Historia e armëve sipas Leo Alexander Freundlich
Historinë se si armët përfunduan në Vjenë e jep konsulli i Shqipërisë në Austri gjatë Mbretërisë së Zogut, Leo Alexander Rfeundlich.
Në Arkivin e Shtetit në dosjen e Skënderbeut gjendet një shkrim ku tregohet historia e udhëtimit. Artikulli i Freundlish, një njeri i pasionuar pas historisë së Shqipërisë, përdor rrëfimin e drejtorit të mbledhjeve të Muzeut Historik të Vjenës për të treguar të vërtetën e armëve të Skënderbeut.
Sipas tij, për herë të parë këto objekte janë përmendur në vitin 1578.
Më 15 tetor të këtij viti, Mario Sforza, duka i Urbinos, i shkruan një letër arqidukës Ferdinand. I thotë se do t’i dërgojë atij armët e Skënderbeut, dhe të vëllait të tij.
Ky është një fakt që dëshmon se mes arqidukës dhe Mario Sforzas janë këmbyer shumë letra.
Më 15 maj 1579 arqiduka i Tirolit i shkruante dukës së Urbinos, Maroi Sforza. E falënderon për armët e Skënderbeut dhe për të tjerat që do t’i binin në dorë, transmeton ObserverKult.
Ndërsa për herë të dytë këto armë përmenden në një letër të dukës Von Arescot, e shkruar me 25 korrik 1588. Aty flitet për armët e tjera të Skënderbeut.
Në inventarin e vitit 1585 këto objekte nuk ishin të shënuara ende.
Ndërsa në inventarin e vitit 1593 shënohet: “Në fletën 69, dy shpata dhe elmi i Gjergj Skënderbeut”.
Prej këtyre shkresave dhe inventarit mund të konstatohet lehtë se dy shpatat e Skënderbeut kanë rënë në dorë të arqidukës Ferdinand midis vitit 1588-1593 nëpërmjet dukës Mario Sforza të Urbinos dhe të dukës Arescot.
Ekzaktësisht në inventarin e vitit 1596, faqe 321, janë përmendur dhe shënuar elmi nr. 71 (127) dhe dy shpatat nr.92 (145) dhe 345 (550).
Aty shënohet: “George Skanderbeg: një elm i bardhë me rrafshe të arta sipër një kokë dhie e artë me dy brirë. Dy shpata, njëra me një dorezë prej lëkure, e cila nga pesha e rëndë dhe prej shenjave të gjakut që duken ende, ngjan më e madhërishme. Tjetra është me një dorezë kadife ku është shënuar emri i Skënderbeut.
Në inventarin e pikturave të sekretarit privat Schrewnchk të titulluar “Armamentarium heroicum” të vitit 1601, ne shohim në tablonë 16, Skënderbeun me elmin nr.71 (127) dhe me shpatën nr.345 (550).
Shkruhet: Në një kornizë me ornamente të shumta rrinë në këmbë Skënderbeu i veshur me një pallto të gjatë me astar lëkure e mbërthyer në gjoks me shirita. Me kokën dhe mjekrën e gjatë kthyer nga krahu i majtë, ku i duket profili.
Në krahun e djathtë ai mban lart shpatën e zhveshur nr. 345 (550. Poshtë në tokë afër këmbës së majtë qëndron elmi nr. 71 (127).
Në kokë mban një beretë. Objektet që janë pikturuar në fotografi i ngjajnë shumë atyre në origjinal që ndodhen në muzeun e Artit Historik të Vjenës.
Shihet qartë që këto dy objekte njiheshin që në vitin 1601 si sendet e Skënderbeut. Ja një përshkrim i imët mbi dy shpatat e mbi përkrenaren:
Në sallën XXV Nr.71/127 ndodhet një përkrenare e shtrirë në një piedestal të ulët, e cila duhet të jetë prerë si mbas stilit italian. Në majë të përkrenares janë vendosur kryet dhisë, por asht fiksue mirë.
