Këngë që dëgjohen në sediljen e pasme të makinës

Nga Arlind Farizi

U zgjat si një ngjalë deri të radioja e veturës. E bëri frekuencën e duhur në përpjesëtim të drejtë me atë të rrahjes së zemrës së tij. E dinte përmendsh skenarin. Si një regjisor shfaqesh të njëjta. Ajo e priste në qosh të sediljes së pasme. E ndrojtur, mbledhur top si lëmshi ndjenjave të saj.

Ajo e priste kthimin e tij, nga para pas, mu afër saj, e sodiste me nge sjelljen e tij, si ulet, si bënte vend-hapësirën, si largon karriget e përpara, si do e prekte të qafa e bardhë, si do e lëshonte dorën për t’ia skanuar së jashtmi relievin e trupit, si do hidhej sipër që t’ia merrte dhe atë pak frymëmarrje të mbetur nga frika.

Ajo e priste afërsinë e tij ashtu e strukur dhe lutej që vetura të ishte më e madhe, ku ajo do mund të shtrihej, ku ajo do mund të rrotullohej andej ka e tërheq magneti qejfit. Lutej për më shumë kub ajër. Pastaj kishte heshtje. Ai po hiqte rrobat e tepërta për këso punësh, ndërsa ajo kishte vënë dorën në mes-këmbësh dhe lutej që aty mos hyj djalli, se aty ka një portë të hollë e pastaj vazhdon ferri. Lejoi gjithçka tjetër. Pranoi të hahej si e pangopur, buzë, qafë, e në portat e harresës të varte kujtimin për të.

Pranoi të fuste dorën tokave të premtuara, lugjeve të verdha, sarajeve të bardha, ta prekte lulen e kripës, ta ndjente përthellë se të dy ishin fatprerë, se ka dhe dashuri nr.2, se e madhe është gjëma e mëkatit.

I dha leje dorës. Me dorë të paktën ta ndjente butësinë më të butë të botës, me gishtin e mesëm, e ky gisht sipas ligjeve të domosdosë njerëzore duhet të ishte mi privilegjuari, avangardi. Ai është i zoti, e njeh ketë artin e vjetër sa bota vetë. I thoshte ndër sy se në këtë vend, por në këtë sedilje janë shumë personazhe, se veturën e kishte si shtëpi, si banesë, si dhomë, si inboks, si jetë.

Aty zhvishej nga përditshmëria bajate, aty lumturohet, fryhet e zmadhohej siç rriteshin e zmadhoheshin kodrat çift të gjoksit. Aty dhe hidhërohej njëjtë dhe identik si kodrat çift të gjoksit të saj ku paloheshin anësh. Aty qante, aty këndonte si një i dehur, i dehur dashurie, këndonte me zë, vajzukja ulur në sediljen e pasmë të veturës.

Në fund, e puthte gjatë, butë, si një fshesë e lehtë, padiktueshëm, tentonte të fshinte gjurmën e një treorëshi të huxhumtë, kërkonte t’ia kthente buzët në formën e para kafshimit, e puthte dhe andej ku kishte vula mavijosje. E ajo, e kujdesshme fshinte fytyrën e tij, të një buri të lyer më të kuqtë më të bukur në botë, burrit që ha të kuqtë, lukthi tij me siguroj ka një shtesë të kuqe së brendshmi. Muzika tashmë kishte mbaruar, në fakt ishte kryer gjithë lista e këngëve për sot, nuk e kishte menduar se takimi me të do zgjaste aq.

U falënderuan dhe pse në dalje nga safari i lumturisë, e thirri sërish, dhe i kërkoj dhe një të puthur.

ObserverKult


Lexo edhe:

ARLIND FARIZI: TË IKIM, MY FRIEND, THIS IS THE END…

ARLIND FARIZI: NGA LARG IA VËSHTROVA IKJEN ASAJ…