
Në HangArt-Kinostudio, Galeria Kombëtare e Arteve prezanton ekspozitën kolektive “Në të tashmen – Fondi i Krijimtarisë 2026”.
Në këtë ekspozitë prezantohen veprat e reja të 16 artistëve shqiptarë, të përzgjedhur përmes thirrjes së hapur të shpallur për herë të parë në vitin 2026, me nismën e Ministrisë së Turizmit, Kulturës dhe Sportit e Shqipërisë.
Artistët e përzgjedhur ndahen në dy kategori: 10 artistë të afirmuar dhe 6 artistë të rinj. Që prej korrikut 2026, ata kanë punuar për realizimin e projekteve të tyre, në fusha të ndryshme si piktura, skulptura, fotografia, videoja, performanca dhe instalacioni.
Artistët pjesëmarrës janë: Jon Azizaj, Kristanja Çene, Fатlum Doçi, Gentian Doda, Ilir Kaso, Sead Kazanxhiu, Beskida Kraja, Aurela Kumanaku, Lori Lako, Blerina Muça, Matilda Odobashi, Remijon Pronja, Leonard Qylafi, Enza Rripaj, Endi Shani, Abi Shehu.
Ekspozita e tyre do të mikpresë artdashësit deri më 15 nëntor.
Veprat trajtojnë tema të ndryshme të shoqërisë bashkëkohore, përfshirë mjedisin, kujtesën, migrimin, punën, identitetin, teknologjinë dhe marrëdhënien e individit me realitetin. Ekspozita sjell së bashku artistë të brezave të ndryshëm, me praktika dhe përvoja artistike të zhvilluara si në Shqipëri, ashtu edhe në skenën ndërkombëtare.
Përmes Fondit të Krijimtarisë 2026, Galeria Kombëtare e Arteve mbështet financiarisht prodhimin e veprave të reja dhe krijon mundësi për prezantimin e tyre para publikut./atsh
ObserverKult
Lexo edhe:






