Rekomandime leximi nga Ahmet Selmani

para dhe pas ahmet selmani
Në kuadër të rubrikës Rekomandime leximi, Observer Kult kësaj radhe ka mysafir shkrimtarin dhe studiuesin e letërsisë Ahmet Selmani. Ja cilat janë tri librat që Selmani ua rekomandon t’i lexoni:  

Shumë e shumë herë thuhet se leximi është një veprim kryekëput personal, por kjo assesi nuk do të thotë se s’kemi të drejtë t’ua rrëfejmë edhe të tjerëve. Pra ai mund të shndërrohet edhe në një rekomandim fisnik, si një lloj modeli që duhet ndjekur edhe nga të tjerët.

Nga Ahmet Selmani

Megjithatë kjo është vetëm një prirje e çastit, e rrethanave apo e kohës përkatëse. Më vonë mund të lindë diçka tjetër si model sugjerues. Prandaj, në këto momente një gjë e tillë ndodh edhe me mua si lexues i vetmuar, por që parapëlqej të mburrem si Borhesi. Pra, krahas dhjetëra librave që kam lexuar kohëve të fundit, mund t’i veçoj tre prej tyre. Dhe, pa dyshim, jam shumë i prirur që t’i ndaj me të tjerët. Bie fjala, romani “Flaka misterioze e mbretëreshës Loana” i Umberto Ekos (përkthyer nga Diana Çuli) është një libër që të bën të ndihesh lexues në kuptimin më elitar të fjalës. Nëpërmjet personazhit të romanit, Jambos, një librar antikuaresh që jeton në qytetin e Milanos, i cili ka pësuar një goditje cerebrale, ne zbulojmë  një mister të shpirtit njerëzor. Ndonëse ai e ka humbur kujtesën, prapëseprapë, mund të sjellë ndër mend përmbajtjen e çdo libri që e ka lexuar, secilin varg të poezive, por nuk e di emrin e vet, nuk e njeh gruan e as  vajzat e tij, madje nuk i kujtohet asgjë nga fëminia. Gjatë përpjekjes për ta rimarrë veten, gruaja e bind që të kthehet në shtëpinë e familjes ku është rritur. Atje gjen gazeta të vjetra, libra vizatimorë, disqe muzikore, albume fotografish dhe ditarë të rinisë së hershme. Në këtë mënyrë Jamboja fillon ta rrëfejë historinë e breznisë dhe kohës së tij. Pra Jamboja lufton përmes zbrazëtirave të kujtesës për ta risjellë atë që i përket. Në të vërtetë atij i duhet së pari ta humbë kujtesën, që ta rizbulojë botën. Thjesht, është një shkundje e qenies njerëzore, një alarm për kujtesën e cila po zhduket në kohën tonë.

Një libër tjetër që mund ta ndajë me të tjerët, është edhe romani “Abadoni, engjëlli i skëterrës” i Ernesto Sabatos (përkthyer në shqip nga Erion Karabolli). Kemi të bëjmë me një histori sa të errët, aq edhe të fuqishme, e cila zhvillohet në qytetin e Buenos Airesit, në një atmosferë klaustofobike, e cila paralajmëron shumë gjëra për ngjarjet e trazuara politike që do të përjetonte pak vite më vonë. Në fakt ky është qyteti i skuadrave të vdekjes, i torturave çnjerëzore që ndodhin gjithandej, është qyteti i inteligjencies radikale të majtë, i fretërve borgjezë dhe të rinjve të sinqertë të cilët janë të dhënë pas politikës e filozofisë, në mesin e të cilëve ndodhet autori, i cili jeton me ta, duke vuajtur e duke u zhgënjyer me personazhet e romanit, gati-gati sikur të ishin ata qenie prej mishi e gjaku. Ai ndërton një roman total për këtë kohë dhe për këto rrethana, duke gërshetuar plot ngjarje të trishta e dramatike, duke ndërfutur faqe nga ditari, artikuj të gazetave, përshkrime onirike, rrëfime të gjalla etj. Thjesht, është një roman që të jep jetë dhe shpirt, që të bën të kuptosh shumë nga ontologjia e njeriut.

Po ashtu, edhe nga letërsia shqiptare mund ta veçoj romanin me titull “Diktatori në kryq” të Mira Meksit. Siç mund të kuptohet, kryepersonazhi i romanit, pra diktatori, po i përjeton ditët e fundit të jetës së tij. Dhe autorja depërton në qenien e brendshme duke shpalosur një udhëtim psikologjik; përpara i shfaqet e gjithë ekzistenca e vet, duke filluar që nga dashuria në Paris, lufta që e solli në pushtet, vrasjet e shumta, tradhtitë e paimagjinueshme, zhdukja e besimit fetar, izolimi tepër i gjatë, hipokrizia e skajshme dhe deri te makthi rrëqethës nga fantazmat e të vdekurve dhe të gjallëve. Me anë të kësaj retrospektive të llahtarshme, ai projekton kthimin nga vdekja. Domethënë, nëpërmjet reliktit të shenjtë të ringjalljes, ai kërkon një mundësi të dytë në tokë, me qëllim që të jetë ndryshe nga hera e parë.

Me një mjeshtëri të rrallë dhe me hollësi nga më fantastiket, Mira Meksi ka arritur ta ndërtojë prototipin e diktatorit të Luftës së Ftohtë dhe vetminë e tmerrshme të pushtetit absolut. Pra është një roman që të zbulon anën e padukshme të njeriut diktator, i cili megjithatë përjeton një lloj pendimi  të vonuar dhe utopik. Por që është një shkëndijë ndjesie e reflektimi për qenien njerëzore në përgjithësi./

2019

ObserverKult