Blerina Kanxha: Qukapiku

1.
Davidi u zgjua nga gjumi tek ndjeu avionin të ulej. Zbriti, pasi priti rradhën e gjatë të njerëzve tek dyndin korridorin e avionit. Ndjeu këmbët t’i rrokulliseshin si ortekë pa asnjë mundësi ndalimi. Nuk ka nxitim, megjithatë ecën shpejt. Këmbët dehurazi e çojnë në shtëpi.
Gjyshi kishte vdekur. Gjyshi që e detyroi të mësonte pushkën. Davidi ndjente zemërim sa herë duhej të kapte armën me dorë. I dridheshin gishtat sa herë i duhej të qëllonte, e shpesh qëllonte ajër.

Vetullat e gjyshit kishin jetë përtej fytyrës, e reagonin sa herë nuk i qëllonte mirë. Pesha e vetullave të ngrysura i dukej qiell mbi supe. Në kodrinën pranë qytetit, në kohën kur Davidi ishte fëmijë, gjyshi e merrte për t’i mësuar pushkën. Si të zinte të gjallë zogj. Gjyshi gjithnjë ndjehej i kënaqur sa herë shihte zogjtë tek binin në tokë pas gjuajtjes. I dukej sikur mposhtte lartësinë.
Në çdo stinë vinin shpendë të rëndomtë, të cilët, as emër nuk kanë. Të gjithë janë zogj. Të mëdhenj, të vegjël, të poshtër. E shumë vonë gjyshi nuk ndjente më kënaqësi të gjuante. Gjithmonë ishte njësoj. Kur gjyshi përvishte krahët për të gjuajtur, Davidi vërente një njollë të errët në brryl, pa pyetur asnjëherë se pse gjendej në brryl. Gjyshi ia kishte shpjeguar, por në mes të bisedës kishte shtënë me pushkën dhe biseda i kishte mbetur përgjysëm. Ç’ka mbeti nga ajo bisedë ishte ende i mbeti Davidit si : ‘një shoku im zuri pushkën (e shtënë pushke) dhe kështu çuno, ndodhin gjërat atëherë kur nuk i pret. Nuk guxoi më ta pyeste.
Kishte ende lëmshin në bark prej udhëtimit.

Në shtëpi asgjë nuk kishte ndryshuar, mamaja vazhdonte të mbante çantën në dorezën e frigoriferit, përparësen në trup e nuk linte askënd të hynte në shtëpi me këpuçë. Trupi i gjyshit ishte ishte i mbështetur në divan, i pajetë. Mamaja iu afrua ta takonte ndërkaq Davidi e shtyu, duke i treguar me dorë gjyshin.
– Nuk kanë ardh’ ende ata të agjencisë funerale. E kemi lënë aty qysh kur ka vdekur. E di, e di, shtëpia vjen erë, por edhe pak, duro. Sa mirë që erdhe.

Pas gjithë atyre viteve, Davidi ishte rritur më shumë se sa shtëpia. Ishte shumë e madhe kur ishte i vogël. Tanimë nuk e nxinte as sa për të marrë frymë lirisht.  As pushka e varur pas derës kryesore nuk kishte ndryshuar pozicion, ishte gati për të kujtuar se ishte e gatshme për shërbim. Kujtoi gjyshin kur merrte pushkën e i thoshte duke qeshur se do t’ia këpuste kokën si të zogut, duke përkëdhelur pushkën me dorë. Si të ishte mace.

Në dhomën ngjitur dëgjoi çukitje, mendoi se kishte mbetur dikush në dhomë. Mamaja i tha se, gjyshi kishte marrë një qukapik në shtëpi. – E mbylla në dhomë, se nuk dua të bezdis njerëzit që do të vijnë. Arkivoli nuk erdhi deri të nesërmen. Komshinjtë erdhën për të uruar ardhjen time dhe ikjen e gjyshit. Davidit i kishte mbetur mendja tek qukapiku. Si ia bënin ta mbanin në shtëpi. Në dhomë kishte çukitur në komo, pasqyrë, kishte gërryer dollapet.
-Si molë që shëtit, i tha Davidit. Mirë që iku gjyshi, po ky si nuk po na ikën. E mori gjyshi yt, mos pyet pse, as unë nuk e di.
E pashqetësuar nga vdekja, mamaja lëvizte si ççdo ditë nga kuzhina në holl, në banjë, pa patur nevojë të ndryshojë rutinën e saj. Davidi mbeti në karrigen ngjitur me arkivolin duke u ndjerë i qelbur në erën e të vdekurit, pa kuptuar se përse duhet të merrte një qukapik në shtëpi. Zakonet po vijonin, ndërkohë çukitja vazhdonte në dhomën matanë. Për të qetësuar situatën, Davidi u ngrit sikur të kishte një urgjencë e u mbyll në dhomë.