Përkrenarja përbëhet prej dy pjesëve, një pjesë prej bakri dhe pjesa tjetër sipër me një copë metali buzët e secilës janë zbukuruar me ar.
Syve të dhisë u mungojnë gurët. Akoma duket vendi bosh, i cili të jep të kuptosh se brenda kanë qenë vendosur gurë. Në mesin e përkrenares është vendosur një rreth prej bakri.
Në këtë rreth janë shkruar këto shkronja: I.N.P.E.RA.TO.RE.BT. Ky shkrim është shumë i vështirë për t’u kuptuar çfarë thotë.
Deri më tani e kanë deshifruar si: “Jesus Nazarenus Principi Emathiae Regi Albaniae Terrori Osmanoru Regi Eperi Benedicat”. Pesha e përkrenares është 3000gr.
Kjo përkrenare është një “unikum”, i vetmi e i veçantë që gjendet në muzeun dhe i përket artit të punimit të metalit në stilin gotik të vonshëm.
Përpara së gjithave kjo përkrenare në pikëpamjen estetike është një vepër e mrekullueshme dhe i ka hije vetëm një burri të fuqishëm të fortë e me vullnet të hekurt.
Shpata që ndodhet në sallën XXVII, rafti V.Nr.345(550) është e gjatë 88.5 cm e gjerë 57 cm, me dy tehe dhe me një formë të drejtë dhe në një vend të kthyer përmban disa shkronja latine. Prej këtyre shkronjave lexohen këto fjalë: “Heroi i perëndisë, Iskander Beg”.
Doreza është e përbërë prej druri të mbështjellë me lëkurë, pesha e kësaj shpate asht 1300 gr.
Shpata me dorezë është e veshur me lëkurë shagreni, ka nga anët e jashtme 4 arabeska të thella, tre rripa për hijeshim.
Anët e jashtme përshkohen prej fildishi dhe në anët e brendshme shohim disa germa të kuqe, të cilat janë shkruar më shekullin e XVI e që përmbajnë emrin “Scënderbeg”.
Pesha është 600gr dhe pesha e përgjithshme 1900 gr. Kjo shpatë është e shënuar dhe pikturuar në librin e sekretarit privat të arqidukës së Tirolit, Jakob Schrenckh, “Armametarium heroicum”, në faqet XVI.
Përveç këtyre në sallën e armëve historike të muzeut të Vjenës gjendet dhe një tjetër, e cila quhet si një nga shpatat e Gjergj Kastriotit dhe është shënuar në inventarin mbajtur në vitin 1593.
Kjo shpatë të jep të besosh nga pesha e rëndë dhe nga gjatësia se Kastrioti me një të goditur i ndante në dy pjesë trupat e armiqve.
Kjo shpatë gjendet në sallonin XXV, rafti II Nr.92(143), gjatësia e saj 121 cm dhe doreza është e zbukuruar me ar dhe me lëkurë. Pesha e saj është 3.2 kg.
ObserverKult
Lexo edhe:
KURT TUHOLSKI: NËNË T’I PUTHIM ATO DUAR
Na bëjë bukë ne,
na bije kafe
dhe gjellë na ke gatuar
dhe qepe dhe fshive,
në punë u gdhive …
gjithçka me ato duar.
Ti qumështin valove,
të ëmbla gatove,
punove keqpaguar.
Këmishet pastrove,
patate qërove …
gjithçka me ato duar.
Ngandonjëherë ti,
kur bënim prapësi,
edhe na ke qëlluar.
Të gjithë na rrite vetë,
ne ishim jo pak, po tetë,
gjashtë jemi ende në jetë…
gjithçka me ato duar.
Herë akull, herë me zjarrmi,
u plakën ato tani,
tani te fundi je afruar.
Dhe erdhëm sot këtu.
ne, femijët e tu,
t’i puthim ato duar.
Përktheu: Petraq Kolevica
ObserverKult