Yves Bonnefoy: A është e vërtetë, shpirti im…

Ne jemi kthyer në prejardhjen tonë
Është po ai vend që kujtojmë, por i rrënuar.
Dritaret përzjenin shumë drita,
Shkallët ngjiteshin deri te yjet.
Atje janë harqe në shkatërrim, lëmishte,
Zjarri ngjante se digjej në një tjetër botë.

Dhe tani zogjtë fluturojnë nga dhoma në dhomë
Kanatat kanë rënë, shtrati është nën gurë
Oxhaku plot hedhurina qielli që shuhen.

Aty ne flisnim mbrëmjeve pothuaj me zë të ulët
Për shkak të zhurmave të kubesë, por prapë
Ne bënim projekte: por një barkë,
E ngarkuar me gurë të kuq, largohej
Me turr nga një breg, dhe harrimi
Hidhte tashmë hirin e vet mbi ëndrrat
Që riciklonim pa fund, mozaikë imazhesh
Zjarri që ka për t’u djegur deri në ditën e fundit.

A është e vërtetë, shpirti im,
Që ka veç një fjalë të vetme për të vizatuar
Në gjuhën që emëron poezia
Diellin e mëngjesit dhe atë të mbrëmjes,
Britmën e gëzimit dhe britmën e ankthit,
Të vetmin shkrep mbi lumë dhe goditjen e sëpatës,
Shtratin e prishur dhe qiellin në shtrëngatë,
Të vetmin fëmijë që lind dhe zotin e vdekur?

Po, unë besoj, dua ta besoj, por çfarë janë
Këto hije që m’i sjell pasqyra?
Dhe shoh, manaferra del mes gurëve
Në pamjen e barit të rralluar
Ku hedhim hapat kah pemët e reja.
Më bëhet sot, këtu, se fjala
Është ky lug gjysmë i thyer ku derdhet
Në çdo agim me shi ujët e panevojshëm.

Bari, dhe në bar ujët që shndrin si një lumë
Gjithçka është gjithmonë për t’i lidhur fijet e botës
Parajsa është shpërbërë, këtë e di,
Kjo është detyra tokësore për të rinjohur
Lulet e shpërndara barit të vorfën,
Por engjëlli na ka lënë, një dritë
Që nuk qe më shumë se një diell në të perënduar.

Dhe, si Adami dhe Eva ne ecim
Për herë të fundit nëpër kopsht.
Si Adami e para keqardhje, si Eva e para
Kurajë, ne do të duam dhe nuk do të duam
Ta kapërcejmë portën e oborrit që rrethohet
Poshtë, te gardhi i banesave tjera, të lyera
Si urim i një rrëzeje të fundit.

E ardhmja merret me prejardhjen
Si qielli që pranon një pasqyrë të lakuar.
A mundemi ne të rimbledhim nga kjo dritë
Atë që këtu ish mrekullia,
Fara në duart tona të errëta për të tjera hulli
Në të fshehtën e arave tjera të ‘’konturuara me gurë’’?

Sigurisht, vendi për të ngadhënjyer, për të ngadhënjyer ne,
Është këtu
Prej ku nisemi këtë mbrëmje. Këtu pa fund
Si ky ujë që rrjedh nëpër lug.

Në shqip: Sokol Zekaj

ObserverKult


Lexo edhe:

YVES BONNEFOY: TI SHKON, ME ZEMRËN QË RREH, NËPËR BORËN QË BIE…

Bie borë. Shpirt, çfarë dëshiroje
Nga lindja e përjetshme, që s’e ke pasur?
Kqyr, ti ke atje
Për vdekjen të njëjtën veshje të të kremteve.

Një stolisje si në adoleshencë
Nga ajo që merret gjithë merak në duar
Sepse pëlhura është e tejdukshme dhe pothuaj mbetet
Mes gishtave që e hapin në dritë
Dihet se ajo është e brishtë si dashuria.

Poezinë e plotë mund ta lexoni KËTU:

ObserverKult