Interpretimi i Besa Llugiqit në “L’Africaine”, në kompozimin e fundit të gjermanit Giacomo Meyerbeer, është vlerësuar nga revista gjermane “Das Opernglas”.
Është shkruar se sopranoja ka një vokal të fuqishëm e që kjo del në pah veçanërisht në aktin e parë të operës në “Adieu, mon doux rivage”. Bëhet fjalë për interpretimin në rolin e Inesit, në produksionin gjermano-bullgar të kësaj opere e dhënë premierë në nëntor të vitit të kaluar, në Operën Shtetërore në qytetin Stara Zagora të Bullgarisë, një skenë jo e panjohur për sopranon nga Kosova. Ka vite që aty i besohen role kryesore, shkruan Koha Ditore.
Motiv shtesë e ka konsideruar Llugiqi vlerësimin që ia ka bërë revista e specializuar për operë, në numrin më të ri të lansuar në fillim të këtij muaji. Ka thënë se peshën ia shton edhe fakti që ka të bëjë me një rol mjaft sfidues në një operë të madhe.
Kompozitori Meyerbeer ka qenë duke punuar në operën “L’Africaine” në ditët e fundit të jetës së tij në vitin 1864, kur edhe ka ndërruar jetë pa e përfunduar veprën. Ngjarja e operës zhvillohet në Lisbonë, në shekullin XVI. Inesi ka qenë larg të fejuarit të saj, Vasco da Gama, për dy vjet. Babai i saj mendon që ai është i vdekur dhe e detyron që të martohet me Don Pedron. Kur Vasco da Gama kthehet, Inesi do të dëshirojë bashkimin me të.
E mënyra se si e ka ndërtuar këtë rol dhe aktrimi shumë bindës janë vlerësuar nga “Das Opernglas”. Komenti për solistët nis pikërisht me atë për sopranon kosovare.
“Ndër solistët do të filloj me Besa Llugiqin (Ines), e cila ka arritur të ndërtojë një rol dhe aktrim shumë bindës. Vokali me shumë pushtet duhet theksuar veçanërisht romancën nga akti i parë ‘Adieu, mon doux rivage’”, shkrimin për premierën e 22 nëntorit të vitit të kaluar.
“Das Opernglas” është një revistë e përmuajshme me një traditë 30-vjeçare dhe mbulon ngjarjet e mëdha operistike në mbarë botën, sjell intervista me artistë të mëdhenj