Ermonela Jaho: Arti nuk është një gjë e lehtë, ai ka nevojë për disiplinë të hekurt

Emonela Jaho

Sopranoja shqiptare, një nga më të famshmet në botë, rikthehet këtë Krishtlindje në Teatrin Mbretëror, për të kënduar këngën “La Bohème”, nga Puccini.

Ermonela Jaho iu përkushtua sopranos menjëherë pasi pa për herë të parë shfaqjen La Traviata dhe u zotua të mos vdiste pa e bërë të paktën një herë këtë gjë. Ishte emigrante në Itali, realizoi ëndrrën e saj dhe sot është një nga sopranot më të mëdha në botë: me forcën e karakterit, vullnetit dhe, siç thotë ajo, të autenticitetit. Pandemia e ka bërë më të fortë, ajo beson se: “Do të ketë një betejë dhe kushdo që transmeton të vërtetën në skenë do të fitojë”.

Disa këngëtarë kanë pësuar krizën e tyre gjatë pandemisë, si e keni përballuar atë?

– Ka qenë një situatë e vështirë. Një ndalesë e papritur që të bën të rimendosh gjithçka. Çdo shfaqje e konsideroj gjithmonë sikur të ishte e fundit që do të bëja në jetën time. Dhe kjo më ka ndihmuar ta përballoj këtë situatë, sepse, në fakt, gjithçka mund të zhduket në një çast. Gjithsesi, shfrytëzova rastin të përmirësohem, megjithëse anulova tetë kontrata.

A keni kënduar për veten tuaj?

– Më ndodhi diçka e papritur. U ndjeva pak e padobishme.

-Pse?

– Më sugjeruan të këndoja online, e provova por nuk funksionoi.

Keni nevojë për audiencën përpara?

– Po, shumë. Madje kisha nevojë për atë frikë që të bën të ndihesh e papërsosur. Kjo energji është thelbësore. Ndërsa këndimi para ekranit…

A nuk ka kuptim?

– Jo, nuk ka. Muzika është gjuha e shpirtit. Grekët na mësuan se ne bëjmë muzikë për të nxitur emocione tek të tjerët, si një terapi.

-Atëherë, jashtë ekraneve.

– Jashtë, po. Jam munduar por e kam gjetur veten të ftohtë. S’e kam kuptuar. Dukesha e padobishme, besova se nuk jam e aftë të këndoj, u ndjeva…

-Qesharake?

– Pikërisht kjo. Nuk guxova ta them por po, qesharake. Kështu iu përkushtova studimit dhe pritjes së fatit. Dhe fati im është të këndoj për këdo që është para meje. Kjo është ajo që kam bërë gjatë gjithë jetës sime, që kur isha fëmijë. Është tjetër gjë të studiosh dhe tjetër gjë të vihesh para publikut sepse ne jemi gladiatorë të skenës.

A lidhet studimi me testimin e rreziqeve?

– Unë e konceptoj studimin për të provuar veten, për të kapërcyer kufijtë e tu, për të parë nëse je i aftë për më shumë. Dhe në pandemi kam studiuar sikur do të përgatitesha për një maratonë dhe e kam kuptuar që po, mund të shkoj më tej dhe të mos ngec në rehati.

Ju e keni testuar qëndrueshmërinë tuaj. Po brishtësinë?

– Janë dy pole dhe mes tyre nuk ka asnjë pikë të ndërmjetme: ndërmjet forcës dhe dorëzimit. Kjo është jetë a vdekje, më falni nëse duket e ekzagjeruar. Të gjitha ose asgjë. Skena është një vend i shenjtë.

-Ju vini nga Shqipëria komuniste, supozoj se duhet të ketë qenë e vështirë.

– Shumë. Babai im ishte ushtarak dhe profesor i filozofisë. Një idealist që më përcolli një disiplinë themelore për karrierën dhe jetën time. Arti nuk është një gjë e lehtë, ai ka nevojë për disiplinë të hekurt. Nëna ime, mësuese, duhej të rriste pesë fëmijë. Në atë mjedis ku mungonte liria, ndjeja se duhej të bindesha, të isha e përsosur përballë asaj që prisnin prindërit e mi. Kjo më përndjek.

Edhe sot?

– Pikërisht, edhe sot. Prindërit e mi e panë që isha e lumtur duke kënduar. Se kjo ishte mënyra ime për të pushtuar lirinë. Se përcillte ndjesi të ndryshme, se ishte diçka tjetër. Kjo më ndodh edhe sot, në çdo personazh jap një pjesë të vetes. Nëse ndjej diçka sot, është se jam pafund mirënjohëse ndaj prindërve të mi, për gjithçka që kanë bërë për mua.

-Si menduat se mund t’i përkushtoheshit operës?

– Kur pashë për herë të parë një Traviata në Tiranë. I premtova vetes se nuk do të vdisja pa e bërë të paktën një herë këtë gjë.

Dhe sa shfaqje keni bërë?

– 301. I kam numëruar pikërisht sepse ia kam bërë vetes atë premtim. Të kuptoj se sa më ka kushtuar. Imagjinoni një vajzë 18-vjeçare që emigroi nga Shqipëria në Itali në atë kohë kur anijet e ngarkuara me bashkatdhetarët e mi mbërrinin në porte, pa para apo me një fiksim që ishte më shumë se një ëndërr. Pa e ditur se sa të vërteta përmban ajo ëndërr ose nëse është një halucinacion, sa herë duhet të biesh dhe të ngrihesh. Ju duhet të matni forcën tuaj dhe padyshim disiplina e babait më ndihmoi shumë. Ju gjithmonë mund të shkoni më tej.

Intervistë dhënë për “El Pais”. Përktheu dhe përshtati “Diaspora Shqiptare” 

_ _ _ _ _ _ _ _ _ _ _ _ _ _ _ _ _ _ _ _ _ _ _

Lexo edhe:

DEL NË ANKAND REGJISTRIMI I INTERVISTËS SË PAPUBLIKUAR TË JOHN LENNON

ObserverKult