeverisë Shqiptare në vitin 1960 u vendos që 7 Marsi të njihet si “Dita Kombëtare e Mësuesve”.

ObserverKult