Puntorie Muça Ziba: Do të iki nga ky qytet

(Bukuria dhe shëmtia e këtij qyteti m’i shkul qerpikët)

Do të iki nga ky qytet si nizam i ngratë,
pa zbardhur mirë do të lë shaminë
e do të iki
do t’ia mbath nga sytë-këmbët.

S’do lë vend pa kërkuar një derë të hapur
atje ku lind e perëndon,
përtej tatëpjetëzave dhe teposhtëzave
kudo, por jo këtu
ah, s’më merr gjumi mes sherre totemësh.

Në këtë qytet
bukuria dhe shëmtia m’i shkul qerpikët
kur fryjnë erëra të zeza.

S’më hyjnë në kokërdhok sysh këto rrugë
në daç besoni e në daç jo,
në daç m’shkelni në gjurmë
në daç jo
në daç qani e shkulni flokët e kresë
në daç jo…

Ah, do marr arratinë
pa një leckë në shpirt,
s’mund ta prekin sytë gjelbërosh
mozaikun kiç
kullat e mykura
rrumbull me minj hamshor gojë çaraveshur
të dalë çarkut,
që hanë goca njome për darkë…

Qysh sonte do ta lë këtë qytet
gojë kuçedre
ku shkrehen armët e nervi mbetet lënduar
bashkë me trajtën e figurës sentimentale pa fill.

Do ta marr n’sy botën plagëndezur
që s’e mba gjallë arsyeja
por vetëm ca fijëza shprese.

Në valixhe s’do të fus
as bohçe punuar në vegjë
nga një dorë nëne
as miq fytyrë lëvere
as peliçen e bardhë me dantella nusërie
as muhabete të tjerrura pasdarkeve të gjata,
vetëm një grusht zall
hedhur n’valixhen me rrota…

Prej sonte do ta lë këtë qytet,
po deshën le të më ndëshkojnë
për braktisje pa leje
për mallkimin që do t’ua lë peng
tullë më tullë
për rivalin, për fajin dhe pafajësinë
për përrallat dhe mitet
për pështymën e hedhur mbi skulpturat e vjedhura
për nokturnot
për barokun e rokokonë
që do t’ua vë flakën kalimthi.

Ah, sonte në mesnatë do ta lë këtë qytet
do kërkoj përtejdielli një dhomë për vete
por, po s’e gjeta
ah, po s’e gjeta
do të mbetem gjunjëzuar me përgjërim
para ndonjë altari,
derisa të thith edhe një flluskë ajër
derisa të mbetem pa ajër
pa ajër,
pa ajër…