Irena Gjoni: Nëse unë dhe ti

Armiq nuk jemi dreqi ta hajë!
Nëse unë dhe ti thyejmë Rubikonin
e gjejmë njëri – tjetrin,
bota nuk përmbyset…
As mallkim më shumë
s’do mbushet jeta jonë…

Nga ëndrra për lirinë kërkova ty…
Apostulli i saj në kokën time,
që në fetus fytyrën tënde ka pasur.

Kaq shumë ke munguar në jetën time!
Në një ëndërr të këputur gjithmonë vije.
Shfaqeshe dhe fikeshe
në një zgjim absurd,
si pasthënie e një libri të pashkruar.

Tani që rastësisht të gjeta,
në udhëkryqin e kohës së gabuar,
në hartën time shenjohet veç një rrugë
që shuhet në kthim…

Liria e shpirtit
strehën e vet të fundit ka aty,
Statujë prej mermeri që tretet në largësi…