Unë tani erdha
Me tërë paqen e shpirtit dhe të frymës sime
Asgjë mos prit ta përkapësh me një vështrim
Shpirti merr pamje soditëse vetëm të dielave
Fryma rri pezull mes meje dhe botës.
Do të rri dhe pak, pastaj do të iki
Përndryshe mollët e pjekura do të kalben mërzie.
Do të rri aq sa duhet dhe asnjë çast më tepër
Ikja ka vlerë kur fryjnë erërat e diellit
Ardhja pagëzohet me disa pika shiu
Në një ditë të kthjellët si ujërat e Jonit.
Mos m’u lut fare të rri këtë të hënë
E kaltra e ujërave është zëri i shtegtimeve të mia
Thirrja e bekuar e thellësisë së qiejve
E vetmja lumturi pa brenga lamtumirash.