Gjaku yt duhet të ishte kohë
dhe koha jote duhet të ishte zemër.
Ti më dhe aq pak,
prandej unë jetova kaq pak.
Nëpër pyllin me pemët e ditës
drûjt ishin hija
dhe kujtimi
ose KUJTIMI
nji variçe në qiellin tim.
E përse të vdes?
Ndër kodra bari âsht i naltë.
Vetëm ti je e pavdekshme,
si gurët, si malet,
si monotonia e stinëve.
Do të vijsh, do të ikësh.
Ti do të kesh kambë të kuqe,
kpucë të bardha.
Ah, ta kisha edhe unë nji ije prej gize!
Ti që n’jetën time u fute
gjanë e gjatë,
si damar lagshtine
në nji mur prej ashti.
Ti e pavdekshme
e unë nji ditë do të vdes
s’e di se si
s’e di se pse
s’e di se sa
e syni im
qysh tash
shtërzen nji lot të fortë
si breshën.