
Biblioteka Kombëtare e Kosovës do të organizojë të enjten, më 25 qershor 2026, në orën 11:00, një takim përkujtimor dhe nderues kushtuar shkrimtarit, studiuesit, profesorit universitar dhe akademikut Rexhep Qosja, me rastin e 90-vjetorit të lindjes së tij.
Ky aktivitet do të mbahet në ambientet e Bibliotekës Kombëtare dhe përfaqëson të vetmin organizim përkujtimor që zhvillohet me pëlqimin e familjes së të ndjerit. Organizatorët kanë bërë të ditur se ceremonia do të respektojë plotësisht vullnetin e Rexhep Qosjes, i cili kishte kërkuar që në nder të tij të mos organizohej asnjë veprimtari me karakter politik.
Në qendër të këtij takimi do të jetë vlerësimi i jetës dhe veprës së njërit prej personaliteteve më të rëndësishme të kulturës, letërsisë dhe mendimit shqiptar. Rexhep Qosja la pas një opus të pasur letrar, shkencor dhe publicistik, duke ushtruar ndikim të veçantë në studimet letrare, kritikën, historinë e letërsisë dhe debatin intelektual shqiptar për më shumë se gjashtë dekada.
Ligjëratën përkujtimore do ta mbajë Dr. Ag Apolloni, profesor universitar dhe ish-student i Rexhep Qosjes. Në fjalën e tij pritet të ndalet te kontributi shumëdimensional i akademikut, si shkrimtar, studiues, pedagog dhe figurë e rëndësishme e jetës intelektuale shqiptare.
Biblioteka Kombëtare e Kosovës fton studiues, lexues, bashkëpunëtorë, studentë dhe qytetarë të interesuar që t’i bashkohen këtij homazhi kulturor në nderim të jetës dhe veprës së akademikut Rexhep Qosja.
ObserverKult






