Nga Bledi Mane
Ka qysh prej vitit të largët 1998 që organizon konkursin e bukurisë kombëtare “Miss Shqipëria”. Lodhet e rropatet duke udhëtuar në fshatra, qytete madje edhe jashtë vendit për të gjetur vajza simpatike e të hijshme. Dikush pranon, dikush refuzon, një tjetër e kërcënon por gjithësesi spektakli i vajzave të bukura shqiptare ka 21 vite që nuk ndalet…
Po shkruaj për regjizorin televiziv Petri Bozo mundimi i të cilit duket i pa vlerë. Po, po i pa vlerë dhe kohë e humbur. Kërkon çdo vit vajza buzëtrasha, cicëmëdha, të gjata, syshkruara ndërkohë që sytë e tij janë verbuar. Një verbim provizor pa asnjë simptomë por që nuk i falet.
Lodhje kuturu nëpër Shqipëri duke kërkuar vajza bukuroshe ndërkohë prej dekadash brenda shtëpisë së regjizorit Petri Bozo qëndron ajo, fisnikja, simpatikja, intelektualja, e urta, profesionistja e inxhinierisë së ndërtimeve. Luljeta Bozo, nëna e tij, pedagogia dhe shkencëtarja që as nuk plaket por vetëm rinohet dhe shpërndan eliksirin e profesionit të saj përzjerë me paqe, me durim, me zbehjen e brengës e të dhimbjes.
Besoj se e kuptuat verbërinë e regjizorit.
Luljeta Bozo, nëna e tij nuk fiton një herë në vit një çmim bukurie dhe zhduket nga skena por ka fituar përgjithmonë dashurinë e ne të mbijetuarve, ne të gjallëve.
Kush e ka kurorën e Miss Shqipërisë?
Dorëzojeni se do e zbukurojmë me diamante dhe do ia japim më të bukurës vajzë shqiptare, do ia japim Luljeta Bozos!