73 vite suksesi në skenë, aktorja e madhe Margarita Xhepa: Kur erdha në Tiranë s’dija as ku ishte Teatri…

Ikonë e filmit dhe teatrit, Margarita Xhepa ka një vend special në listën e personazheve të vitit. E ftuar në “Opinion”, kohë më parë, ajo rrëfeu pak nga mbi 73 vitet intensive të saj në skenë.

Për herë të parë para publikut ajo doli në moshën 15 vjeçare, dhe prej atëherë pati suksese të njëpasnjëshme.

-Kur ke dalë në skenë për herë të parë?

Margarita Xhepa: Në moshë shumë të re. Sa mbarova 7-vjeçaren.

-7 vjeçaren?!

Margarita Xhepa: Në 1950-ën, në Lushnje.

-73 vjet përpara ke dalë në skenë!

Margarita Xhepa: Me poezinë, aty kishim një shtëpi kulture dhe një pjesë ruse ma besuan mua, dola mirë në atë rol dhe seksioni i arsimit më nxori bursën për në Liceun Artistik. Erdha në Tiranë dhe aty fati më ndoqi, kryeregjisor i Teatrit Popullor atëherë ishte Pandi Stillo. Sikur lashë përshtypje të mira, unë dy poezi kisha.

-I mban mend poezitë?

Margarita Xhepa: Po si si mbaj mend?! “Malet e Shqipërisë” të Naim Frashërit dhe Gjuha jonë sa e ëmbël sa e bukur…Mbi të gjitha ishte ajo që më dhanë një ushtrim.

Aty kuptonin se ke talent dhe u emocionova shumë. Më thanë do presësh te korridori e pastaj regjisori më tha “nesër do vish në teatër në 9 pa çerek”. Dola vërtetë.

-Ti se dije as teatrin rrezik ë?

Margarita Xhepa: Nuk e dija, me të pyetur. Imagjino, 15 vjeçe. Erdhi aty aktori i mirënjohur Lazer Filipi, ça është ajo vajzë tha që rri si zog aty në stol? Po pres i thashë kryeregjisorin.

Shkova në drejtori dhe më thanë do vish aktore në Teatrin Popullor dhe gjatë kësaj kohe do bësh dhe Liceun Artistik. Ashtu ndodhi. Me një rrogë relativisht të vogël, 3800 lekë, m’u duk gjë e madhe.

Hyra në teatër dhe rolin e parë bëra të kamerieres, me emocion dhe ajo krijoi besim te regjisorët.

Aktorja e madhe ka luajtur plot mbi 100 role në teatër dhe ka marrë pjesë në 40 filma.

Xhepa rrëfeu dhe momentin më emocionues të karrierës së saj.

“Nuk e harroj kurrë, në vitet ’60 isha 25 vjeçe. Vjen regjisori rus, do vinte në skenë “Hamletin”, ishte një fat i madh për teatrin tonë. Kam një moment shumë të bukur sa hyri regjisori.

Duke takuar aktorët, sa më pa mua ndau rolin, Ofelia. Të gjithë erdhën më uruan sepse ishte një rol që është fat ta kesh në jetën artistike. E punova me dashuri”, tha aktorja./rtvKlan

ObserverKult


Lexo edhe:

VALLJA DEVOLLITE SHPALLET PASURI KOMBËTARE

Pak ditë më parë pasuri kombëtare u shpall veshja e gruas mirditase, pastaj ‘Fyejt e Gramshit’ derisa një lajm tjetër po ashtu i mirë i kësaj natyre është bërë me dije së fundmi. Bëhet fjalë për vallen devollite të burrave e cila valle është shpallur “Kryevlerë Kombëtare e Trashëgimisë Kulturore Jomateriale”.

Këtë e ka bërë me dije, ministrja e Kulturës e Shqipërisë, Elva Margariti, përmes një njoftimi në rrjetet sociale, derisa ia ka bashkangjitur edhe disa fotografi.

Tekstin e plotë mund ta lexoni KËTU:

ObserverKult