Shkëlzen Zalli: Kush tha se u dehëm?

Kush tha se u dehëm? Ne, vetëm pimë
në kafkën e mbrëmjes veten dhe rakinë.
Se kjo botë e qelbur s’shembet me avion,
por nga lëng i ndezur që fle në bidon.

Kush tha se u dehëm? Ne vetëm kënduam
me harpën e mbrëmjes përjetësinë tonë.
Se kjo botë e qelbur s`do të çel prapë
Po si pati sythet dehur, bërë tapë.

Hajde, “bromp”, se jeta soset në mëngjes…
A s’jemi të vdekur tani gjer në brez?!
O, burra, të pimë, se kjo botë e shqepur,
S'vjen që t`na gëzojë, vjen për të na rrjepur

Kush e tha se u dehëm? Ne këndojmë fort.
Në strehën e fundit të mos shkojm’ me lot.