Diçka tënden kërkoj mes të tjerave,
mes lumit të beftë, dallgëzues të femrave,
gërsheta, sy që ulen menjëherë,
kofshë të bardha që duke notuar rrëshqasin nëpër shkumbë.
Papritmas dalloj thojtë e tu,
të gjatë, të shpejtë, nipër qershish,
herë tjetër floknajën tënde që kalon e më bëhet
se shoh tek digjet në ujë portreti yt i zjarrtë.
Vështroja, por asnjëra s’kish regëtimën,
dritën tënde, baltën e errët që sillje nga pylli,
asnjëra s’kishte veshët e tu të vegjël.
Pak dhe gjithçka je, nga të gjitha një,
kështu me ty përshkoj dhe dashuroj
gjithë Mississippin në një grykëderdhje femërore.
© shqipëroi Maksim Rakipaj