Për herë të parë e pa qukapikun, me syrin paksa të nxjerrë nga kokërrllëku, me pupla të ngjyrosura, duke çukitur mbi komo, si të përplaste kokën në mur. Davidi u përpoq të hapte dritaren për të parë se ndoshta qukapiku do të largohej. Qukapiku rrahu krahët, e trembi. Njëherezi u çua për të mbyllur portën. Varrimi do të bëhëj pas një ore.

2.

Pas varrimit, Davidi ndihmoi varrëmihësin të mbushnin humbëtirën me dhè. Në shtëpi, mamaja e mbylli derën me mërzi. E shihte Davidin dhe nuk mendonte se mund t’ia kërkonte diçka të tillë, por vijoi: Po me qukapikun si do ia bëjmë?

-Lashë dritaren hapur!
-Nuk del nga kjo shtëpi ashtu ai, e kam provuar disa herë.

Davidi shkoi në dhomë për të parë nëse qukapiku kishte mbetur ende aty. Qukapiku po qëndronte si kërcënim mbi krevat. Tentoi ta kapte disa herë, por nuk mundi, qukapiku i rrëshkiste nga duart duke zënë vende të reja, sa në karrige, sa në komo. Mamaja hyri në dhomë. Davidi e pa me pushkën në dorë. Mohoi me kokë. Nuk mund ta vriste. I mbiu ligështia në bark.
-Po nuk e bëre ti do ta bëj unë, i tha. Lëre se do ta bëj unë.
Davidi ngulmoi të mos e bënte. Do të provonte ai. Mori pushkën në dorë.
-Nuk e bëj dot këtu, tha dridhurazi Davidi. Në dhomën e ndenjës ka më shumë hapësirë. Në divan ndoshta?

Mamaja e kapi zvarrë qukapikun duke ngulur gishtat në trupin e tij, duke e forcuar të lëshonte një zë të çjerrë. Në divan mamaja, po mbante largazi me duar qukapikun. Davidi shenjoi, por nuk mund të të shkrepte, ndryshe do të mund të zinte të ëmën.
-Nuk e bëj dot.
-Do ta bëj unë pra.
Davidi shenjoi edhe njëherë. Shkrepi. Qukapiku fluturoi e zhduk. E ëma u shtri në divan plumbthi, duke mbajtur në dore disa pupla të rëna në duar. La pushkën përtokë. Doli nga shtëpia.

3.

Davidi shkonte në shtëpi pas shumë vitesh. Me hapa të ngathët mbërriti në adresë. Sapo hyri brenda gjyshi e mori me vete të gjuanin zogj. Davidi ende nuk kishte lënë çantat në tokë, tek pa gjyshin të çohej prej divani për të marrë pushkën. Sipas tij, vetëm me Davidin mund të shkonte në gjueti.
 Armën nuk e kishte kapur prej kohësh. Nuk dinte më si të pozicionohej.
Në kodër, bari ishte prerë, gjyshi i tha se kishte shumë gjarpërinj këto kohë, ndaj duhet të mbante sorpën me vete. Ajri i thatë ia thau djersët, id ha guxim. Kodrina kishte mbetur në kohë, e varur në mur si foto.
Duke parë gjyshin tek e inkurajonte, mori pushkën në dorë, shenjoi, por nuk shkrepi. Një qukapik ia zuri syrin. Në hutim, dëgjon një të shtënë. Ndesh trupin e gjyshit tek rrëzohet në barin e prerë.
Qukapiku u largua. Davidi po ashtu. / ObserverKult