Agolli: Në rini libri përpihet, në pleqëri përtypet me dhëmbë të vënë

Ti do vish përhumbur në varrezë, Në Tiranë a në një fshat Devolli, Dhe do prekësh pllakën e mermertë Plot me shkronja “Dritëro Agolli”.

Më poshtë gjeni disa aforizma nga shkrimtari i madh Dritëro Agolli. 

– Ka shkrimtarë që kalojnë në krijimtari tri faza: fazën e luanit, fazën e urithit dhe fazën e dhelprës.

– Shkrimtari i madh -fatkeqësia e të voglit.

– Nuk ka letërsi vetëm me një shkrimtar të madh , ashtu siç nuk ka det vetëm me një peshk.

– Në rini libri përpihet , në pleqëri përtypet me dhëmbë të vënë.

– Nuk ka më pak shkrimtarë diktatorë në letërsi , sesa politikanë diktatorë në shoqëri.

– Shkrimtari i madh është peshkaqen. Ai një ditë i ha edhe ata të vegjël që e lavdërojnë , pasi nuk ngopet me lavdërime.

Dorëshkrimi i autorit

ObserverKult

Lexo edhe:

DRITËRO AGOLLI: NA ISHIN DY NJERËZ DIKU NË NJË QYTET, U TAKUAN, U DASHURUAN…

Një dashuri e dokumentuar po me kujdesin që kishin për njëri-tjetrin. Dritëroi dhe Sadija e tij, shkëmbenin letra të shpeshta, në pritje për t’u bashkuar në të njëjtën çati. Janë fjalë shumë të sinqerta dhe shprehen, herë me drojë e herë, me guximin nga malli për njeriun që do të doje ta kishe pranë, përballë, teksa mendimet shkojnë veç aty.

Në vazhdim mund ta lexoni njërën nga letrat që Dritëro Agolli ia dërgoi Sadijes:

E dashur Sadije,

Kjo është letra e fundit për 1964-ën. Bukur ndodhi me ne. Na ishin dy njerëz diku në një qytet, u takuan, u dashuruan. Viti ecte, ecte. Dhe kështu erdhi dita e fundit e 1964-ës. Njeriu ditën e fundit të vitit bëhet pak filozof, apo jo? Të kujtohet kur më ke takuar mua me një shishe në dorë vjet në këtë kohë?

Ku ta dinje ti se ai njeri me atë shishe një ditë do të bëhej burri yt? E sheh sa të papritura ka në një vit? Po ti mund të mos bëheshe gruaja ime. Kudo që të ishe e me këdo që të takoheshe ti do të ishe njeri i mirë e i bukur. Ndofta unë ty të kam ëndërruar edhe në vite të tjerë, edhe pa të parë? Ë, ku ta dish? Po bëhem pak mistik e qesharak.

Në fund të këtij viti, plot dashuri për ty, të uroj të jesh e mirë, e bukur, e dashur. Unë jam ngaherë edhe burri edhe i dashuri yt.