Momente të shkëputura nga përditshmëria që janë shkrepur nga të pasionuarit e fotografisë, u ekspozuan në edicionin e nëntë të konkursit ndërkombëtar “PreFoto”.
Dyzet e katër imazhet e prezantuara në këtë ngjarje, u përshkruan si vepra artistike në kërkim të së vërtetës, ngushëllimit dhe humanitetit, transmeton KTV.
Stilet e ndryshme të këtyre çasteve të aparatit fotografik, nga juria janë konsideruar se dokumentojnë lëvizjet e lira dhe në fokus kanë ngacmimin estetik.
Fotografët, Afrim Spahiu, Dragoslav Mirkovic dhe Elton Koritari kanë vendosur që këtë konkurs ta fitojë fotografia e shkrepur nga Hadvig Kadriut.
Fotografia e realizuar nga Samir Zahiroviq dhe ajo e austriakut Wolfganf Habringer janë vlerësuar me medaljen e artë, ajo e Arnoldo Paulo me të bronztë dhe fotografia e Daniel Lybaert me të argjendtë.
Me çmim special është shpërblyer fotografja Erza Kryeziu, e cila ka dokumentuar një pjesë të migrimit.
Organizatorët kanë thënë se fotografitë e prezantuara në këtë edicion janë realizuar gjatë tre vjetëve të fundit. Sipas tyre “PreFoto” edhe njëherë e shndërroi qytetin e Preshevës në vendtakim për fotografët e rajonit.
Gjatë këtij edicioni të “PreFoto” u mbajt edhe një punëtori me të rinjtë, të cilët mësuan për qasjen në realizimin e fotografisë analoge.
Fotografitë e edicionit të dhjetë të “PreFoto”, do të qëndrojnë të ekspozuara për dhjetë ditë në hapësirën e Shtëpisë së Kulturës “Abdulla Krashnica” në Preshevë.