Gjergj Fishta: Kriteret që duhet të plotësojë ai që kërkon të jetë deputet

At Gjergj Fishta (1923) – Revista Hylli i Dritës

Për shtetin tonë është nevoja të mblidhet sa më parë Kuvendi i Dheut ose Konstituenta, sepse nevojitet një reformë rrënjësore si nga trajta politike edhe nga parimet kulturore, sipas të cilave të ndërtohet përfundimisht shteti shqiptar.

Për të ligjëruar me ndonjë kalangerç “gishti” intrigat e ambicjet e njërës a të tjetrës kastë, të njërit e të tjetrit idiot surrullup e surrat-qerep, s’ia vlen as mundimi të mblidhet Kuvendi i Dheut, e është një krim të shpenzohen paratë e Shtetit – gjaku i popullit të ngratë – për një komedi kaq të dëmshme të poshtër.

Së pari e kryesorja, delegati për Asamblenë Kushtetuese duhet të jetë Shqiptar. Kur them “Shqiptar” kuptoj Shqiptarin tamam Shqiptar, domethënë: Shqiptar me gjuhë e Shqiptar me të lindur – që të ketë lindur brenda kufijve të Shtetit Shqiptar: e jo Shqiptar adoptiv – bir në shpirt i Shqipërisë – Shqiptar me dy pasaporta në xhep: me valixhe ne dorë e me shtëpi në shpinë të kalit – sot këtu, nesër kushedi se ku: si zogjtë, që ndërrojnë vend sipas këmbimit të stinës.

Prej kësaj rregulle të përgjithshme do të përjashtohen të gjithë ata, që me botime të veta të vlershme kanë ndriçuar e begatuar letërsinë shqipe, e me të holla e vepra të tjera patriotike janë orvatur për triumfin e lirisë sonë kombëtare.

Gjergj Fishta

ObserverKult

=============

Lexo edhe:

HALIL MATOSHI FITON ÇMIMIN KOMBËTAR “ALI PODRIMJA” / “THE LIL’S POEM”, LIBRI MË I MIRË ME POEZI NË VITIN 2023